GJKKO i dha pafajësi për aferën e inceneratorit të Elbasanit, SPAK ankimon: Burg Alqi Bllakos!

Apr 24, 2024 | 7:51
SHPËRNDAJE

NIKOLETA KOVAÇI/ Ashtu siç edhe ka qenë bërë me dije më herët, SPAK nuk është pajtuar me vendimin e Gjykatës së Posaçme në lidhje me të pandehurit e aferës miliona euroshe të inceneratorit.

alqi_bllako

Prokuroria ka dorëzuar ankimimin në Gjykatën e Apelit, ku i referohet kthimit të masës së dënimit që kanë kërkuar në pretencë për Alqi Bllakon, ish-deputetin, që u akuzua se kishte përfituar nga djegësi në kohën kur kishte qenë vartës i Lefter Kokës.

Po ashtu, në ankimimin e SPAK bëhet me dije se zë vend edhe një papajtueshmëri për rënien e një akuzë për Lefter Kokën, ish-ministrin e Mjedisit, i cili është në qeli për të dy inceneratorët, atë të Elbasanit dhe të Fierit.

Hetimi intensiv i kryer nga prokurorët e çështjes së një ndër skandaleve më të mëdha korruptive në vend gjeti të përfshirë zyrtarët e lartë në afera të shumta, por Gjykata e Posaçme, në shkallën e parë të këtij gjykimi vendosi që Bllako të fitonte pafajësi për rastin e Elbasanit, ndonëse ai mbahej dhe mbahet ende në qeli për shkak të rastit tjetër të aferës, atë të Fierit! Në pretencën e dhënë vitin e kaluar, SPAK kërkoi dënimin e dy ish-zyrtarëve të lartë përkatësisht 10 vjet për Kokën e 4 vjet për Bllakon.

KËRKESA

Në ankmimin e bërë, Prokuroria e Posaçme kundërshton pafajësinë e Alqi Bllakos për inceneratorin e Elbasanit dhe rënien e akuzës së “shpërdorimit të detyrës” për ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka teksa ky i fundit u dënua vetëm për korrupsion. SPAK kërkon në Apelin e Posaçëm dënimin e Bllakos dhe Kokës njësoj siç është kërkuar në pretencën e organit hetues, përkatësisht 10 vite për Kokën e 4 vite për Bllakon. Por ky i fundit vijoi të qëndrojë në qeli për shkak të dënimit të tij për inceneratorin e Fierit me 2.8 vite burg. Gjithashtu ndaj tij vijon të jetë në fuqi një tjetër masë sigurie arresti në burg për inceneratorin e Tiranës.

Në 5 tetor të 2023, GJKKO dënoi në total me 33 vite burg të pandehurit, përkatësisht me 5.8 ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka për korrupsion e shpërdorim detyre. Atij iu konfiskuan një pjesë e aksioneve në kantinën e pijeve në Durrës, në vlerën e korrupsionit të kryer, 3.7 milionë euro. Biznesmeni Klodian Zoto, u dënua me 10 vite burg, duke përfituar zbritje në 6.8 vjet për shkak të gjykimit të shkurtuar. Të njëjtën masë dënimi gjykata dha edhe ndaj biznesmenit tjetër Mirel Mertiti. Ndërkohë Stela Gugallja, administratore në inceneratorin e Elbasanit, u dënua me 7 vjet heqje lirie, por me gjykim të shkurtuar përfitoi zbritjen në 4.8 vjet.

Me 4 vjet burg u dënua Pëllumb Abeshi, ish-kryetar i Komisionit të Shpronësimit, por me gjykim të shkurtuar do të vuaj 2.8 vjet, ndërsa për anëtarin e komisionit Bardhyl Cabiri, GJKKO dha 2 vjet burg. Për anëtaren Jonida Zeqo 4 vjet, por nga gjykim i shkurtuar i zbriti në 2.8 vjet burg. 1.4 vite u dënua ishanëtari tjetër i komisionit, Serafin Papa, teksa i shuhet masa e sigurisë “arrest në shtëpi”, pasi ka përfunduar koha e dënimit gjatë qëndrimit në burg.

Ndërkohë që janë dhënë vendimet për 9 prej të akuzuarve dhe të hetuarve, tre protagonistët e kësaj afere vijojnë të jenë në kërkim dhe SPAK dhe Policia e Shtetit ende nuk i kanë gjetur. Ata vijojnë arartinë, ndërkohë që flasin edhe në media, duke treguar se janë të pafajshëm, por që ende nuk janë gjendur të vihen në pranga.

MASAT E DËNIMIT

Lefter Koka 8.6 vite me gjykim të shkurtuar, 5.8
Klodian Zoto 10 vite burg, gjykim i shkurtuar 6.8
Mirel Mertiti 10 me vite, gjykim i shkurtuar 6.8
Stela Gugallja 7 vite, gjykim i shkurtuar 4.8
Alqi Bllako shpallet i pafajshëm
Pëllumb Abeshi 4 vjet, gjykim i shkurtuar 2.8
Bardhyl Cabiri 2 vjet
Jonida Zeqo 4 vjet, gjykim i shkurtuar 2.8
Serafin Papa 1.4 burg

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura