Flasin banorët: Si jetonim ngjitur me vajzat e prostitucionit online

Apr 30, 2016 | 12:09
SHPËRNDAJE

Pas zbulimit të prostitucionit virtual të paligjshëm dhe hetimit nga policia, banorët në zonat ku ndodheshin studiot deklarojnë se janë habitur kur kanë mësuar se fare pranë tyre zhvillohej një aktivitet i paligjshëm dhe për më tepër me vajza që prostituonin online.

ShqetesimiBanorë të ndryshëm në një pallat pranë qytetit “Studenti” dhe në rrugën “Qemal Stafa”, shprehen për “Shekullin” se këto zona njihen si të qeta dhe nuk janë mësuar me ngjarje kriminale.

“Çdo ditë ne kemi hyrë dhe kemi dalë në pallat dhe kemi qëndruar dhe banojmë këtu, por nuk na ka shqetësuar njeri”, deklaron Pjetër Shtjefni.

Ai është banor i hershëm i pallatit pranë qytetit “Studenti” dhe thotë se asnjëherë nuk ka ndodhur ndonjë veprimtari e paligjshme në këtë ndërtesë. Punësimi i këtyre vajzave në pallatin ku ai banon është një “risi” edhe për të.

“Asnjëherë nuk kam dëgjuar dhe as kam shikuar ngjarje të tilla, madje as nuk e kisha menduar që mund të ndodhnin veprimtari të tilla, aq më shumë këtu ku unë jetoj”, thotë banori i pallatit.

Sipas tij, vajzat e ushtronin aktivitetin e tyre në mënyrë të fshehtë, saqë edhe pse banojnë afër me hyrjen që ato e kishin marrë me qira, nuk ishin vënë re nga banorët e tjerë.

Shtjefni gjithashtu thotë se në hyrjen ku ato kishin marrë me qira një banesë po bëheshin restaurime. Këtë e tregon dhe ambienti jashtë hyrjes, ku përreth kishte qese të mbushura me materiale ndërtimi të prishura.

Sipas banorit Shtjefni, ato ishin prej kohësh aty. Siç duket kjo mënyrë është përdorur nga qiramarrësit për të mos tërhequr vëmendjen e banorëve të pallatit për aktivitetin që ato ushtronin, dhe njëkohësisht ta përdornin si justifikim restaurimin.

Banorët ndjehen edhe mjaft të revoltuar që kjo ngjarje ka ndodhur në pallatin e tyre. “Po ta merrnim vesh më përpara që ato ushtronin atë aktivitet nuk prisnim policinë, por përdornim metoda të tjera për t’i nxjerrë prej aty, por nuk e kemi konstatuar më përpara që të flisnim apo të vepronim”, shprehen ata për “Shekullin”.

Habi ka shkaktuar zbulimi i bazave të prostitucionit online, ku angazhoheshin vajza të reja, edhe për banorët e një pallati në rrugën “Qemal Stafa”. “Banorët e pallatit ne nuk i njohim të gjithë, por ato që njohim janë njerëz të rregullt dhe nuk merren me veprimtari të tilla të paligjshme”, thotë një zonjë.

Ajo shprehet nuk kemi dëgjuar më përpara për punë të tilla. Në pallatin e saj ndodhen me qira edhe studentë, por ajo i përshkruan si persona të rregullt dhe që nuk përfshihen në veprimtari të tilla kriminale.

“Gjatë ditëve nuk na ka rënë gjë në sy, nuk jemi shqetësuar, përveç atë nate kur erdhi policia u shqetësuam”. Në periudhën e ushtrimit të aktivitetit vajzat nuk shqetësonin njeri dhe kjo gjë pohohet nga banorët.

Një studente, e cila jetonte një kat më lart studios ku vajza ushtronin aktivitetin e bllokuar tashmë nga policia, thotë që nuk është në dijeni të ngjarjes së ndodhur.

“Unë nuk e di se çfarë mund të ketë ndodhur. Përderisa nuk i kam parë dhe dëgjuar nuk më kanë bezdisur”, thotë studentja. Ushtrimi i aktivitetit të prostitucionit online të tyre zhvillohej në mënyrë të fshehtë dhe të mirëorganizuar për të evituar që edhe komshinjtë të kuptonin diçka.

Kjo pohohet pothuajse nga të gjithë banorët që nuk kanë dëgjuar zhurma të tilla në pallatin e tyre. Megjithatë banorët ndihen ende të shokuar kur kujtojnë se kanë qenë fare pranë një aktiviteti, për të cilin dinin pak ose aspak.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura