Flori Mumajesi çon në Gjykatë Juliana Pashën: Më cenoi nderin!

Apr 3, 2015 | 12:44
SHPËRNDAJE

Pasha e akuzoi se himni i Kombëtares “Kuq e Zi je ti” është kopje e këngës së saj. Flori: Kërkoj 1 milion lekë dëmshpërblim.

Në foto: Elvana Gjata dhe Flori Mumajesi në programin “Top show Mag”
Premiera e shumëpërfolur e këngës “Kuq e Zi je ti”, e kënduar nga Flori Mumajesi dhe Elvana Gjata, do të prezantohet nesër në ndeshjen Shqipëri-Armeni. Por publikimi i hminit të Kombëtares në youtube e media sociale nuk kaloi pa komente e kundërshti, siç ishte denoncimi i këngëtares Juliana Pasha. Në profilin e saj në Instagram u shpreh se Flori Mumajesi i ka vjedhur tekstin e këngës “Kuq e Zi”, që ajo e këndoi me tenorin Armando Kllogjeri, për herë të parë në festat e nëntorit në “Portokalli show”, po në “TCH”. Flori ka preferuar t’i bëjë një surprizë Julianës me një aktpadi, për t’u përballur me të në Gjykatën e Tiranës, nisur nga akuza e saj për “plagjiaturë”. Më datë 25 mars Flori ka depozituar pranë Gjykatës së Shkallës së Parë padinë ndaj Juliana Pashës dhe një gazetari, që ka shkruar lajmin. Në objektin e padisë, Flori ka kërkuar detyrimin e këngëtares Pasha që t’i shpërblejë atij dëmin jashtëkontraktor jopasuror, ndryshe quhet dëm moral, që ajo i ka shkaktuar në shumën 1.000.000 (një milion lekë). Kantautori e kërkon këtë dëmshpërblim si cenim nderi dhe personaliteti, që janë dëme të pësuara nga këngëtarja. Gjithashtu, me anë të këtij procesi që do të gjykohet nga Altin Shkurti, ai i ka kërkuar këngëtares në fjalë dhe gazetarit të përgënjeshtrojnë publikimin e të dhënave, që ai i cilëson “mashtruese”. Në profilin e saj në Instagram, Juliana Pasha shprehej: “Kopjacët në Shqipëri kanë filluar të kopjojnë edhe tekstet e këngëve së fundi, se nuk u mjafton që kopjojnë muzikë nga mëngjesi në darkë. Kompozitor Edmond Rrapi, teksti Lejdi Shqiponja”. Reagimin e saj ndaj kësaj padie këngëtarja ndoshta do ta japë pas kthimit nga Mali i Zi, ku ndodhet për një koncert.
Faksimile e padisë së Flori Mumajesit për Juliana Pashën

Flori: S‘e dija që ngjyrën e kuqe të flamurit e paska shpikur Juliana
Pa përmendur çështjen gjyqësore të hapur ndaj koleges së tij, Flori Mumajesi iu përgjigj me gjuhën e batutave Juliana Pashës, të premten në darkë, në emisionin “Top Show Mag”.”Nuk kam vjedhur asgjë, refreni u përket shqiptarëve”, tha ai në këtë dalje të parë në një bashkëpunim me Elvana Gjatën. Në panelin ku ishin të pranishëm dhe pjesa tjetër e “Threedots”, në “Top Show Mag”, Flori nuk hezitoi për t`u kthyer përgjigje lajmeve që qarkullojnë në Instagram, se refreni i këngës “Kuq e Zi je ti” është vjedhur nga kënga e Juliana Pashës.  “Nuk jam mërzitur fare nga komentet”, tha ai. “Ata përbëjnë 0.0001 % të të gjithë suksesit, që ka kënga në të gjithë botën dhe këtë e testoj përmes videove, që më vijnë që nga fëmijët 2-vjeçarë e deri në moshën e tretë. Nëse do të bënim një historik se si ka ardhur realizimi i refrenit, mund të hyni në youtube dhe do të dëgjoni Dritan Shakohoxhën, i cili ka thënë më mijëra herë përpara ndeshjes së Beogradit frazën: “Flamuri më i bukur në botë”. Edhe pse këtë deklaratë Flori e shoqëroi me batuta, gjithsesi ai nuk la pa përmendur edhe pjesën se ngjyrën e kuqe të flamurit nuk e ka shpikur Juliana. “Flamuri kuq e zi është i shqiptarëve dhe jo i Juliana Pashës”, ka përmbyllur citimin e tij kantautori i mirënjohur. Ai ka përfituar nga prezenca në “Top Show” për të sqaruar se kënga nuk është komerciale dhe ajo i referohet identitetit të shqiptarëve dhe jo qëllimeve të tjera. Këtij sqarimi i është bashkangjitur edhe drejtori i Digitalb, Alban Jaho, i cili ka pohuar se kënga nuk nxit asnjë dhunë dhe nuk ka asnjë element provokimi si droni apo Shqipëria etnike. “Ne nuk mund të shmangim background-in në të cilin u zhvillua ndeshja Shqipëri-Serbi dhe, përpos kësaj, ne bëmë një këngë për të gjithë shqiptarët dhe këta të fundit bëjnë të gjithë bashkë Shqipërinë e Madhe. “Atë që s`e thotë politika, e bën kënga”, u shpreh Jaho. Kënga “Kuq e Zi je ti” është një projekt i Digitalb në bashkëpunim me Flori Mumajesin dhe Elvana Gjatën, që do ta ketë premierën të dielën në ndeshjen Shqipëri-Armeni. Brenda një jave kënga ka arritur shifrën e 1.5 milionë klikimeve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura