Haxhi Lleshi “Nderi i Qarkut Dibër”, reagon kreu i ISKK: Ka firmosur ekzekutimin e të dënuarve politikë. Në ’95 iu hoqën të gjithë titujt

Dec 23, 2019 | 21:05
SHPËRNDAJE

Kryetari i sapozgjedhur i Institutit për Studimin e Krimeve të Komunizmit në Shqipëri Çelo Hoxha ka reaguar, pasi Bashkia e Dibrës ka nderuar me titullin “Nderi i Qarkut Dibër” ish-kreun e presidiumit të Kuvendit Popullor Haxhi Lleshin.

celo2-748x450

Hoxha shprehet se Haxhi Lleshi ka kryer krime gjatë periudhës së komunizmit. Ai shton se Lleshi ka firmosur ekzekutimin e të dënuarve politikë.

Dhënia e titullit nderi i qarkut Dibër për ish Kryetarin e presidiumit të kuvendit Popullor Haxhi Lleshi ka ngjallur indinjatë tek ish të persekutuarit gjatë regjimit komunist.

Celo Hoxha, i sapozgjedhur në krye të Institutit për Studimin e Krimeve të Komunizmit në Shqipëri, thotë se vendimarrja lokale bie në kundërshti me ligjet në fuqi që dënojnë krimet e komunizmit. Sipas tij Haxhi Lleshi është firmëtar i të gjitha vrasjeve politike të ndodhura nga viti 1953 e derisa drejtoi Presidencën e Kuvendit Popullor.

Në intervistën e dhënë për News 24, Hoxha analizon domosdoshmërinë e miratimit të dy ligjeve nga parlamenti shqiptar, ligjit të Lustracionit dhe Dekomuntizimit. Sipas tij dy ligjet e munguara për 30 vite do t’i prisnin rrugën glorifikimit të personave që kanë kryer krime gjatë diktaturës si dhe qëndrimit të tyre në pushtet.

“Haxhi Lleshi përfshihet në listën e përpiluar nga Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, që përmbledh pjesëmarrësit që kanë përgjegjësi direkte për krimet e Partisë Komuniste Shqiptare dhe të Ushtrisë Nacionalçlirimtare.

Në vitin 1995 me dekret të Presidentit të Republikës, Haxhi Lleshit iu hoqën të gjitha dekoratat dhe titujt e nderit për aktin kriminal të gjenocidit të ushtruar ndaj popullit shqiptar gjatë viteve të diktaturës komuniste”, tha Çelo Hoxha.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura