FOTOT/ Vuçiç shkel në tokën e Kosovës: Jam i lumtur që ndodhem këtu

Sep 8, 2018 | 15:42
SHPËRNDAJE

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka nisur zyrtarisht vizitën dyditore në veri të Kosovës. Pas orës 14:00, Vuçiç ka hyrë në Kosovë përmes pikës kufitare në Bërnjak që ndodhet në komunën veriore të Zubin Potokut. Aty ai është pritur nga përfaqësuesit politik të serbëve nga komunat veriore të cilët po e shoqërojnë gjatë vizitës.

“Jam i lumtur që jam këtu, ndihem mrekullueshëm”, tha Vuçiç, gjatë vizitës së tij në Qendrën për Ekologji dhe Zhvillim të Sportit dhe Qendrën e Kryqit të Kuq në Zubin Potok.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq te Qendra për Ekologjike sportive në Zubin Potok
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq te Qendra për Ekologjike sportive në Zubin Potok

Presidenti i Serbisë shoqërohet edhe nga Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç. Ky u fundit u arrestua në Mars në Mitrovicë, gjatë një tubimi, pasi kishin hyrë pa leje në territorin e Kosovës. Disa orë pas ndalimit, u deportua në Serbi. Ngjarje kjo që u pasua me deklarata armiqësore mes palëve.

Eskorta e Vuçiçit po sigurohet nga Policia e Kosovës.

Vizita e Vuçiçit ishte vënë në pikëpyetje për faktin se autoritetet e Kosovës, fillimisht i kishin lejuar atij vizitën në pjesën veriore, por jo edhe realizimin e agjendës për vizitë te Liqeni i Ujmanit (Gazivodës), raporton “REL”.

Mirëpo, siç kanë deklaruar zyrtarët në Qeverinë e Kosovës, vizita te Liqeni i Ujmanit ishte lejuar pas trysnisë së Bashkimit Evropian, ngaqë të premten, Vuçiç në shenjë proteste, kishte refuzuar ta takonte presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi në kuadër të dialogut politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

Liqeni i Ujmanit, nga Serbia dhe presidenti Vuçiç po cilësohen si burim dhe pasuri ekonomike serbe, çka kundërshtohet ashpër nga autoritetet në Prishtinë.

Të premten gjatë një adresimi opinionit në Serbi, Vuçiç tha se në përputhje me kërkesën e tij drejtuar EULEX-it, KFOR-it dhe autoriteteve të Prishtinës, ai do të shkojë në Kosovë dhe do ta fillojë vizitën pikërisht nga Ujmani (Gazivoda).

“Pres që gjithçka të kalojë mirë dhe pres që atje, në mënyrën më normale t’iu drejtohem njerëzve dhe t’u tregoj njerëzve se sa është i rëndësishëm Liqeni i Ujmanit, jo vetëm për serbët në veri dhe në jug, por edhe për shqiptarët në Kosovë, si dhe sa është e rëndësishme që të investojmë shumë më tepër para”, tha Vuçiç.

Vizitën e tij, Vuçiç e ka paralajmëruar se do ta vazhdojë gjatë ditës së shtunë në Zveçan, ndërkaq ditën e diel ai do të mbajë tubimin në Mitrovicë të Veriut. Ai tha se do të vjen në Kosovë me plane ekonomike konkrete, por edhe për t’ua thënë të vërtetën serbëve të Kosovës.

“Të dielën në orën 12 është tubimi në Mitrovicë, në të cilin unë i ftoj të gjithë njerëzit, të cilët dëshirojnë të dëgjojnë edhe atë që ndoshta nuk do t’iu pëlqejë në tërësi, por do ta dëgjojnë të vërtetën”.

Sipas tij, në disa ditët e fundit, situata ka qenë mjaft e tensionuar ndërmjet Prishtinës zyrtare dhe Beogradit zyrtar. Ai ka theksuar se gjatë kohës që do ta vizitojë Kosovën, pret që pala tjetër të japë porosi të arsyeshme, ndërkohë që edhe ai do të përpiqet që krejt çka do të flasë, të pranohet mirë me qëllim të ruajtjes së paqes, stabilitetit dhe përparimit në përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve.

“Për sa u përket shqiptarëve, Serbia dëshiron paqe, stabilitet, bashkëpunim dhe shpresoj që në vitet e ardhshme do të mund të vendosim edhe miqësinë me ta. Shpresoj, sepse gjithçka tjetër do të ishte katastrofale për të dy popujt”, theksoi Vuçiç.

Ai ka shprehur besimin që vizita e tij në Kosovë, do të kalojë pa probleme, sepse, siç ka thënë ai, nuk është as në interesin e shqiptarëve që të provojnë të bëjnë diçka të ngjashme që kanë bërë me shefin e Zyrës për Kosovën të Qeverisë së Serbisë, Marko Gjuriq. Ky i fundit, në mars të këtij viti, ishte arrestuar nga Policia e Kosovës, sepse kishte hyrë në territorin e Kosovës, siç ishte thënë, pa lejen e autoriteteve vendore dhe në mënyrë jolegale. Vuçiç ka shprehur bindjen se një gjë e tillë më nuk mund të ndodhë.

Mitrovica Veriore, një prej katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, tashmë është gati për të pritur presidentin serb. Rrugët dhe sheshet e atjeshme, janë përplot flamuj serb, fotografi të presidentit Vuçiç si dhe pankarta që i shprehin mirëseardhje atij.

Pjesa veriore e Kosovës e banuar nga shumica serbe, vazhdon të mbetet e ndikuar nga Beogradi, përkundër përpjekjeve disavjeçare të autoriteteve të Kosovës për integrimin e kësaj pjese.

Kjo vizitë e presidentit serb, po realizohet në kohën kur nga tavolina e bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel janë lansuar ide për ndryshimin e kufijve.

***

Axhenda/ Vuçiç viziton sot veriun e Kosovës. Ministri i Brendshëm serb bën kërcënimin e fortë

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç sot e nesër të qëndrojë për vizitë në Kosovë. Ai do të vizitojë edhe digën e Ujmanit, edhe pse fillimisht i ishte refuzuar leja për këtë.

vucic

Mirëpo, pas presionit ndaj autoriteteve kosovare nga Bashkimi Evropian, atij iu mundësua edhe realizimi i agjendës në këtë pjesë.

Vuçiq do të vijë në Kosovë në ora 14:00 përmes pikës kufitare në Bernjak, ku nga aty do të vazhdojë në Zubin Potok.

Nderkohe Ministri i Brendshëm serb, Nebojsha Stefanoviq ka paraprire cdo situate me ane te nje kercenimi. Ai tha se shërbimet serbe nuk do të rrinë duarkryq gjatë vizitës së Aleksandar Vuçiqit në Kosovë që të mund të garantojnë që atje “të mos paraqitet askush që të kryejë arrestimin e tij”.

“Nuk dua të tregoj publikisht se çfarë do të bëjmë, nuk do të rrimë duarkryq dhe atë që mund ta garantoj është se nuk do të paraqitet askush që mund ta arrestojë Vuçiqin. Këtë lirisht menjëherë munden ta harrojnë”, tha ai.

AXHENDA

Në ora 15:00 do të qëndrojë në Gazivodë.

Në ora 15:40 në Leshak.

Në ora 17:00 do të qëndrojë në Shkollën e Bujqësisë në Leshak.

Në ora 17:45 do të qëndrojë në Hallën e shporeteve në Leposaviq.

Në ora 19:00 arrin në Zveçan ku do ta kalojë natën.

Ditën e dytë të vizitës së tij në Kosovë, të dielën, Vuçiq, në ora 08:00 viziton Qendrën Shëndetësore në Mitrovicë.

Në ora 08:30 do të qëndrojë sërish në Zveçan.

Në ora 09:15 do ta vizitojë fshatin Banjë.

Në ora 11:15 do të qëndrojë sërish në Mitrovicë, dhe

Në ora 13:00 do të largohet nga Kosova përmes pikës kufitare në Jarinje.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura