Alma Arrazi, pasi piu kafe me kunatën, mori dy vajzat e djalin dhe u hodh nga ura e Bunës! Kërkimet për gjetjen e trupave kanë vazhduar edhe gjatë natës

May 6, 2024 | 8:24
SHPËRNDAJE

NIKOLETA KOVAÇI/ Mbrëmjen e 3 majit, Ergys Arrazi ka shkuar në policinë e Shkodrës dhe ka dëshmuar që ka humbur kontaktet me bashkëshorten e tij, Almën.

alma-arrazi-dhe-ergys-arrazi

Ai i ka thënë policisë se gruaja ka marrë tre fëmijët e tyre dhe është larguar nga banesa dhe se nuk ka asnjë informacion për ta se nga mund të kenë shkuar. Policia nuk dihet ende se çfarë veprimi ka ndërmarrë, por ka qenë një informacion i shkuar te motra e gruas së zhdukur, e cila ka mbërritur në komisariatin e Shkodrës duke fajësuar për zhdukjen pa gjurmë të motrës dhe të fëmijëve të saj pikërisht Ergys Arrazin. Përgjatë së shtunës, pra datës 4 maj, nuk është bërë e mundur të jepet asnjë detaj se çfarë kërkimesh ka ndërmarrë policia e njëherësh njerëzit e afërt të së zhdukurës, ndërkohë që ngjarja e rëndë u raportua vetëm mëngjesin e djeshëm.

Madje diku rreth orës 08:00, kur u tha se një peshkatar i zonës ka dalë në ujërat e Bunës dhe ka konstatuar trupin e pajetë të një fëmije, vajzë. Ai ka lajmëruar policinë dhe më pas zbulohet edhe ajo që tronditi mbarë Shkodrën dhe opinionin publik: gruaja e zhdukur bashkë me tre fëmijët e saj, dyshohet se është vetëflijuar në ujërat e Bunës!

Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes është marrë trupi i vogëlushes, 9 vjeçe, vajza e madhe e familjes Arrazi, është dërguar në morg dhe pas kryerjes së autopsisë është mësuar se vajza nuk kishte shenja dhune. Policia ka shkuar menjëherë në banesën e Ergys Arrazit, një emri jo të panjohur për ta dhe krejt strukturat e hetimit dhe të gjurmimit të krimit, në Shkodër e përtej, dhe i kanë komunikuar faktin se është gjendur trupi i pajetë i së bijës në brigjet e Bunës.

Ergysi ka reaguar ftohtë në momentin që i është treguar për të bijën, ndërkohë që policia i ka vënë prangat duke e akuzuar për dhunë në familje dhe shtyrje në vetëflijim. Ai ka mohuar edhe në momentin e prangosjes, por edhe në polici të ketë ushtruar dhunë. Ka pranuar se ka pasur konflikte me bashkëshorten, por ka mohuar në mënyrë kategorike të ketë ushtruar dhunë ndaj fëmijëve. Mirëpo në polici ishte lënë më herët dëshmia e kunatës së tij, motrës së Almës, e cila sapo është njoftuar për zhdukjen e të motrës me tre fëmijët, ajo ka fajësuar kunatin e saj.

NGJARJA

Policia e Shkodrës ka bërë me dije se dhuna në familje është bërë shkak që nëna me 3 fëmijët t’i japë fund jetës, pasi dyshohet se janë vetëmbytur në lumin Bunë pranë Darragjatit. Orëve të vona të  majit është gjetur trupi i vajzës 9-vjeçare, ndërsa e zhdukur rezulton edhe nëna Alma Arrazi bashkë me dy fëmijët e tjerë, një vajzë 8 vjeç dhe një djalë 3 vjeç.

Në pranga është vënë babai Ergys Arrazi, një ish-i dënuar për kultivim të bimëve narkotike. Motra e gruas me tre fëmijë ka thënë në polici se Alma Arrazi dhunohej barbarisht nga burri. Ka qenë vetë 31-vjeçari Ergys Arrazi, i cili ka denoncuar në polici më datë 3 maj se gruaja dhe 3 fëmijët janë larguar nga banesa, por pa dhënë detaje të tjera.

Në denoncimin e tij, Arrazi ka deklaruar se gruaja është larguar që prej datës 2 maj. Kërkimet kanë nisur menjëherë pas kallëzimit të bashkëshortit, ku mbrëmjen e djeshme, 4 maj, u gjet nga peshkatarët vajza 9-vjeçare. Sipas policisë, të miturës nuk i janë konstatuar shenja dhune.

“Gjatë kontrolleve, rreth orës 22:00 të datës 04.05.2024, në ujërat e lumit Buna, në fshatin Darragjat, u gjet trupi i pajetë i vajzës 9- vjeçare të shtetasve Ergys Arrazi dhe Alma Arrazi, e cila dyshohet se është vetëmbytur si pasojë e dhunës nga babai i saj”, njofton policia.

Kurse Alma Arrazi 39 vjeçe, me vajzën tjetër 8 vjeçe dhe djalin e vogël 3 vjeç nuk janë gjetur akoma. Palombarët e RENEAs po kërkojnë trupat e tyre nga Buna deri në Velipojë, në grykëderdhjen fundore, pasi dyshojnë se edhe ata mund të jenë vetëmbytur. Nga dëshmitë e para, mësohet se gruaja me të vegjlit, ditën që është zhdukur, kishte pirë kafe me kunatën, nusen e vëllait të Ergysit, por janë ndarë, pa ngritur asnjë dyshim për vendimin fatal. Dyshohet se ajo ka mbajtur fort fëmijët për dore, dhe është hedhur bashkë me ta nga Ura e Bunës. Kur ka mësuar për gjetjen e trupit të pajetë të së bijës, Ergys Arrazi ka qenë i ftohtë dhe pa asnjë reagim dhe ka mohuar dhunën e ushtruar ndaj fëmijëve dhe gruas.

“Nuk e kam dhunuar familjen, nuk e di se ku ndodhen gruaja me fëmijët”

Shtetasi Ergys Arrazi ka dhënë deklaratën e tij në policinë vendore të Shkodrës teksa është ndaluar për dhunë në familje dhe shkaktim i vetëvrasjes të bashkëshortes së tij Alma Arrazi dhe tre fëmijëve të cilët dyshohet se janë vetëmbytur në ujërat e lumit Buna. 31-vjeçari Arrazi nuk e ka pranuar se ka dhunuar bashkëshorten e tij apo fëmijët. I ndaluari i ka qëndruar deklaratës së tij të tre ditëve më parë duke thënë se ka humbur kontaktet me bashkëshorten dhe fëmijët pa pasur idenë se ku ndodheshin. Arrazi është shprehur se ka pasur një marrëdhënie normale me bashkëshorten dhe fëmijët duke thënë se nuk e kam idenë përse bashkëshortja ka ndërmarrë këtë veprim.

Në momentin kur i është komunikuar se njëra prej vajzave është gjetur e pajetë ka qëndruar i ftohtë duke mos bërë asnjë reagim. Arrazi nuk ka pranuar asnjë prej dy veprave penale që rëndojnë mbi të “dhunë në familje” dhe “shkaktim i vetëvrasjes” duke deklaruar se nuk është ai shkaktari i kësaj ngjarje të rëndë. Po ashtu dyshohet se motra e viktimës me datën 2 maj është takuar duke konsumuar një kafe me Erdgys Arrazin dhe kanë zhvilluar një bisedë, e cila dyshohet se lidhet me problemet e fundit të ndodhura në familjen Arrazi. Motra e viktimës ka deklaruar pas ngjarjes së kunati i saj ka ushtruar dhunë në familje psikologjike dhe fizike gjë e cila sipas saj ka detyruar të motrën të ndërmarrë veprimin e rëndë.

Gjithashtu policia ka dyshime se prej pak kohësh shtetasi Erdgys Arrazi është parë në shoqërinë e një vajze tjetër gjë e cila dyshohet se ka shtuar konfliktet në familje. Policia është duke verifikuar çdo dëshmi të mundshme dhe informacione bashkë me prokurorinë për të zbardhur të plotë këtë ngjarje të rëndë e cila shokoi opinionin publik.

Palombarët e RENEA-s nuk ndaluan kërkimet as natën

Prej mëngjesit të djeshëm, pas momentit që një peshkatar lajmëroi policinë se kishte gjetur trupin e një vajze të vogël në bregun e lumit Buna, palombarët e RENEA-s kanë nisur punën për gjetjen e tre trupave të tjerë. Ata kanë kërkuar përgjatë gjithë ditës dhe madje kanë vijuar kërkimet me mjete të specializuara edhe përgjatë orëve të natës për të bërë të mundur gjetjen e Alma Arrazit dhe dy të vegjëlve të saj, e cila dyshohet se iu mori jetën për shkak të probleme me bashkëshortin e saj dhe të atin e tre fëmijëve me të cilët u vetëmbyt në lumë.

Burime policore bëjnë më dijë se një pjese e mire e territorit është kontrolluar nga palombarët, por pa rezultat. Kërkimet nuk do të ndalen as gjatë natës. Drejtoria e Shkodrës ka angazhuar banoret e zonës, të cilët do të dalin më varkat e tyre në kërkim të trupave. Nga drejtoria do t’i vihet në dispozicion çdo mjet që do të bëjë më të lehtë kontrollin në lumin Buna. Kontrollet do të kryen përgsjatë gjithë vijës se Lumit nga Darragjati, ku u gjet e mitura, e deri në derdhje të lumit Buna, pra një pjesë e madhe e zonës së Obotit dhe Dajçit. Në lidhje me ngjarjen e rëndë ka pasur shumë reagime ditën e djeshme, ndërkohë që policia ka vënë në pranga Ergys Arrazin, duke e akuzuar për shtyrje në vetëflijim të gruas së tij dhe të tre fëmijëve të tyre.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura