FOTOT/ “Pallati ku kam shtëpinë është krisur, nuk jetohet më”, banori i Thumanës: Vajza e dajës, në gërmadha

Nov 28, 2019 | 17:05
SHPËRNDAJE

dashamir Boka- ThumanaETLEVA DELIA/ Një banor i Thumanës, që fatmirësisht i shpëtoi tërmetit bashkë me gruan dhe fëmijën, tregon se pallati ku ai jetonte tashmë është bërë i pabanueshëm, pasi ka pësuar çarje dhe krisje.

Dashamir Boka, gjatë një interviste për gazetën “Panorama”, tregon se ende nuk është inspektuar pallati i tij, por edhe kur të inspektohet, mendon se do veprohet si në tërmetin e 21 shtatorit. Sipas tij, kështu ndodhi edhe me 3 pallatet që u shembën, në njërin prej të cilëve jetonte daja i tij, që ende e ka vajzën 21-vjeçare nën gërmadha.

Boka tregon se të tria pallatet e shembura kishin pësuar krisje të rënda para dy muajsh, por banorët u lanë prapë aty. Banori i Thumanës tregon se si e përjetoi tërmetin dhe si nxitoi drejt pallatit të shembur, ku jetonte familja e dajës së tij, Haxhi Gabili. Ky i fundit, bashkë me gruan arriti të shpëtonte, ndërsa vajza e tyre, Adorina Gabili, vijon të kërkohet nën rrënoja.

Apartamenti i dajes se Dashamir Bokes0 Haxhi Gabilit
Apartamenti i dajes së Dashamir Bokës

Jeni banor i Thumanës?

Po, jetoj te ky pallati 3-katësh që nuk është shembur akoma.

Keni pësuar dëme nga tërmeti?

Fatmirësisht shpëtuam. Isha unë me gruan dhe fëmijën brenda. Por arritëm të dilnim. Pritëm sa pushoi lëkundja e madhe dhe pastaj dolëm jashtë. Dëmet materiale nuk po i llogarit më njeri.

Pallati ku banonit është dëmtuar?

Është krisur, është çarë. Për mendimin tim është i pabanueshëm. Unë nuk kam shumë që jetoj këtu, por nuk besoj se mund të jetoj më. Nuk jetohet më aty.

Ka ardhur njeri që ta verifikojë?

Momentalisht jo, por kjo është e kuptueshme, pasi tani për tani ka situata më emergjente se kjo. Ka njerëz ende nën rrënoja. Por edhe kur të vijë, do bëhet njësoj si me ata që u shembën dje.

Si u bë me ata?

Po ata ishin dëmtuar që kur ra tërmeti i parë, ai i 21 shtatorit. Ne e dinim se çfarë do të ndodhte nëse do binte një tërmet tjetër. Jo aq sa ky, që nuk bëhej fjalë, por edhe një shumë më i lehtë do t’i shembte ato pallate. Erdhën, bënë sikur i verifikuan dhe në fund njerëzit u futën brenda. Nuk duhet të ishin lejuar që të jetonin prapë aty. Dihej fati i tyre.

Jetonte ndonjë i afërm i juaji në ato pallate?

Po, jetonte daja im me familjen, aty në katin e katërt, ku duket ajo çanta(tregon me dorë drejt pallatit, ku tashmë ka ngelur vetëm muri i njërës dhomë dhe një çantë e zezë e varur).

Kush është daja juaj?

Haxhi Gabili. Është i mbijetuar. Ka arritur të shpëtojë ai dhe e shoqja. Por vajza e tyre ndodhet ende nën rrënoja. Adorina Gabili quhet, është 21 vjeçe. Dy fëmijët e tjerë nuk i kishte këtu, për fat të mirë.

Si arriti të dilte daja juaj nga pallati?

Kur dolëm të gjithë, siç ju thashë, nxitova drejt pallatit, sepse e kam afër dhe e pashë çfarë kishte ndodhur aty. Sapo i afrohem pallatit, pashë dajën që kishte dalë jashtë, as vetë nuk e dinte se si kishte arritur të dilte. Por më tha që të shoqen e kishin nisur të plagosur në spital, ndërsa vajzën nuk e dinte se ku e kishte. Më pas morëm vesh që Adorina kishte mbetur brenda.

Po tani ku do të jetoni?

Nuk e di as vete se ku do të jetojmë. Por një gjë është e sigurt, që te pallati ku jetoja, nuk mund të futem më. Ai mund të shembet nga një tërmet shumë më i lehtë se ky që ra.

PANORAMA

Dashamir Boka
Dashamir Boka

pallati i pabanueshem

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura