Gjon Krasniqi, bamirësi nga Luzerna në Mirditë

Nov 16, 2022 | 7:58
SHPËRNDAJE

NDUE DEDAJ

ndue-dedaj1

Zakonisht shkruajmë për të huajt, që japin ndihmesë humanitare prej vitesh në Shqipëri. Por nuk janë vetëm ata që ndërmarrin misione të tilla. Nënë Tereza e ka futur frymën e saj edhe ndër shqiptarët e vet, ani se e njohëm vonë motrën tonë të madhe sa bota. Nuk kisha menduar të shkruaja ndonjëherë për Gjon Krasniqin, jo se nuk e meritonte, porse nuk është në stilin tonë të shkruajmë për të njohurit.

Kodi i miqësisë dhe ai dokësor i odave e kuvendeve të maleve tona na e “ndalon” këtë. Po pse atëherë po bëjmë një përjashtim nga rregulli? Sepse pati ndodhur ndarja e madhe, kundrahistorike i shqiptarëve në trojet e tyre, duke na përjashtuar nga njëri-tjetri. Jemi ende në kërkim të vëllezërve tanë kosovarë dhe ata në kërkimin tonë. Kështu i patëm thënë në vitin 1991 Anton Çetës kur erdhi për vizitë në Mirditën e rrënjëve. Apo Ali Podrimjes, në vitin 2004, krijuesit e Mirditës, Lezhës e Kurbinit, kur ai erdhi dhe qëndroi disa ditë mes nesh. “Kemi njëqind vjet që e presim këtë ditë!” Me u pa në sy. Me fol vllaznisht. Me shkrue shqip.

Me dëshmue travlimet e jetës. Me bashkëpunue për të mirën e kombit tonë. Dhe kosovarët, tetovarët, strugasit, ulqinasit, preshevasit vinin këtu duke puthur dheun, siç pati bërë dhe Gjoni kur hyri për herë të parë në Shqipëri nga Pogradeci në vitin1993. Polici kufitar i tha të kthehej mbrapsht, pasi kishte një parregullsi në lejen e kalimit e do të gjobitej, por Gjoni e kishte pranuar me “dashuri” atë gjobë, mjaft që të përkulej në tokën amë duke e prekur me buzë dhe shqiptuar fjalët e pathëna të motmoteve të mbetura peng brenda vetes. Mbas ‘90-s gjaku i shprishur filloi të mblidhej sërish. Gjoni ndodhej në Tiranë në një rast familjar te një miku i tij mirditas, dhe si më i largëti, ardhur nga Zvicra, i kishin lëshuar kryet e vendit.

“Po ulem njëherë, meqë po këmbëngulni, por pastaj do ta gjej vetë vendin ku më takon”. Pa se aty kishte më të vjetër se ai. Një burrë i moshuar, teksa pyeteshin, i thotë se ishin kushërinj se ai ishte nga Currajt e Tropojës. Atëherë Gjoni ngrihet dhe i lëshon vendin atij, duke dalë vetë i dyti. Ky ishte një protokoll aristokracie, ku nderohej më i largëti, më i moshuari, por jo pozita si sot.

Gjon Krasniqi, lindur më 22 maj 1961, me pasionin e pikturës që në vogëli, nis studimet për inxhinieri mekanike në Ferizaj, i ndërpret ato dhe emigron në moshë të re në Zvicër, si shumë të tjerë, në gjurmë të ungjit të tij, Tunës, ndër emigrantët e parë kosovarë në Europë. Pasardhës i burrave të njohur të kullës së Avdi, Sadri e Zef Smajlit – Krasniqi. Ajo kullë, dikur me 60 vetë, – siç shkruan publicisti Lekë Mrija, – ishte një vatër idealesh e ndjesish kombëtare për të gjithë shqiptarët pa dallim, në të cilën shumë burra u mblodhën për pajtime dhe ndërmjetësime, duke lënë gjurmë të pashlyeshme jo vetëm në fshatin Nepolje në Lugun e Baranit, por dhe në zonën e Dushkajës, Lug të Drinit, Dukagjin etj.

Nepolja është fshati i fundit i komunës së Pejës, i cili kufizohet me atë të Gjakovës dhe Klinës, shkruhet në guidat gjeografike. Ai njihet dhe me emrin Krasniq. Të gjithë banorët e tij mbajnë mbiemrin Krasniqi, dy vëllazëri që e kanë origjinën nga Nikaj – Mërturi i Tropojës, kryesisht nga Lekbibaj. Thuhet se prej andej u larguan me ndihmën e Haxhi Zekes (edhe ai i krasniqas), që e solli fisin e tij në Nepolje sa më larg pushtimit turk. Gjon Krasniqi, veprimtar i çështjes kombëtare në Kosovë dhe në diasporë, nuk ka pritur lavde dhe dekorata kur iu bashkua UÇK-së më 1998 për çlirimin e Kosovës, as më vonë kur sillte në Lezhë maunet nga Zvicra me pajisje spitalore e ndihma të tjera humanitare, për çka më 2015 do t’i akordohej titulli “Nderi i Qarkut të Lezhës”. Bash për shpirtin e tij human dhe të gjendurit pranë njerëzve në nevojë, ndokush e ka quajtur “lulja e fisit” të Krasniqes.

Ai është mishërim i fisnikërisë së dy prindërve të tij, Markut dhe Vitores, por dhe i gjyshit Zef Smajli, ushtar i Bajram Currit dhe i Zefit të Vogël, mbeshtetës i Kishës së “Shën Antonit” të Gllogjanit dhe i gjyshes Manë Delia nga Tropoja, që pyetej nga burrat e krenët e fiseve, pa dallim feje, për çështje të ndërlikuara kanunore. Gjoni mbart një traditë të rrallë familjare bamirësie. Sadri Smajli mbante në shtëpinë e tij të madhe si në një azil të sëmurë mendorë, të braktisur, skamnorë etj. Kur vdiste ndonjëri prej tyre i çonte fjalë familjes nëse do ta merrnin ata për ta varrosur, apo do ta varroste ai. Kjo është e padëgjuar, por ka ndodhur. Një tjetër rast jo i zakontë. Ura e Pejës po ndërtohej me të burgosur, që nxirrnin gurë bashkë me fshatarët krasniqas, por që nuk kishin kushte për ngrënie e fjetje. Atëherë Sadriu foli me komandantin e tyre dhe pasi të dënuarit i dhanë besën se nuk do të iknin, ai i mori dhe ata në kullën e tij si bujtës.

Personalisht Gjonin e kam njohur nga një tjetër dimension i tij, ai i marrëdhënies me librin. Kishte lexuar librin tim “Kanuni mes kuptimit dhe keqkuptimit” që, siç thoshte ai, i kishte lënë mbresa të veçanta, ndaj dëshironte të njiheshim. Jemi takuar në Rrëshen e tash shihemi herë pas here në një shoqëri miqsh të përbashkët, nga Zvicra, Klina, Milano, Mirdita, Lezha dhe Tirana. Bota sot, falë teknologjisë së komunikimit dhe qarkullimit të shpejtë, është tepër e “vogël” për të qenë madhe. Gjoni kishte mbështetur botimin e disa librave, gjë qe bën në vijimësi. Bujaria e tij ishte shtrirë dhe tek bursat e nxënësve e studentëve në Gjakovë, Rubik etj., por me kushtin që, kur ata të mbarojnë studimet, të shërbejnë të paktën dy vite në atdhe. Edhe ditëlindjen e tij në dy raste ai i ka kremtuar me mirditorët, por anonim, duke iu dërguar njerëzve në nevojë dhurata përmes Karitasit Dioqezan të Rrëshenit.

Emri i tij u shqiptua fort nga motër Adelina në koncertin e bamirësisë, organizuar kohët e fundit në Pallatin e Kulturës Rrëshen nga Unioni Mirdita, për kontributin që kishte dhënë krahas humanitarit tjetër kosovar në Zvicër Pren Kçira, biznesmenëve Nikolin Jaka, Violeta Gjoka, Andrea Zaja etj. Para dy vitesh, Gjon Krasnqi solli në Mirditë për të gjithë nxënësit e shkollave një komplet lapsash të dizenjuar nga i biri Zefi me stemën dhe flamurin e Pavarësisë së Kosovës. E shoqëronin famullitari i Gllozhanit, Dom Pal Tunaj, arsimtarët e veprimtarët nga Lugu i Drinit: Pal Canaj, Dodë Ndrecaj, Vilson Culaj etj. Ti e merr në dorë atë laps dhe nis e shkruan apo vizaton me të dhe të ngjan se ai është lapsi me të cilin Ibrahim Rugova ka nënshkruar jo vetëm studimet e tij letrare, monografinë e çmuar për Pjetër Bogdanin, por dhe shtetin e ardhshëm të Kosovës. Është ai laps me të cilin udhëheqësit e rinj të Kosovës më pas nënshkruan Deklaratën e Pavarësisë në vitin 2008.

Por ai laps simbolik është shumë më i “vjetër” se kaq, pasi aty është dhe dora e Ismail Qemalit e Isa Boletinit. Janë këto argumentet që këtë nëntor Gjoni nderohet me “Stemën e Bashkisë Mirditë”. Për më tepër ai ka miqësi dhe bashkëpunim për nismat humanitare me mirditasit emigrantë në Milano, Mark Nikolli e Preng Gjoka nga Fani, Gjergj Margjini nga Oroshi etj. Punët e mira të Gjonit nuk bëjnë “zhurmë” mediatike. Para pak kohësh, ai mundësoi vënien në skenë nga fëmijët e Rubikut të pjesës teatrale me kukulla për fëmijë “Pika e ujit” të Naum Priftit, që ndikon drejtpërdrejt në edukimin e tyre estetik. Nga Rubiku i vogël ky është një sinjal dhe për qytetet e mëdha që i kanë teatrot e kukullave. Dëshira për të kontribuar për fëmijët rikthen projekte edukative të vlefshme.

Nëse nuk zhvillojmë veprimtari të tilla, atëherë më kot qahemi se fëmijët tanë nuk e lëshojnë telefonin nga dora etj. E Gjoni nuk është ndonjë pasanik, që ka në Zvicër ndonjë korporatë që “prodhon” para për të. Jo, shpirti i tij është i pasur, ashtu si i gjithë humanistëve, bamirësve, filantropëve të kësaj bote. Dhuntia e tij është institucionale, ajo nuk shkon dorë më dorë para kamerave, por përmes njerëzve të Karitasit troket në dyer të varfra, për çka është falënderuar dhe nga ipeshkvi i Rrëshenit imzot Gjergj Meta.

Nevojtarët që marrin një pako me ndihma nuk e dinë emrin e atij që ka e dhënë dhe kjo është fisnikëria e kësaj gjëje. Gjoni më shumë se paradhënës për nevojtarët dhe arsimin, kulturën, është një shembull për të tjerët se si me dashuri të madhe bëhen gjëra të mira. Fryma nënëtereziane e tij është njëherësh e gjithë familjes, bashkëshortes Zojë, tre fëmijëve Magdalena, Arta dhe Zefi, vëllait Dr. Pal Krasniqit, që shërben si mjek në klinikë zvicerane dhe menaxher. Për vepra bamirëse në shërbim të njerëzve dhe të kishës çifti Krasniqi, Gjoni dhe Zoja, kohë më parë morën bekimin e papnor:

“Shenjtëria e tij Papa Françesku i jep me zemër Bekimin Apostolik Gjon Krasniqit e Zojë Marnikut, me rastin e përvjetorit të 35-të të martesës dhe thërret për familjen e tyre një derdhje të re hiresh qiellore për rritje të vazhdueshme në besim dhe dashuri”. Gjoni ka shumë miq në radhët e klerikëve katolikë, si Dom Fran Kolën, famullitarin e Novosellës etj., këshillohet dhe bashkëpunon me ta. Ka qenë interesante marrëdhënia e tij dhe me poetin e njohur Nokë (Ndue) Sinishtaj nga Gruda, dikur edhe ai prift, që së voni jetoi në Luzernë të Zvicrës, deri sa u shua në maj 2021 dhe tash miku i tij ruan në kujtesë bisedat me të për jetën, miqësinë, poezinë, dorëshkrimet etj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura