Gjergj Pllumi-lahutari që viziton Koliqi

Aug 12, 2021 | 8:30
SHPËRNDAJE

FRANO KULLI

Frano-Kulli

Lulashi është i biri i Gjergj Pllumit, lahutarit, për të cilin ka shkruar gjerë e gjatë vetë Ernest Koliqi. Lahutar edhe ai. Unë Lulashin e kam njoftë rrëshqitazi, aty kah viti 1990; në dijen time të atëhershme, një malësor i përndjekur, i ofruar ndër të parët me lëvizjen kundër regjimit që ishte fashitë e po rrokullisej… Duke dashtë me i dhanë edhe ai “nji dorë” rrokullisjes. Si një ndihmesë në emër të përvuajtjes së gjatë. Të vetës dhe të familjes. Më pas, me ndërrimin e “portave” të pushtetit edhe Lulashit i kishte ardhë radha të zinte punë. Në njërën prej policíve të sapokrijuara, atë financiare, të cilat asokohe krijoheshin si emërtesa e struktura të reja njëra pas tjetrës. Aty punësoheshin me përparësi më të vuajturit e regjimit, rritur kampeve e burgjeve të regjimit, e që s’kishin pasë mundësi shkollimi e kualifikimi. Ky ishte edhe si kompensimi i parë i të burgosurve a i të përndjekurve prej policisë gjakësore të regjimit… Kështu edhe Lulashi, për të cilin vonë, shumë vonë, gati mbas tridhjetë vjetësh, e mësova se nuk ishte malësor i Malësisë së Madhe, po ishte dukagjinas. Prej Thethit. I biri i vetë Gjergj Pllumit (1901-1965)… I njohur e i famshëm qysh herët, në rini, të cilin vetë Ernest Koliqi, asokohe profesor i Albanologjisë, lektor i gjuhës shqipe në Romë… është posaçërisht i interesuar me e takue.

Në korrik 1937 vendova të shkoj fill e n’Theth e të takohem, doemos me Gjergj Pllumin. Më nevojitej nji bisedim i gjatë me té, shkaku i nji punimi mbi poezinë popullore shqiptare qi kishim n’ato ditë për doresh. Asokohe Koliqi doktoronte në Universitetin e Padovës me tezën “Epica popolare albanese” (“Epika popullore shqiptare”)

Lënda e bollshme që kishte hulumtuar e grumbulluar më parë At Benardin Palaj qe mbështetja themelore e tezës doktorale të Koliqit, e cila u vlerësua nga albanologë si Jokli, Lambertz etj. Po ja që i duhej edhe takimi me bardin Gjergj Pllumi, lahutarin me aq shumë zá. E që záni i kishte mbërrit deri në Shkodër, e qe “regjistruar” e zënë vend në memorien e interesin ditunor të shkrimtarit të shquar e profesorit universitar të Padovës e Romës, lektorit të gjuhës shqipe atje, Ernest Koliqit…

Mora për nji javë nji shpi në lagjen Gjeçaj të Thethit. Edhe çova e e thirra kangtarin. Po rrijshim buzë mbramjes në nji livadh, sipër shpisë tu pi duhan, cingare mbas cingarjet me disa thethjanë të xanun miq shpejt e shpejt edhe po shikjojshim perëndimin e diellit mbi maje të maleve edhe xhixhillimin e rrezeve të fundme mbi ujna të lugut; kur pashë qi po ngjitej kah na nji burrë shkurtalak. Malësorët, nësa fillojnë të lozin vendit për ta pritë, më thanë:

-Qe tek e ke Gjergj Pllumin…

Ky ishte takimi i parë i Koliqit me lahutarin, atë mbrëmje. Ndërsa të nesërmen… dal me Gjergj Pllumin nëpër livadhe. Janë orët e para të mëngjesit. Kjo bjeshkë e Thethit, e quejtun Bregu i Bubzës, qe dikur krejt e pyllzueme. Gjergji ma shpjegon kështu arsyen e emnit qi mban: kaq’ e shumë shtazë t’egra gjejshin strehë në të saqi nanat, për t’i trembun kalamajtë kur nuk rrijshin të qetë, u thoshin: pusho se po t’çoj n’Breg t’Madh tu Buba. I përshkruar prej atij vetë në “Gazeta shqiptare”, nr 275, 1938.

Fliste me nji gojëtari të çmeritshme, i përpikshëm në thanje, shumë i kjartë në shqiptime, shkruan Koliqi dhe vijon: Dinte të tregonte me nji mjeshtri t’persosun tue i rreshtue episodet me nji rendim të natyrshëm, tue përsërit dialogjet me dramacitet të gjallë, tue perskrue me hollësina vehtjet e ndryshme të tregimit. Kështu ai na tregoi jetën e trimnitë e Milloshit Obiliq. (Turqit, tha, e thërrasin Kopiliq). Fatosi i rapsodive sllave, mbas tregimit të tij ishte bir i nji murgeshe serbe e i nji dragoni shqiptar qi flutroi prej bjeshkëve t’Shqipnisë e drejt mbi rudinë ku ajo kulloste dhentë…

Mbresëlënës sa s’ka eksplorimi i studiuesit doktorant, sqimatar siç qe Koliqi i folkut të alpeve dhe i bardit më të shënuar të kohës, Gjergj Pllumi. Po më vonë gjërat rrjedhin ndryshe. Ndamas. Secili në rrjedhën e vet. Historia e Koliqit është e njohur. Shpesh e keqrrëfyer e më keq e interpretuar. Nuk i përmendet, bie fjala, gjurma mbresëlënëse dhe e papërsëritshme kurrë më në historinë e shtetit shqiptar, ajo gjurmë që ai la në arsimin kombëtar shqiptar, kur qe ministër i Arsimit. Kur ai hapi shkolla në “tokat e lirueme” në Kosovë e te shqiptarët në Mal të Zi e Maqedoni dhe dërgoi mbi dyqind mësues nga Shqipëria atje. Por thuhet e thuhet e thuhet se qe bashkëpunëtor i fashizmit, se qe kolaboracionist e tradhtar… Zi e më zi flitet e shkruhet ende. Njëlloj si në kohën e regjimit.

Porse edhe me Gjergj Pllumin, bardin popullor, me profil ku e ku më të ultë se i Koliqit, gjërat nuk shkuan fjollë e rrjedhshëm ashtu si në baladat nëpër tel të lahutës. Arti i tij u bë i cmirshëm për njerëzit e pushtetit, fama e tij bënte hije atje. Aq fort sa ia ngushtuan ecjen e ia “pakuan zërin”. E u vù si shumë e shumë të tjerë në ato kohë, në mundësinë e ngushtë për të përzgjedh burgun, dënimin apo… nga sytë këmbët, duke marrë me vetë rrugën e rrezikshme, pa kthim të arratisë. Si duket, ndjesia e lirisë e tërhoqi në rrugën e dytë; Gjergji, me një tubë burrash nga Dukagjini, shpojnë terrin e thejnë kufirin. E ikin. Duke lënë këndej gra e fëmijë e halle plot. Gratë e fëmijët ua tresin në kampin e vdekjes në Tepelenë. Ndër to edhe Lulashi nji vjetit…

Po ka edhe nji gojëdhanë që tregohet për Gjergj Pllumin në mërgim në Jugosllavi. Lahuta e kishte ndjekë pas gjithkund e ngado. Në nji koncert të madh folklorik në Beograd paska pas marrë pjesë vetë udhëheqësi i popujve të Federatës Jugosllave, Marshalli Tito. I paska ardhë radha me interpretue me lahutë Gjergj Pllumit. Marshalli qenka afeksionuar prej virtuozitetit të tij, aq sa Gjergjin e kanë përsëdytur në skenën madhështore. Me porosi të vetë Titos. Sugjestionuar prej virtuozitetit të tij.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura