Gaz

Feb 7, 2016 | 12:23
SHPËRNDAJE

Edmond-TupjaEDMOND TUPJA

Për çfarë gazi e kam sot fjalën? Sigurisht që nuk e kam për atë që “Fjalori i gjuhës shqipe” (Tiranë, 2006) e përkufizon si “gëzim, të qeshura të forta”; as për atë që ai e përkufizon si “shaka, tallje”, çka e gjejmë, ndër të tjera, te shprehja “të bëhesh gazi i botës”; as për atë që ai e përkufizon si “lëndë e gaztë që del nga stomaku a nga zorrët”. Jo, e kam fjalën për atë që fjalori i lartpërmendur e përkufizon me termat “trup si ajër a si avull, zakonisht pa ngjyrë e i padukshëm , […] që del…

nga nëntoka dhe përdoret për djegie, për ndriçim etj.”, përfshirë edhe gatimin e ngrohjen, të paktën në Shqipërinë tonë tmerrësisht demokratike, ku ky dimër po tregohet më i ashpër se ai i vitit të kaluar.

Por, siç e di fort mirë tashmë opinioni ynë publik, gazi, në kuptimin e fundit, është edhe burim aksidentesh të rënda, madje nganjëherë vdekjeprurëse. Kështu ndodhi, para disa ditësh, me një fëmijë që, mjerisht, u dogj dhe vdiq si pasojë e shpërthimit të një bombole me gaz. Një fëmijë vdiq, vdiq bashkë me ëndrrat dhe shpresat e tij, vdiq, kurse ne, ju, të shqetësuar lexues të rubrikës sime dhe, bashkë me ju, unë gjithashtu, ne jetojmë.

Ai vdiq, dhe ne jetojmë ende të tronditur nga kjo vdekje e llahtarshme, pastaj, pashmangë- sisht, jeta do të bëjë të sajën dhe ne, pak nga pak, të rrëmbyer nga rrjedha e saj e përditshme, do ta harrojmë atë. Atë, fëmijën e pafajshëm, për të cilin prindërit, me shumë gjasë, robtoheshin në punë, për të cilin ata, po me aq gjasë, ëndërronin një të ardhme më të mirë se të tyren, pa të cilin ata janë tejet fatkeqë, viktima edhe ata të një padrejtësie të pashoqe.

Sigurisht prindërit në fjalë, motra e vëllezërit e viktimës, nëse ka, janë e do të jenë përjetë të pangushëllueshëm, por ata, ashtu si edhe njerëzit e tjerë të ndjeshëm gjithashtu ndaj fatkeqësive e dhimbjes së të tjerëve, do të skandalizoheshin nga cinizmi i paparë i mendjeve të çoroditura të atyre që lebetiteshin, sidomos në rrjetet sociale, sepse po atë ditë kishte vdekur, jo në realitet, por në fiction, një nga personazhet kryesore të një- farë telenovele indiane tejet të ndjekur nga njëfarë publiku kulturalisht të kufizuar në Shqipëri!!!

Po, ka pasur njerëz (humanë apo humanoidë?) që vajtonin vdekjen e një personazhi imagjinar dhe, për këtë, ndiheshin të tronditur e fatkeqë, ndërkohë që ai fëmijë sapo kishte vdekur jo në fiction, por në realitet, përmes vuajtjesh me siguri të paimagjinueshme, por asnjë fjalë për atë!!!

Dikur, para tre-katër vjetësh, diçka cinike të ngjashme, por jo aq të tmerrshme sa ajo e para disa ditëve, më kishte zënë veshi në njërin prej emisioneve të mëngjesit te një radio në FM: Folësja tregonte me një dhembshuri e mallëngjim të dukshëm, sesi, në një akuarium gjigant të Australisë apo të SHBAsë, një peshkaqen mashkull kishte ndihmuar femrën e tij barsë që të sillte në jetë dy peshkaqenë, të cilët do t’i kishin ngordhur në bark, sikur babai i tyre të mos kishte ndërhyrë instinktivisht.

Të gjorët peshkaqenushë, ç’lumturi që arritën të lindnin të gjallë! Pastaj, ajo, folësja, tregoi sesi, në Moskë, një baba – ushtarak me profesion – kishte hedhur nga kati i tretë, – ha, ha, ha, qeshte ajo –, madje nga kati i tetë, – u vetëkorrigjua –, binjaket e tij të porsalinduara!

Dhe ndërkaq, pa reshtur së qeshuri, folësja shtoi se dy vogëlushet kishin shpëtuar, ha, ha, ha, për mrekulli, se në atë çast ato ndodheshin në spital, ha, ha, ha, por në gjendje të rëndë, ha, ha, ha, vazhdonte ajo të zgërdhihej pa pikë turpi. Ky cinizëm i pështirë nuk mbaj mend të ketë pasur asokohe ndonjë jehonë në rrjetet sociale, sepse, me shumë gjasë, kishte kaluar pa u vënë re.

Kurse, tani, pas tre a katër vjetësh, në rastin tragjik të fëmijës së lartpërmendur, cinizmi i amplifikuar nga rrjetet sociale vendosi një rekord të ri në shoqërinë tonë që, me sa duken bathët (me “a” apo me “y”?), po vazhdon të emancipohet së prapthi, duke e lënë veten të manipulohet mendërisht për të kaluar, si pa u ndier, nga përbuzja e “qytetëruar” në një cinizëm arrogant deri në neveri.

Në fund të fundit, le ta shtrojmë çështjen pa druajtje: Mos vallë morali është duke dhënë shpirt në Shqipërinë tonë tmerrësisht demokratike, ku cinizmi është bërë apo është duke u bërë jo vetëm i modës, por edhe vlerë e shtuar në gjir(iz)in e një shoqërie përherë e më tepër individualiste, që nuk e njeh më empatinë, që pluskon në sipërfaqe të problemeve të veta të mëdha, duke vrapuar pas parasë së fituar lehtë, pas shijeve perverse, pas iluzioneve për famë (politikë, sport, spektakël, biznes, drogë e seks), si edhe pas tundimeve gati të papërballueshme të një vizioni konsumerist tjetërsues, që synon topitjen e ndërgjegjeve dhe tharjen e shpirtrave?

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura