Fjalët e fundit të Elsiesë: Vdekja është e mërzitshme, vjen ngadalë

Oct 18, 2017 | 13:37
SHPËRNDAJE

“Vdekja është e mërzitshme. Vjen ngadalë e njeriu pret e pret…”. Këto janë disa nga fjalët e fundit në shtratin e vdekjes të albanologut, Robert Elsie, i cili mbërriti dje në Shqipëri, ndërsa sot do t’i bëhen nderet e fundit në Theth. Ashtu si kishte kërkuar, i veshur me kostum popullor të veriut dhe nën tingullin e lahutës, do të prehet në tokën, ku duket sikur njerëzit kanë bërë paqe me Zotin.

elsie3

Në ambientet e Bibliotekës Kombëtare u zhvilluan dje homazhet për nder të albanologut me origjinë kanadeze, mikut të shquar të shqiptarëve. Kolegë të tij, studiues nga Shqipëria e Kosova, erdhën t’i jepnin lamtumirën e fundit. Nuk munguan edhe politikanë, që nga kreu i shtetit Ilir Meta, kreu i opozitës Lulzim Basha, deputeti Sali Berisha, ministrja Mirela Kumbaro, etj.

Trupi i pajetë i Elsiesë u shoqërua nga Gjermania, ku ai ndërroi jetë, drejt Shqipërisë, nga partneri i tij Stephan Trierweiler, i cili ka organizuar udhëtimin dhe gjithë ceremonialin. I tronditur për humbjen e njeriut me të cilin ndau jetën për më shumë se 40 vjet, Trierweiler u shpreh se ishte ai që vendosi që Elsie të varrosej në Shqipëri, vendin që ai e donte aq shumë.

“Ai ka lënë një testament, i cili është shumë intim, por nuk la asgjë të shkruar për t’u varrosur në Shqipëri. Isha unë, i cili vendosa që ai të varroset këtu pasi e donte shumë këtë vend. Zgjodha Thethin si vendin më të dashur të albanologëve. Nuk iku me pengje. Nuk la pas vepra madhore të pabotuara. Deri në fund të jetës, arriti të përfundojë edhe dy vepra të tjera”. Trierweiler i qëndroi pranë derisa u shua dhe tregon se, “në shtratin e vdekjes, fjalët e fundit që ka thënë janë: vdekja qenka shumë e mërzitshme. Shumë e ngadaltë. Njeriu vetëm pret e pret”.

NJË ZË PËR SHQIPTARËT

Akademiku nga Kosova, Rexhep Ismajli, i ardhur për t’i bërë nderimet e fundit Robert Elsiesë, do të vlerë- sonte punën e shkëlqyer që albanologu ka bërë në njohjen e kulturës shqiptare, edhe më mirë se çdo institucion shtetëror shqiptar.

“Me Robertin kam pasur lidhje të ngushta. E njoh qysh se ka ardhur në Shqipëri. Ai ka qenë mik shtëpie. Do ta kujtoj si albanolog shumë të shkathët, shumë të informuar dhe si një dritare, si një zë për kulturën shqiptare, në një kohë kur zëri ynë nuk ishte shumë i pranishëm në hapë- sirat ku punonte ai. Ai erdhi ndër shqiptarë, në të gjitha hapësirat, ku ata jetojnë edhe në Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni, Greqi, Kalabri, me vullnetin e madh për t’i njohur sa më mirë shqiptarët dhe këtë njohje ta transmetonte kudo. Këtë ai e bënte në mënyrën më profesionale të mundshme dhe dalëngadalë u dashurua me këtë vend dhe mund të themi që ai ka qenë një nga miqtë më të mëdhenj të botës shqiptare. Në kohë shumë të vështira, ai përhapte kulturën shqiptare, më shumë se çdokush tjetër para tij. As institucionet tona nuk kanë bërë aq shumë. Ai ka qenë i pranishëm në qarqe shumë të larta europiane, ku vendoseshin fatet e shqiptarëve, qoftë me shërbimet e tij, ndërmjetësimin apo edhe shërbime teknike si përkthyes”, thotë Ismajli.

Ndërsa si studiues, ai thotë se puna e tij ka qenë shumë e gjerë.

“Puna e tij kryesore është realizimi i veprave enciklopedike, i dy fjalorëve për Shqipërinë dhe Kosovën, historinë e letërsisë, për herë të parë në një vizion tjetër, sepse në 25 vjet s’po bëjmë gjë dhe ka pasur një rol jashtëzakonisht të madh në përkthimin e autorëve shqiptarë në gjermanisht dhe anglisht. Sidomos përkthimet në anglisht janë shumë të mira. Shpesh i ka bërë me bashkautorësi, që tregon përgjegjësinë e tij.

Ka përkthyer vepra të dorës së parë si “Lahuta e Malcisë”, Azem Shkreli, që janë jo lehtë të përthyeshëm. Pra, në çdo aspekt ka kontribute”, tha akademiku kosovar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura