Gjobat për kuponat 10 milionë lekë; tatimet mund të sekuestrojnë 50% të xhiros

Sep 4, 2015 | 10:40
SHPËRNDAJE

Ligjërohet dhe thirrja e kryeministrit për të mos paguar pa kupon: “Çdo blerësi i lind e drejta të mos paguajë për vlerën e mallit ose shërbimit të marrë, nëse shitësi nuk lëshon faturën tatimore ose kuponin tatimor në përputhje me këtë ligj”.

tregjet
Këshilli i Ministrave ka vendosur propozimin e projektligjit “Për disa shtesa në ligjin në 9920, datë 19.5.2008 ‘Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë’, i ndryshuar”, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë.

Drafti parashikon ndryshime të shumta dhe ashpërsim të ndjeshëm si të gjobave për mospërdorim të kuponave tatimorë, deri në sekuestrim malli dhe të xhiros ditore, nëse je debitor ndaj shtetit, ndërsa i jep shumë të drejta tatimorëve, duke i lejuar të krijojë bazën e të dhënave të numrave IMEI të telefonisë celulare .

Ndër ndryshimet e tjera përfshihen ndalimi i nëpunësve të administratës tatimore qendrore dhe vendore që të kenë të kenë nën pronësi të tyre apo të afërm të tyre zyra të kontabilitetit apo konsulencës fiskale.
Një tjetër ndryshim sanskionon që “Nga hyrja në fuqi e këtij ligji deri në datën 31.12.2015, për të gjithë tatimpaguesit që kryejnë shitje me shumicë të mallrave tek blerës jo ushtrues të një veprimtarie tregtare (individë), shitjet me kupon tatimor të lëshuar nga pajisja fiskale nuk duhet të tejkalojnë 10% të vlerës së tatueshme të mallrave të shitura gjatë një periudhe tatimore mujore, pa përfshirë TVSH. Nga data 1 janar 2016, për këtë kategori nuk lejohet shitja me kupon tatimor”.

Mos paguaj pa faturë

Ndryshimet saksionojnë me ligj atë që ka deklarur kryeministri Rama: “Çdo blerësi person fizik, juridik ose individ, i lind e drejta të mos paguajë për vlerën e mallit ose shërbimit të marrë, nëse shitësi nuk lëshon faturën tatimore ose kuponin tatimor në përputhje me këtë ligj”.

Tatimet mund të marrin IMEI

Ndryshimet i japin të drejtën Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve të krijojë bazën e të dhënave të numrave IMEI të telefonisë celulare, në të cilën regjistrohen të gjitha numrat IMEI- e të telefonave celularë në momentin e importimit dhe të gjitha IMEI të telefonave që shiten nga tatimpaguesit në tregun vendas, shitës me shumicë dhe shitës me pakicë, pa cënuar legjslacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale.

Nëse je i audituar nga 4 të mëdhenjtë, nuk kontrollohesh
Ndryshime parashikohen dhe në kontrollin tatimor: “Zgjedhja e tatimpaguesve, që kontrollohen, bëhet në bazë të analizës së vlerësimit të riskut, të kryer nga administrata tatimore, për të identifikuar tatimpaguesin, і cili ka më shumë rrezik për ta shkelur legjislacionin tatimor.
Në rast se tatimpaguesi ka të certifikuar pasqyrat financiare që dorëzon pranë Administratës tatimore brenda datës 31 mars të çdo viti, se janë në përputhje me legjislacionin fiskal, nga kompanitë “PriceëaterHouse”, “Deloitte”,” KPMG” dhe “Ernest &Young”, nuk kontrollohet për një vit të plotë fiskal. Modeli i certifikatës përcaktohet me Udhëzim të Ministrit të Financave.”.

Tatimet, nëse nuk paguan detyrimet, të sekuestrojnë 50% të xhiros ditore

“Gjithashtu në funksion të mbledhjes së detyrimit tatimor të papaguar të tatimpaguesit, administrata tatimore mund të angazhojë strukturat e saj për të verifikuar dhe monitoruar në vend aktivitetin tregtar të tatimpaguesit me qëllim konfiskimin në fund të çdo dite të një shume jo më pak se 50% të qarkullimit të realizuar, por jo më shumë se detyrimi tatimor për të cilin ka filluar procedura e mbledhjes me forcë të detyrimeve tatimore, për llogari të detyrimeve tatimore të pashlyera të tatimpaguesit.
Tatimpaguesi për të cilin administrata tatimore ka filluar mbledhjen me forcë të detyrimeve tatimore të papaguara, nuk mund të kryejë transferim të shumave të parave nga llogaria e tij, apo të shesë\transferojë aktivet ose kapitalet e shoqërisë, me përjashtim të rasteve kur nëpërmjet shitjes\transferimit të aktiveve synohet shlyerja në masën 100% e detyrimit tatimor të papaguar.”.

Ashpërsohen gjobat për kasat, deri në 10 milion lekë

Ndryshimet në ligjin për procedurat parashikojnë masa të ashpra për mospërdorimin e kuponave tatimorë, sidomos për tatimpaguesit e regjistruar si subjekte të tatimit mbi fitimin, që mund t’u sekuestrohet edhe malli.

Në nenin 122 bëhen këto ndryshime:

1. Në pikën 1, gërma, “b” dhe “c” ndryshohen me këtë përmbajtje:

“1. Tatimpaguesi, person juridik ose fizik, tregtar, dënohet në rast se:

a) nuk lëshon kupon tatimor për të dokumentuar qarkullimin e realizuar të mallrave apo të shërbimeve:
i. Për çdo konstatim (verifikim) të kryer, me gjobë në masën 10,000,000 (dhjetë milon) lekë për tatimpaguesit e regjistruar si subjekte të tatimit mbi fitimin, rivlerësim tatimor i të gjithë mallrave gjendje dhe sekuestrim të mallrave gjende, dhe gjobë në masën 500 000 (pesëqind mijë) lekë për tatimpaguesit e tjerë, rivlerësim tatimor i të gjithë mallrave gjendje dhe sekuestrim të mallrave gjende,
ii. Për çdo konstatim (verifikim) tjetër pas verifikimit të parë, ku konstatohet se tatimpaguesi vazhdon të mos e lëshojë kuponin tatimor për të dokumentuar qarkullimin e realizuar të mallrave apo të shërbimeve sipas kërkesave të këtij ligji, si më sipër, konsiderohet evazion tatimor, sipas nenit 116, të ligjit, dhe administrata tatimore ushtron të drejtën e parashikuar në nenin 131, të këtij ligji, duke e kallëzuar penalisht tatimpaguesin.
c) lëshon një kupon tatimor/dëftesë tatimore/biletë me vlerë të parashtypur, që nuk përmban elementet e përcaktuara në këtë ligj dhe në aktet nënligjore, për kuponin tatimor/dëftesën tatimore/biletën me vlerë të parashtypur, me gjobë, në masën 60 000 (gjashtëdhjetë mijë) lekë.

2. Në pikën 1, pas shkronjës d), shtohet shkronja d/1) dhe pas me përmbajtjen:

“d.1. Nuk afishon në një vend të dukshëm në adresën ku kryen veprimtarinë, një poster që tregon të drejtën e blerësit për të mospaguar për mallrat dhe shërbimet e blera në zbatim të nenit 46 pika 3 të këtij ligji, me gjobë në masën 20 000 (njëzet mijë) lekë.”.

3. Në pikën 1, pas gërmës gj), shtohet gërma h) me këtë përmbajtje:

“h) mban apo përdor pajijse fiskale të cilat nuk janë në përputhje me këtë ligj apo aktet nënligjore në zbatim të tij, me gjobë, në masën 10,000,000 (dhjetë milon) lekë për tatimpaguesit e regjistruar si subjekte të tatimit mbi fitimin, rivlerësim tatimor i të gjithë mallrave gjendje dhe sekuestrim të mallrave gjendje, dhe gjobë në masën 500 000 (pesëqind mijë) lekë për tatimpaguesit e tjerë, rivlerësim tatimor i të gjithë mallrave gjendje dhe sekuestrim të mallrave gjendje.”.

JA NDRYSHIMET E PLOTA SIPAS ‘PROPOZIMIT TE PROJEKTLIGJIT ‘PËR DISA SHTESA NË LIGJIN NR. 9920, DATË 19.5.2008 ‘PËR PROCEDURAT TATIMORE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË’, I NDRYSHUAR”

Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1 dhe 155 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë,

VENDOSI:

Në ligjin nr. 9920, datë 19.05.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë” bëhen shtesat e mëposhtme:

Neni 1

Neni 19 ndryshon me këtë përmbajtje:

“Neni 19
1. Për nëpunësit e administratës tatimore qendrore zbatohet legjislacioni i nëpunësit civil, përveç se kur në këtë ligj parashikohet ndryshe.
2. Për procedurat e rekrutimit të tyre zbatohet legjislacioni i nëpunësit.
3. Marrëdhëniet juridike të punës për punonjësit e administratës tatimore, që nuk kanë statusin e nëpunësit civil, rregullohen sipas dispozitave të Kodit të Punës.
4.Nuk kanë statusin e nëpunësit civil, punonjësit që ushtrojnë detyrat dhe funksionet që sipas ligjit lejohet të mbajnë armë, apo strukturat e angazhuara në verifikimin, kontrollin dhe auditimin e drejtpërdrejtë të aktivitetit tregtar të tatimpaguesit.
5. Nëpunësit e administratës tatimore qendrore dhe vendore ndalohen që të kenë të kenë nën pronësi të tyre apo të afërm të tyre zyra të kontabilitetit apo konsulencës fiskale. Kjo sistuatë përbën konflikt interesi dhe ndaj nëpunësit të administratës tatimore qëndrore dhe vendore që gëzon statusin e nëpunësit civil merren masat e parashikuara nga legjislacioni në fuqi për shmangien e konfliktit të interesit.
Në rast konstatimi të situatës së konfliktit të interesit të parashikuar në pikën 4 të këtij neni ndaj nëpunësve të administratës tatimore që nuk gëzojnë statusin e nëpunësit civil merret masa e largimit nga puna me pa të drejtë punësimi në administartën tatimore.” .

Neni 2
Në nenin 20, pika 4, fjalët “pas bashkërendimit me DPD-in” hiqen.

Neni 3
Në nenin 22, pas pikës 3, shtohet pika 4 me këtë përmbajtje:

“4. Masat disiplinore që zbatohen për punonjësit e administratës tatimore që nuk gëzojnë atributet e nëpunësit civil, janë në përputhje me dispozitat e Kodit të Punës.”.

Neni 4

Në nenin 41, pas pikës 2, shtohet pika 3 me përmbajtjen:

“3.Gjithashtu, konsiderohet se ushtron veprimtari ekonomiko-tregtare pa u regjistruar, çdo tatimpagues, i cili konstatohet se kryen veprimtari në adresa të padeklaruara për të cilat nuk ka kryer përditësimin e të dhënave në përputhje me nenin 43 të ligjit.”.

Neni 5

Në nenin 46, shtohet pika 3 me përmbajtjen si më poshtë:

“3.Çdo blerësi person fizik, juridik ose individ, i lind e drejta të mos paguajë për vlerën e mallit ose shërbimit të marrë, nëse shitësi nuk lëshon faturën tatimore ose kuponin tatimor në përputhje me këtë ligj.
Për këtë qëllim, tatimpaguesi detyrohet të afishojë në një vend të dukshëm, në adresën ku kryen veprimtarinë, një njoftim për blerësin në përputhje me këtë nen.”.

Neni 6

Pas pikës 4 të nenit 54, shtohet pika 5 me përmbajtjen si më poshtë:
“5. Nga hyrja në fuqi e këtij ligji deri në datën 31.12.2015, për të gjithë tatimpaguesit që kryejnë shitje me shumicë të mallrave tek blerës jo ushtrues të një veprimtarie tregtare (individë), shitjet me kupon tatimor të lëshuar nga pajisja fiskale nuk duhet të tejkalojnë 10% të vlerës së tatueshme të mallrave të shitura gjatë një periudhe tatimore mujore, pa përfshirë TVSH. Nga data 1 janar 2016, për këtë kategori nuk lejohet shitja me kupon tatimor.”.

Neni 7

Pas nenit 54, shtohet neni 54/1 me përmbajtjen e mëposhtme:

“Neni 54/1
Krijimi i bazës së të dhënave të numrave IMEI të telefonave celularë

1. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve krijon bazën e të dhënave të numrave IMEI të telefonisë celulare, në të cilën regjistrohen të gjitha numrat IMEI- e të telefonave celularë në momentin e importimit dhe të gjitha IMEI të telefonave që shiten nga tatimpaguesit në tregun vendas, shitës me shumicë dhe shitës me pakicë, pa cënuar legjslacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale.

2. Baza e të dhënave të numrave IMEI aksesohet nga depozituesit e informacionit që janë importuesit, tatimpaguesit shitës me shumicë dhe tatimpaguesit shitës me pakicë vetëm për qëllime të popullimit të të dhënave në përputhjen me pikën 3 të këtij neni, si edhe nga inspektorët e administratës tatimore gjatë ushtrimit të kontrolleve. Inspektorëve ju ndalohet të aksesojnë të dhënat e bazës sipas këtij neni jashtë objektit të një çështjeje në hetim dhe çdo akses shoqërohet me mbajtjen e një procesverbali mbi qëllimin e aksesit dhe destinacionin e të dhënave të nxjerra.”.

3. Popullimi i Bazës së të Dhënave bëhet si më poshtë vijon:
a) Importuesit e telefonave celularë, në çastin e deklarimit dhe të pagesës së detyrimeve doganore pranë degëve doganore, duhet të deklarojnë edhe listën e numrave IMEI të aparateve të importuara, si dhe të ngarkojnë elektronikisht të gjithë informacionin e numrave IMEI respektivë në bazën e të dhënave ;
b) Individët, të cilët, në çastin e hyrjes në doganë, zotërojnë aparate celulare, që futen për herë të parë në Shqipëri, vlera e të cilave është mbi minimumin e patatueshëm, të vendosur në ligj, ndjekin të njëjtën procedurë si në shkronjën “a” të kësaj pike. Ngarkimi elektronikisht në bazën e të dhënave kryhet nga dega doganore;
c) Tatimpaguesit me shumicë dhe me pakicë, brenda 1 muaji nga hyrja në fuqi e këtij ligji, duhet të ngarkojnë numrat IMEI të telefonave celularë tek Baza e të Dhënave, të të gjithë telefonave celularë gjendje. Kjo praktikë duhet të ndiqet më pas për çdo telefon të ri që hedhin në treg.

Ministri i Financave përcakton me Udhëzim procedurat e krijimit dhe funksionimit të Bazës së të Dhënave.”.

Neni 8

Në nenin 55, pika 1, shtohet fjalia me këtë përmbajtje:

“ Ndalohet mbajtja apo përdorimi i pajisjeve fiskale të ndryshme nga ato të përcaktuara në këtë ligj apo aktet nënligjorë në zbatim të këtij ligji.”.

Neni 9

Në pikën 1, të nenit 76 të ligjit shtohet fjalia me përmbajtjen:

“Kamatëvonesa zbatohet edhe në rastet kur tatimpaguesi nuk paguan në afat këstet paraprake të tatimit mbi fitimin ose këstet paraprake të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin”.

Neni 10

Në nenin 80 “Kontrolli Tatimor”, pika 4 ndryshohet me këtë përmbajtje:

“4.Zgjedhja e tatimpaguesve, që kontrollohen, bëhet në bazë të analizës së vlerësimit të riskut, të kryer nga administrata tatimore, për të identifikuar tatimpaguesin, і cili ka më shumë rrezik për ta shkelur legjislacionin tatimor.
Në rast se tatimpaguesi ka të certifikuar pasqyrat financiare që dorëzon pranë Administratës tatimore brenda datës 31 mars të çdo viti, se janë në përputhje me legjislacionin fiskal, nga kompanitë “PriceëaterHouse”, “Deloitte”,” KPMG” dhe “Ernest &Young”, nuk kontrollohet për një vit të plotë fiskal. Modeli i certifikatës përcaktohet me Udhëzim të Ministrit të Financave.”.

Neni 11

Në pikën 2 të nenit 89 shtohet paragrafi me përmbajtjen si më poshtë:

“Gjithashtu në funksion të mbledhjes së detyrimit tatimor të papaguar të tatimpaguesit, administrata tatimore mund të angazhojë strukturat e saj për të verifikuar dhe monitoruar në vend aktivitetin tregtar të tatimpaguesit me qëllim konfiskimin në fund të çdo dite të një shume jo më pak se 50% të qarkullimit të realizuar, por jo më shumë se detyrimi tatimor për të cilin ka filluar procedura e mbledhjes me forcë të detyrimeve tatimore, për llogari të detyrimeve tatimore të pashlyera të tatimpaguesit.

Tatimpaguesi për të cilin administrata tatimore ka filluar mbledhjen me forcë të detyrimeve tatimore të papaguara, nuk mund të kryejë transferim të shumave të parave nga llogaria e tij, apo të shesë\transferojë aktivet ose kapitalet e shoqërisë, me përjashtim të rasteve kur nëpërmjet shitjes\transferimit të aktiveve synohet shlyerja në masën 100% e detyrimit tatimor të papaguar.”.

Neni 12
Në nenin 98, pika 1 ndryshon në përmbajtje si më poshtë:

“1.Administrata tatimore njëkohësisht me procedurat e tjera të përcaktuara në këtë kre, mund t’i kërkojë palës së tretë të kryejë pagesën e drejtpërdrejtë të çdo shume, që kjo palë i detyrohet tatimpaguesit, brenda 30 ditëve kalendarike nga data e dërgimit të njoftimit palës së tretë.”.

Neni 13
Në pikën 1, të nenit 114 të ligjit, shtohet fjalia me përmbajtjen:

“Gjobat sipas kësaj pike, llogariten gjithashtu edhe për mospagimin në afat të kësteve paraprake të tatimit mbi fitimin ose këstet paraprake të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin.”.

Neni 14
Në nenin 122 bëhen këto ndryshime:

1. Në pikën 1, gërma, “b” dhe “c” ndryshohen me këtë përmbajtje:

“1. Tatimpaguesi, person juridik ose fizik, tregtar, dënohet në rast se:

a) nuk lëshon kupon tatimor për të dokumentuar qarkullimin e realizuar të mallrave apo të shërbimeve:
i. Për çdo konstatim (verifikim) të kryer, me gjobë në masën 10,000,000 (dhjetë milon) lekë për tatimpaguesit e regjistruar si subjekte të tatimit mbi fitimin, rivlerësim tatimor i të gjithë mallrave gjendje dhe sekuestrim të mallrave gjende, dhe gjobë në masën 500 000 (pesëqind mijë) lekë për tatimpaguesit e tjerë, rivlerësim tatimor i të gjithë mallrave gjendje dhe sekuestrim të mallrave gjende,
ii. Për çdo konstatim (verifikim) tjetër pas verifikimit të parë, ku konstatohet se tatimpaguesi vazhdon të mos e lëshojë kuponin tatimor për të dokumentuar qarkullimin e realizuar të mallrave apo të shërbimeve sipas kërkesave të këtij ligji, si më sipër, konsiderohet evazion tatimor, sipas nenit 116, të ligjit, dhe administrata tatimore ushtron të drejtën e parashikuar në nenin 131, të këtij ligji, duke e kallëzuar penalisht tatimpaguesin.
c) lëshon një kupon tatimor/dëftesë tatimore/biletë me vlerë të parashtypur, që nuk përmban elementet e përcaktuara në këtë ligj dhe në aktet nënligjore, për kuponin tatimor/dëftesën tatimore/biletën me vlerë të parashtypur, me gjobë, në masën 60 000 (gjashtëdhjetë mijë) lekë.

2. Në pikën 1, pas shkronjës d), shtohet shkronja d/1) dhe pas me përmbajtjen:

“d.1. Nuk afishon në një vend të dukshëm në adresën ku kryen veprimtarinë, një poster që tregon të drejtën e blerësit për të mospaguar për mallrat dhe shërbimet e blera në zbatim të nenit 46 pika 3 të këtij ligji, me gjobë në masën 20 000 (njëzet mijë) lekë.”.

3. Në pikën 1, pas gërmës gj), shtohet gërma h) me këtë përmbajtje:

“h) mban apo përdor pajijse fiskale të cilat nuk janë në përputhje me këtë ligj apo aktet nënligjore në zbatim të tij, me gjobë, në masën 10,000,000 (dhjetë milon) lekë për tatimpaguesit e regjistruar si subjekte të tatimit mbi fitimin, rivlerësim tatimor i të gjithë mallrave gjendje dhe sekuestrim të mallrave gjendje, dhe gjobë në masën 500 000 (pesëqind mijë) lekë për tatimpaguesit e tjerë, rivlerësim tatimor i të gjithë mallrave gjendje dhe sekuestrim të mallrave gjendje.”.

Neni 15

Neni 124 ndryshohet në titull “Kundravajtjet në lëshimin e faturave tatimore dhe dokumentimin e transaksioneve”.

Neni 16

Në nenin 124 pas paragrafit të parë shtohet paragrafi i dytë me përmbajtje si më poshtë:

“Në rast konstatimi të mospërmbushjes së detyrimit sipas nenit 54, pika 5 të këtij ligji, tatimpaguesi dënohet me një gjobë në masën 100% të vlerës së TVSh-së që i përket vlerës së shitjeve që tejkalojnë kufirin e lejuar për shitjet me kupon tatimor siç përcaktohet në nenin 54, pika 5 të këtij ligji.”.

Neni 17

Pas nenit 128/1, shtohet neni 128/2 dhe neni 128/3 me përmbajtjet si më poshtë.

“Neni 128/2
Dënimet për mosngarkim ose ngarkim të pasaktë të numrave IMEI tek Baza e të Dhënave

Çdo tatimpagues që nuk ngarkon të dhënat e numrave IMEI të telefonave celularë ose ngarkon informacion të pasaktë dënohet me një gjobë prej 30 mijë lekë për çdo mosngarkim/ngarkim jo të saktë.”.

“Neni 128/3
Dënimet certifikimin e pasqyrave financiare
Në rast se nga kontrolli i administratës tatimore tek tatimpaguesit, pasqyrat financiare të të cilëve janë çertifikuar se janë në përputhje me legjislacionin fiskal nga kompanitë “PriceëaterHouse”, “Deloitte”,” KPMG” dhe “Ernest &Young”, masa e detyrimit tatimor i ngarkohet e plotë ,si tatimpaguesit ashtu edhe kompanisë certifikuese.”.

Neni 18

Ne nenin 131, pas pikës 2, shtohet pika 3 me përmbajtjen si vijon:

“3. Përjashtimisht, për tatimpaguesit të cilët me vullnetin e tyre deklarojnë dhe për pasojë korrigjojnë një deklaratë tatimore të plotësuar qëllimisht gabim, në kushtet e nenit 116 të ligjit, pavarësisht periudhës tatimore që i përket kjo deklaratë, si dhe paguajnë menjëherë detyrimin tatimor përkatës, administata tatimore në përputhje me këtë nen, nuk do të bëjë kallëzim penal.

Tatimpaguesit nuk përfitojnë nga kjo dispozitë, nëse shkelja sipas paragrafit të mësipërm është konstatuar paraprakisht nga administrata tatimore.”.

Neni 19
Pas nenit 133 shtohet neni 133/1.

“ Neni 133/1
“Rregullime mbi deklarimet tatimore si pasojë e sistemit të ri të IT”
“Tatimpaguesve të cilët me implementimin e sistemit të ri të IT, edhe pse nuk kanë patur përgjegjësinë tatimore për një tatim apo taksë të caktuar, janë ngarkuar padrejtësisht me këtë përgjegjësi dhe për pasojë janë evidentuar si debitor pranë administratës tatimore, deri në datën 31.08.2015 u shfuqizohen gjobat interesat e përllogaritura.”.

 

Monitor

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura