Festivali i 51-të: Këngëtarët “BIG” që u vlerësuan me zero pikë: Ja si u ndjemë

Dec 30, 2012 | 11:40
SHPËRNDAJE

Një garë me më shumë humbës, por ata që e kanë ndier më shumë kanë qenë artistët e njohur që janë vlerësuar nga juria me zero pikë. Kështu Vesa Luma me “S’jam perfekt” nuk fitoi asnjë pikë e ndau vendin e fundit me Selami Kolonjën dhe Valon Shehun, që po ashtu nuk morën pikë. Ndërkohë Flaka Krelani, që pretendonte kupën, u rendit e pesta  me këngën “Labirint i zemrës”,  po ashtu Adrian Bujupi me “I çmendur për ty” u rendit 1 11-ti. Le të shohim se çfarë thonë të zhgënjyerit e kësaj gare, që shpalli fitues dyshen Bledar Sejko dhe Adrian Lulgjuraj.

Vesa Luma rebelohet në paskuinta për pikët 0, Bigu fajëson jurinë
Me këngën “S’jam perfekt” duket se këngëtarja nga Kosova, Vesa Luma, priste shumë më shumë nga juria, por në fakt ajo nuk u mor fare në konsideratë. Tingëlloi vërtet e pabesueshme për vetë këngëtaren, e cila interpretoi “live” në skenë një këngë të Florent Boshnjakut, kompozitori që vitin e kaluar preku Eurovizionin me këngën “Suus” të Rona Nishliut. Këngëtarja, e cila kohën e fundit ëshët përfolur më së shumti për historinë e dashurisë me Big Bastën, konkurroi në këtë Festival me vargjet e këtij të fundit. Ndërkohë që juria për Vesën nuk  dha asnjë pikë, Vesa është parë të ngrihet e revoltuar duke u rebeluar në prani të kolegëve të saj. Pranë i ka qëndruar Bigu, i cili pas deklaratës së saj në media, se ndihej e zhgënjyer nga ky festival, ka shkruar dhe një status në Facebook, ku shprehet: “Ju falënderoj për suportin miq! Meritonte më shumë Vesa në festival, por me sa duket është vështirë. Epoka e vjetër akoma qenka në qarkullim! Hmmm! Po presim epokën e re dhe pozitiven nëse s’ju vjen keq…”, shprehet Bigu, duke iu referuar jurisë së Festivalit.

Selami Kolonja: Nuk mund ta vlerësonin këngën time doktorët e shkencave që s’marrin erë nga muzika
Pakënaqësinë për vlerësimin e jurisë e ka shprehur dhe Selami Kolonja, i cili merr pjesë në këtë garë për herë të gjashtë. Nuk kam dashur as të jem i tepërt, por as t’i mungoj kësaj feste që ndodh për çdo vit për 51 me radhë. Kam ardhur atëherë kur ka pasur për të dhënë diçka ose për të sjellë një mesazh te dëgjuesi. Lasgush Poradeci thoshte: “E keqja poezisë sonë i vjen nga profesorët e akademikët. Ndërsa unë do e vazhdoj, se e keqja kësaj feste i vjen nga doktorët e shkencave, që nuk kanë haber pse dhe çka duhet vlerësuar”. E si mund të futen njerëz të tillë e jo kompetentë për vite e dekada të tëra në atë ngjarje kulturore?! Nëse dikush do vlerësonte mendimin tim si jo profesional dhe egoist, vetëm le të kthejnë filmin në retrospektivë dhe le të shohin se për vite të tëra kësaj skene i mungojnë emrat, ata njerëz që s’ngjiten në skenë se këta doktorët, aktorët, modelët, interesaxhinjtë do i ndërshkojnë me 0 pikë ashtu siç më ndodhi dhe mua dy vite më parë dhe tani. Unë kur sjell këngën time në atë festival, e sjell për audiencë milionash”, ka theksuar ai.

Valon Shehu: Nuk i kam humbur shpresat, më shumë u mërzita që Marsela nuk preku finalen
“E respektoj mendimin e jurisë dhe mendoj se kanë vepruar drejt. Nuk jam i zhgënjyer, jo. Do marr pjesë dhe do jem shumë më i përgatitur në çdo aspekt në krahasim me ç’isha’’, thotë Valon Shehu, këngëtari kosovar i cili është njëri nga emrat që nuk kanë humbur shpresat nga ky event muzikorë. ‘’Planet e mia janë të vazhdoj me muzikën live, kam regjistruar për Vitin e Ri dhe shpresoj që mbas festave të bëj një këngë të re. Ëndrra ime është që këngët e mia të këndohen gjithandej, pse jo edhe në gjithë botën! Mendoj që juria ka bërë gabim që Marselën me kompozimin e Alban Males, që kishin një bashkëpunim, nuk e futën në finale’’, veçon më tej këngëtari Shehu.

BLERAND REXHEPI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura