Hileja e radhës e FSHF-së, po tenton të shmangë gjykatat. U votua një nen, por nuk kishte të drejtë vote

Mar 4, 2022 | 9:17
SHPËRNDAJE

Ndërsa gjithë vëmendja e opinionit publik ishte a do të bëhen zgjedhje për president të FSHF-së apo jo në asamblenë e ditës së mërkurë, federata u kujdes mjaft mirë për një tjetër truk me statutin e saj. Gjatë asamblesë së zakonshme zgjedhore, pas miratimit për shtyrjen e zgjedhjeve për në datën 15 mars, u propozua edhe shtyrja e një afati kohor të një pike të nenit 92 të statutit të Federatës Shqiptare të Futbollit. Po çfarë ishte ky miratim dhe pse FSHF e propozoi për votim këtë gjë?

Asambleja Zgjedhore 2022

Propozimi i Libohovës Drejtuesi i asamblesë, Edvin Libohova, u kujtoi anëtarëve që duhet të përmbushin dispozitat ligjore në statutet e shoqatave të tyre. Mund të duket si diçka shumë teknike, por edhe aq e rëndësishme.

“Në bazë të statutit të FSHF-së, të gjithë anëtarët kanë pasur detyrimin për të përfshirë në statutin e tyre dispozitat e detyrueshme ligjore të nenit 14, fraksion 2 si dhe nenit 17 e vijues të statutit të FSHFsë.

Duke qenë se jo të gjithë anëtarët e kanë kryer këtë ndryshim, do të sugjeronim sipas udhëzimit të FIFA-s dhe UEFA-s që asambleja paraprakisht të pezullojë efektet e nenit 92, fraksion 1 të statutit edhe për një periudhë tjetër 12-mujore.

Besoj se të gjithë jemi dakord që askujt nuk mund t’i cenohet e drejta për të votuar, gjithsesi propozoj ta hidhnim në votë”, ishin fjalët e Libohovës. Ky propozim u miratua me votat e anëtarëve në sallë. Me një vëzhgim të statutit të Federatës Shqiptare të Futbollit, kjo është një tjetër “hile” që bën federata për të përjashtuar vendimet e gjykatave shqiptare.

Po përse u pezullua neni 92? – Sepse nëse ky nen nuk pezullohej, anëtarëve u hiqet e drejta e votës në asamblenë e përgjithshme.

Në çfarë mënyre? – Ky nen e thotë qartë se çdo anëtar nëse nuk zbaton pikat e detyrueshme të nenit 14/2 dhe 17/1 të këtij statuti prej një periudhe gjashtëmujore nga hyrja në fuqi e statutit, që i bie 1 janar 2021 deri më 1 korrik 2021, atëherë nuk ka të drejtë vote në asamble.

Po çfarë pike duhet të zbatojnë anëtarët që të mos u hiqet vota në asamble? – Neni 14/2 thotë se anëtari duhet të firmosë një deklaratë ku angazhohet se çdo mosmarrëveshje me statutin, rregulloret, vendimet e FSHF-së t’i zgjidhë vetëm në një gjykatë arbitrazhi të pavarur, duke përjashtuar çdo gjykatë të zakonshme.

E pra, këtë deklaratë anëtarët nuk e kanë firmosur, çka u jep të drejtën që edhe një mosmarrëveshje me FSHF-në ta zgjidhin në një gjykatë të zakonshme, por nga ana tjetër janë në kundërshtim me statutin dhe nuk kanë të drejtë vote, sipas nenit 92.

Po ashtu edhe me nenin 17/1, ku anëtari ka si detyrim që të vendosë në statutin e shoqatës së tij një klauzolë ligjore që çdo mosmarrëveshje ta zgjidhë në një gjykatë arbitrazhi dhe jo në një gjykatë të zakonshme. Gjithashtu, edhe këtë anëtarët nuk e kanë bërë dhe janë në kundërshtim me statutin dhe praktikisht, sipas nenit 92, nuk kanë të drejtë vote në asamble.

Edvin Libohova në fillim të asamblesë propozoi që neni 92 të pezullohej për një periudhë 1-vjeçare dhe kjo u miratua nga anëtarët e asamblesë.

Por si u miratua ky propozim kur ata janë në kundërshtim me statutin e FSHF-së dhe nuk kanë të drejtë vote? – Kjo ishte një shkelje e hapur dhe një tentativë tjetër për t’i detyruar anëtarët e FSHF-së që të mos u drejtohen gjykatave të zakonshme në vend, por të shkojnë në arbitrazh, ku çështjet zgjatin për një kohë të gjatë dhe shpenzimet janë jo të përballueshme nga shumica e anëtarëve.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura