FOTOT/ “Si e përjetova takimin e Nënë Terezës me At Zef Pllumin”

Aug 23, 2016 | 10:00
SHPËRNDAJE

Ai e njeh Shqipërinë në dy kohë, para dhe pas rënies së komunizmit. Fotografi francez, Michel Setboun, ka fotografuar vendin tonë në vitet ’70, kur feja sapo ishte ndaluar dhe objektet fetare u kthyen në stalla ose stadiume sporti. E fotografoi sërish, kur nisi të hapet. Setboun ka fiksuar edhe momentin historik të ardhjes së Nënë Terezës në Shqipëri dhe takimin me At Zef Pllumin. Si e kujton ai…?

Michel Setboun
Michel Setboun

Fotografitë janë historia e një vendi, tjetërsimi i një njeriu, i një qyteti; zbardhja e një gënjeshtre. Me gjithë retushimet që mund t’i bëhen o t’i jenë bërë në kohë të ndryshme (i referohemi historisë së fotografive të Enver Hoxhës) gjendet gjithmonë dikush, në mos fotografi, një tjetër, që do të të thotë të vërtetën e që do të ta vërtetojë përmes filmit që ka ruajtur. Ngjarjet e Shqipërisë në komunizëm, vjedhjet, plaçkitjet o sajesat, janë nga më të ndryshme. Fotografitë e asaj kohe, të ndryshme nga ato që vetë krerët kanë dashur të paraqesin, janë të pakta.

Si në shumicën e rasteve, edhe këtë herë, do ta njohim veten prej të huajve. Pak ditë më parë, në Derviçan të Gjirokastrës erdhi fotografi francez, Michel Setboun, për të qenë i pranishëm në ekspozitën me fotografitë e tij, “Kronikë në Dropull”. Në fakt, jo se Gjirokastra me gjithë rrethinat e saj kanë qenë të vetmet në të cilat ka ndalur e ka fiksuar pamjet francezi i famshëm. Në kohë të ndryshme, përpara viteve ’90, Setboun ka ardhur në Shqipëri e ka shëtitur rreth e përqark saj, për të ruajtur kështu dëshmitë që nuk mund t’i tjetërsonte pushteti i kohës.

Fotografi të realizuara nga Michel Setboun në vitin 1991, ku të burgosurit sapo ishin liruar, një prej tyre, At Zef Pllumi, ndërsa Nënë Tereza vizitonte Shqipërinë për herë të parë.
Fotografi të realizuara nga Michel Setboun në vitin 1991, ku të burgosurit sapo ishin liruar, një prej tyre, At Zef Pllumi, ndërsa Nënë Tereza vizitonte Shqipërinë për herë të parë.

Michel Setboun është fotograf mjaft i njohur dhe jo vetëm në Francë, por në të gjithë botën, duke qenë se ka punuar për revistat më të njohura ndërkombëtare, si “Geo”, “Figaro Magazine”, “New York Times”, “Life”, “Paris Match”, “Stern” etj. Francezi i lindur në Algjeri më 27 gusht 1952 e filloi karrierën si arkitekt dhe më pas i hyri fotografisë, fal së cilës nisi të punojë në vitin 1978, duke mbuluar konflikte ndërkombëtare për agjencinë SIPA, si Revolucionin në Iran, Luftën për Pavarësi në Angola, në Afganistan, Luftën Iran-Irak dhe më vonë, luftën civile në Liban.

Siç mund të merret me mend nga pjesëmarrjet e reporterëve në luftë, Setboun është plagosur në El Salvador gjatë luftës civile. Nga viti 1983 deri më 1985, ai punoi për agjencinë e “Black Star France” në Indi, Afganistan dhe Suedi. Ndërsa në periudhën kohore 1985-1991 ai mbulon reportazhet për Korenë e Jugut, Shqipërinë, Mongolinë dhe Rion për agjencinë RAPHO. Ka qenë pikërisht ky segment kohor, gjatë të cilit fotografi ka vizituar disa herë Shqipërinë. Që nga viti 1991 punon si fotograf i pavarur. Ka udhëtuar në më shumë se 130 vende. Ka marrë çmimin e parë në “World Press” për reportazhin e tij për dy milionë refugjatët e dëbuar në Nigeri.

2

Setboun është gjithashtu autor i shumë librave. Vizitat e Setboun në Shqipëri dhe fotografitë e kohës Michel Setboun e ka vizituar disa herë Shqipërinë në fillim të viteve ’80 dhe pas rënies së komunizmit, duke nxjerrë një seri fotografish të jashtëzakonshme nga skaji më verior deri në skajin më jugor të Shqipërisë. Setboun është fotografi i huaj më i njohur që ka fiksuar me objektivin e vet realitetin shqiptar, sa asnjë fotograf tjetër i huaj, madje ka krijuar një galeri kaq të pasur fotosh nga Shqipëria në aspektin gjeografik, politik, social dhe fetar.

Setboun është ndër të paktët fotografë ndërkombëtarë i akredituar nga agjencitë fotografike ndërkombëtare si fotograf ekskluziv për Shqipërinë. Në fakt, ai nuk është thjesht fotograf, por fotoreporter me reportazhe analitike dhe fotografike të pafundme nga e gjithë bota. “Kam punuar në Shqipëri për kaq shumë vite gjatë dhe pas periudhës së komunizmit. Në vitet 1970, diktatura komuniste i shfuqizoi fetë tërë- sisht. Priftërinjtë e hoxhallarët u futën nëpër burgje. Vendet e kultit u kthyen në salla të shëmtuara sporti, kishte raste të tjera kur gjendja ishte edhe më e keqe, sepse u bënë thjesht magazina apo u shkatërruan. Kam udhëtuar nëpër Shqipëri, në vende të ndryshme të saj, nëpër fshatra e qytete, për vite të tëra, për të kërkuar dëshmitë e fundit të pranisë së fesë”, tregon Setboun.

3

Dëshmitarët e kohës e dinë mirë të vërtetën, prandaj edhe mbështesin fjalët e tij. Një prej tyre është edhe kryepeshkopi Anastas Janullatos, i cili ishte i pranishëm në çeljen e ekspozitës dhe vuri në dukje se përmes fotografive të Setboun, ka vënë re që gjatë rindërtimit të kishave, ishin zhdukur shumë objekte në mënyrë të paligjshme.

MOMENTI HISTORIK NË APARATIN E SETBOUN/ VIZITA E NËNË TEREZËS NË SHQIPËRI

Ende sot, 25 vite pas vizitës së Nënë Terezës në Shqipëri, dëshmitarë të kohës, ata që kanë pasur fatin ta takojnë, tregojnë qoftë edhe një fjalë që mund të kenë shkëmbyer me të. Michael Setboun ka qenë aty, qysh kur Nënë Tereza ka zbritur në aeroportin me emrin e saj, e deri më pas, kur ka bërë takime të ndryshme. Ndër të tjerë, kishte takuar edhe At Zef Pllumin, i cili sapo kishte dalë nga burgu.

“Në fillim të viteve 1990, njësoj si pjesa tjetër e ish-Bllokut Lindor, Shqipëria zbuloi demokracinë. Të burgosurit politikë u liruan, sidomos liderët fetarë. Më kujtohet shumë mirë At Zef Pllumbi, i cili edhe pasi kaloi 30 vite në burg, e kishte ruajtur të paprekur besimin e tij. E kam takuar pikërisht në momentet e para të lirisë. Në fillim të viteve ’90, masa popullore, besimtarët e parë, zunë vendin që nuk kishin harruar kurrë, pranë vendeve të shenjta. Qëllonte shpesh t’i gjenin të shkatërruara. Më kujtohen mirë masat e para që hynë në Kishën Ortodokse të Tiranës, e cila ishte transformuar në sallë sporti gjatë periudhës komuniste. Një ishi burgosur, aty për aty, u shndërrua në ‘papën’ e të tjerëve. Në një provincë të Dropullit, konkretisht në Derviçan, në Jug të Shqipërisë, minoriteti grek ishte veçanërisht i persekutuar nga regjimi komunist.

4

Gjatë periudhës së sundimit komunist unë kam vizituar mjaft fshatra të kësaj zone mjaft fetare dhe kam bërë shumë foto në mënyrë ilegale. Është pikërisht ky komunitet që më ka mirëpritur për 30 vite me radhë, e prandaj kthehem gjithnjë me dëshirë. Një tjetër moment i rëndësishëm për të cilin sot ndihem më krenar se kurrë, është moment i pritjes së Nënë Terezës në Tiranë. Gjithë çfarë thashë më lart, dhimbja për gjithë ç’kishte hequr ky popull, reflektohej më shumë se tek askush, në sytë e asaj nëne të urtë. Takimi i saj me At Zef Pllumin ishte një emocion më vete.

Kush më shumë se ai mund të tregonte sa padrejtësisht dhe çfarë kishte hequr në vitet e burgut, kush mund t’i tregonte më shumë për absurdin e Shqipërisë së atyre viteve… Është vërtet emocionuese të shoh sot njerëz që arrijnë të shquajnë veten në fotografitë e mia, edhe pse janë bërë shumë vite më parë. Të tjerë, më të rinj në moshë, zbulojnë historinë e vendit të tyre, të fshatit të tyre ku kanë lindur e janë rritur. Të tjerë akoma shohin atë që nuk kanë mundur të shohin në kohën që kanë qenë të burgosur.

Kjo ekspozitë u jep mundësi të gjitha kategorive të shohin diçka të re dhe nuk është kaq e lokalizuar, sepse rilindja e besimit shfaqet në fotografitë e mia edhe në Tiranë. Arkipeshkvi ortodoks erdhi enkas nga Tirana për këtë ceremoni, pikërisht sepse sheh këtu edhe historinë e tij. Pra, me gjithë sa thashë, kjo ndoshta nuk është ekspozita ime, por e juaja dhe ajo pas së cilës jam afeksionuar më shumë”.

5

HISTORIA NË FOTOGRAFITË E EKSPOZITËS

Të mos ishte për kuratorin Toni Maliqi dhe nismëtaren e kësaj ekspozite, Eleana Ziakou, me siguri që Michael Setboun nuk do të kishte ardhur në Shqipëri për të kujtuar përvojat e tij të shkuara e, ku i dihet, për të bërë fotografi të reja që do të shërbejnë si dokumente ca vite më pas. “Duke folur për kujtesën në ekspozitën në fjalë, bëhemi dëshmitarë të një ngjarjeje mjaft të veçantë: të hapjes së kishave, të rikthimit të një prej të drejtave më themeltare, siç është ajo e besimit në territorin e Shqipërisë paskomuniste. Shohim përmes gjurmëve fotografike egërsinë totalitariste me të cilën diktatura komuniste zgjodhi të veprojë mbi çështjen e besimit, kujtesës fetare, relacioneve kulturore/artistike, të cilat gjendeshin te thesaret e rralla spirituale që dispononin kishat dhe manastiret ortodokse të Shqipërisë.

6

Gërmadha kudo, ikona të izoluara shenjtorësh, që u kapërthyen rreth gurëve për t’i rezistuar dimrit të pafund të një periudhe të errët. Një pulë parakalon para nesh, pikërisht në çastin kur aparati fotografik përpiqet të regjistrojë hendekun e katastrofës. Shenjtorë të heshtur, me sy të çjerrë, të cilët bëhen dëshmitarë të një përdhosjeje mjerane. Shohim tek imazhet historike të Setboun besimtarë që kthehen sërish në kishat e prindërve/paraardhësve.

Vërejmë në sytë e tyre agoninë dhe respektin, pendesën dhe shpresën. Duke i studiuar më mirë, vë re se u përkasin kryesisht dy kategorive njerëzore: të moshuarve dhe fëmijëve. Me një gjuhë sharmante simbolike, fotografi na flet për brezin që e kishte brenda tij besimin, që rrojti paranojën fetare të regjimit komunist shqiptar dhe që arriti të mbijetojë paskëtaj. Kurse grupi i dytë janë fëmijët e vegjël, vazhdimësia e kësaj bote, shpresa për një të ardhme dritëpraruar. Kështu ecën njerëzimi, kështu na e rrëfen historinë edhe vetë Setboun”, tregon kuratori.

7

ANI JAUPAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura