Harta e re zyrtare e pronave, ja çmimet e trojeve për Tiranën

Feb 6, 2016 | 23:14
SHPËRNDAJE

Kryeqyteti mbetet vatra e nxehtë ku kurba e çmimeve sërish ka njohur rritje me hartën e re të vlerës së tokës.

Zona e Bllokut në Tiranë vazhdon të kryesojë listën si ndër zonat më të shtrenjta. Referuar tabelës, një metër katror do të kushtojë 66.969 ose rreth 9846 lekë më shumë se vjet. Edhe në qendër çmimet kanë njohur një rritje të lehtë.

tokat-tiranaNdërkohë nuk ka ndryshuar shumë vlera e pronës për zonat informale, ato në të cilat dendësia e ndërtimeve është e lartë. Në këtë mënyrë, tarifat e tokës në Kavajë dhe Vorë që do të aplikohen do të jenë të njëjtat me ato ekzistueset.

Ndryshe nga sa mund të pritej për Kamzën, çmimet kanë regjistruar ulje. Nuk mund të thuhet e njëjta gjë për Rrogozhinën ku vlerat kanë shkuar në rritje.

PRONARËT

Ashtu siç edhe pritej, Qeveria ka miratuar hartën me çmimet e trojeve për 12 qarqe të vendit, e cila do të përdoret edhe për kompensimin e pronarëve të shpronësuar nga regjimi komunist, si edhe të familjeve toka e të cilëve është zënë nga ndërtimet pa leje.

Kompensimi i tyre bëhet në bazë të hartës së vlerës së tokës dhe në jo pak raste vlerat e miratuara vit pas viti kanë ngjallur pakënaqësi në radhët e të shpronësuarve. Kjo për vetë faktin që masa e përfitimit është e kushtëzuar pikërisht nga këto çmime, të cilat do të jenë si referuese për llogaritjen e përfitimit.

Me ligjin e ri të pronave, i cili pritet të hyjë në fuqi, formula parashikon që zëri kadastral të jetë ai që ka pasur prona në momentin e konfiskimit, por çmimet të jenë këto të sotmet.

LEGALIZIMET

Ndonëse rritja e çmimeve është disi ngushëlluese për familjet ish-pronare, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për ato që janë në proces legalizimi dhe u takojnë të paguajnë për faturën e tokës.

Bëhet fjalë për kategorinë e ndërtimeve në tokë shtet dhe tokë me pronarë. Fatura që këto familje do të kenë në ngarkim do të njohë një rritje të ndjeshme, megjithatë lehtësirat që aplikohen e reduktojnë detyrimin financiar.

ADA HAZIZOLLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura