Gallatë koordinatash e kufijsh detarë

May 25, 2015 | 12:08
SHPËRNDAJE

MYSLIM PASHA

   Ditë më parë, “Top Show”, në një shfaqje të epërme me prelud muzikor, kish thirrur në një bisedë personazhe të burokracisë shtetërore, studiues të njohur, analistë, profesorë të universiteteve lidhur me atë që e quante ”beteja e ujit”.
 Gjithçka merrte shtysë nga ngjarje që kanë lidhje me marrëdhëniet me Greqinë, duke ngulmuar për të gjetur ndër shtresa se ku ka filluar ciflosja apo çarja e mundshme, midis tyre… më shumë se kërkimi i hidrokarbureve.
Dhe kësisoj u bashkuan në këta gjashtë vjet: Marrëveshja e detit e vitit 2009 dhe kërkimet për hidrokarbure në detin Jon.
Mirëpo, kufiri i ujërave joniane sapo i ndan…,  kur befas, edhe i çliron, duke i lënë në atë anarkinë e tyre “të midistë”, ende të pazgjidhur.
Sepse ky “kufi” është një sherr i përjetshëm, kështu që edhe drejtuesi i emisionit e quante me theksim (apo kjo ishte spontane !!!)  sikur një “betejë”  e cila  do të zgjonte tek shikuesi një përpirje,  duke çapëlyer sytë se si e qysh, po shkonin deri tash,  punët e Detit.
Populli e thotë bukur : ” Lum e det e pas përroi ! “ si një mallkim, kur këtu,  në këtë shtetin tonë mungojnë koordinatat e shtetit ligjor, mungon shteti real, ndaj Gallata del e shfaqet pa e kërkuar e pa e porositur.
Kanë kaluar gjashtë vjet, qysh atëherë, kur në mënyrë spontane mediumet shqiptare i dolën në pritë Marrëveshjes së Detit dhe e hodhën në erë, jo me tritol, as me çifte, por me busullën e orientimit të së drejtës shqiptare që, edhe pse deshën ”Ta zhysnin në det. Por nuk e mbytën, dot, në të vërtetë”
Se si ndodhi kjo, mbetet ende mister… por në atë zgrip të humbellës tek po binte, e ruajti të drejtën tonë një lloj shenjtërie, për të dalë tek urtia: ”Vajti haka tek i zoti”, sepse s’humbëm.
 Marrëveshja (që tashmë nuk ekziston) për qeverinë e këtij shtetit tonë, në vitin 2009, duhet konsideruar e kryer, si një realitet, çka nuk është iluzion. Kjo ia përbalt dhe ia kriminalizon fytyrën asaj qeverie dhe shtetit që tërhiqej nga antishteti i tradhtisë kombëtare. Se ne vetë ia kishim blatuar e ia kishim dhënë fqinjit Detin historik, se bëmë festë e hodhëm fishekzjarrë, ne të paudhët e racës, me përfaqësues, si: Berisha, Basha me një skuadër ushtarësh që s’dihet se të kujt ishin dhe për kë ishin veshur e luftonin, ç’identitet përfaqësonin. Ndërkaq, personazhet detprerës vijojnë të jenë “heronj” politikë sot e kësaj dite. Ja, kjo është vula dhe firma, e shtetit vulëhumbur.
 Pas gjashtë vjetësh të skandalit më të madh  për tërësinë e Dheut dhe të Detit tonë, s’kemi parë askund të organizohet ndonjë workshop, seminar, konferencë nga universitetet, nga institutet e shtetit për të hulumtuar se ç’ndodhi, ç’doli në pah, ç’shkaqe ishin, në ç’nivel funksionon “ky shtet”, për të marrë masa që në të nesërmen, t’i kemi projektet të gatshme, të saktësuara në përputhje me dinjitetin studimor të shtetit.
 Që të mos na dalë sërish ndonjë “Robin Hud” për t’i bërë atentat “kufirit” në Det, që nuk ndahet dot, duke bërë (qoftëlarg!) një përsëritje, si ajo e vitit 2009. 
Në debat pamë Gallatë, se… ende nuk e kemi të qartë që ka apo nuk ka kufij detarë, midis Greqisë dhe Shqipërisë, sipas Konventës së Montego BaY.
Gallatë se nuk e kemi të qartë atë ndarje të njohur të detit territorial dhe të hapësirave ekonomike ekskluzive.
Gallatë se nuk i kemi të qarta rrethanat gjeografike të viseve tona të dheut Kontinental dhe lidhjen e tyre të natyrshme, me detin  Jon.
Gallatë se nuk e kemi të qartë që jemi të pabarabartë me fqinjin jugor nga rrethanat ndarëse, midis të dy shteteve, ndaj është i papranueshëm përdorimi vetëm i metodës së baraslargësisë…
Gallatë se u fol për “zona të kontestueshme” dhe ca “ide iluzive”, se ku hamendësohet se kalon kufiri…
Gallatë se nuk e kemi të qartë se ku ndodhemi dhe ku lundrojmë në këtë kohën e sotme të pozicionimit global, nëse jemi në kahjen lindore apo perëndimore të asaj vijës së imagjinuar… ku kapen peshkarexhat tona…
Ndërkaq, Gallatës i ngelet pështyma në grykë se “shteti” shprehet që ”nuk themi dot se s’kemi kufij!”
Ndërkaq, Gallatës i avitet tymnajë te syri, kur përfaqësuesi i shtetit nuk është në gjendje që të sjellë studimet më të fundit të institucioneve nëse ato funksionojnë apo jo, por kthen sytë nga mësimet që ka marrë nga profesorët!!!
Ndërkaq, Gallatës i ngelet buzëqeshja në buzë, tek thuhet se ”po na erdhën koordinatat nga Greqia, ne nuk dimë se ku t’i vendosim…”
Ndërkaq, Gallatës i vjen ngërçi tek dëgjon se “ka kufij hipotetikë” në ç’terma lundrohet vallë…
Ndërkaq, Gallatës i shpëton ç.ç. kur merr vesh se grupet e punës “kanë pasur mirëbesim me njëri-tjetrin” në atë ndarje kobzezë.
Gallata e koordinatave dhe orientimit na çon kësisoj në përfundimin se shteti i sotëm që po lëviz, po godet antishtetin në shumë drejtime, mirëpo ende nuk i është afruar edhe funksionimit real të institucioneve shtetërore për detyrat e tyre studimore për t’u ballafaquar me dinjitet në fushën e kërkimit të së drejtës ndërkombëtare detare.
Ministria e Jashtme, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Energjetikës, universitetet janë struktura, të cilat derivojnë më tej në radhë misione dhe detyra studimore, të cilat nuk po i bëjnë.
Ky debat pas gjashtë vjetësh e solli një ngjarje spontane telepamore, rutinore, dhe bëri mirë që na rikujtoi, tek vumë re se sa larg jemi nga qasja që duhet të kemi me funksionimin e hallkave shtetërore.
Për detin e pandarë dhe hidrokarburet pas shfaqjes bëhej pyetja dhe aty për aty jepej përgjigjja ”Ku ishim? Asgjëkund!” Situatë dëshpëruese tej mase. A dëgjon kush?
NË VEND TË EPILOGUT
Profesor Pëllumb Xhufi e kish mbajtur në fund një fishek, i cili bëri efekt e u tregoi atyre në panel dhe shikuesve gjithandej, se diku përballë Ksamilit, në mesdet, na është një shkëmb me dy emra: ”Pleshti” dhe “Barketa”, aq i vogël, sa një plesht, e mbulon batica, në tallje sipër. Aty e vunë kompasin ndarës, Palët Mirëbesuese (term i marrë nga thëniet në panel) dhe gjetën gjysmëhapësirën ndarëse. Këtu nuk është hapësirë ekonomike ekskluzive, por integritet territorial, njëlloj sikundër dheu i Ksamilit. Sy kemi…, po ama dritë nuk kemi!
 *Profesor në Universitetin Politeknik të Tiranës

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura