Fenomeni “Xhufi” dhe rreziku i relativizimit të historisë

Apr 9, 2018 | 13:30
SHPËRNDAJE

godole

DR. JONILA GODOLE

Le ta themi që në fillim, dis kutimi aktual mbi kampin e Tepelenës nëse është apo një “Aushvic” shqiptar, nuk përbën më një debat historik, por një debat politik. Kur ky krim është përshkruar në sa e sa rrëfime e dëshmi të botuara nga të mbijetuarit e atij kampi, kur kemi dokumente, vizatime e skica, përse vazhdon të mohohet dhe të reduktohet nga disa historianë dhe ithtarët e tyre?

Në këtë debat, sfida e historianëve qëndron te prezantimi i fakteve dhe përgjegjësive të atyre që i kryen krimet, por dhe të atyre që mund t’i kishin parandaluar ato, nëse do të kishin zgjedhur të vepronin ndryshe. Ata nuk mund të fshihen pas “kontekstualizimit” të historisë apo shfajësimit “ashtu ishte koha”. Tepelena një “Aushvic” shqiptar apo jo, nuk ka shumë rëndësi sepse ky kamp do të mbetet një simbol për barbarinë e komunizmit shqiptar. 3380 persona të deportuar, nga të cilët 1163 fëmijë, 1254 gra dhe 973 burra të moshuar, që janë mbajtur të mbyllur në kushte çnjerëzore brenda një trualli të rrethuar me tela me gjemba, ku si pasojë e urisë, mungesës së higjienës dhe keqtrajtimeve vdiqën fëmijë, burra e gra. Ky është një fakt i njohur, ndërkohë që qindra të mbijetuar vazhdojnë të dëshmojnë dhe sjellin fakte të tjera rrëqethëse mbi jetën në kamp. Aushvici është pa dyshim një simbol i Holokaustit, vrasjes sistematike ndaj hebrenjve në Europë. Por ai shërben gjithashtu si një metaforë për krimet që një pjesë e popullsisë mund të kryejë ndaj pjesës tjetër. Prandaj, deklaratat mbi relativizimin, madje deri edhe mohimin e kampit të Tepelenës përbëjnë shqetësim, sidomos kur ato vijnë nga goja e një historiani të njohur si Pëllumb Xhufi. Janë historianët ata që duhet t’i ofrojnë shoqërisë fakte, përndryshe, kush është detyra e tyre? Janë historianët të parët ata që duhet të mbajnë qëndrim, sado të na dhembin rezultatet.

Meqenëse numri i dëshmive të dhunës në kamp ka ardhur duke u rritur në 20 vitet e fundit, “bodyguardët” besnikë të enverizmit kanë marrë përsipër të kryejnë pak nga pak banalizimin e atyre ngjarjeve kyçe të historisë, që tregojnë si u vendos me dhunë pushteti komunist. Në rastin e Tepelenës, pseudofaktet e qëllimshme hidhen si shashka në studiot televizive, nga njëra anë pranohet që mund të jenë bërë shkelje të rënda brenda kampit, por nga ana tjetër propagandohet relativizimi i tyre. Fenomeni “Xhufi”, për shembull, simbolizon një grup të caktuar shoqëror që ka për qëllim mohimin indirekt të krimeve të diktaturës sipas filozofisë “kampi i Tepelenës ishte i keq, por jo edhe aq i keq dhe kushtet e tij ishin në përputhje me situatën e përgjithshme ekonomike, politiko-shoqërore”. Synimi i kësaj fushate është banalizimi i historisë dhe reduktimi i ngjarjeve tragjike në një gojëdhënë, që sipas tyre, ekziston vetëm në fantazitë e “ish-të përndjekurve të sistemit”.

Mbështetësit e kësaj teze injorojnë në mënyrë sistematike faktin se historia e kampit të Tepelenës dhe e burgjeve në Shqipëri është pasojë e veprimeve njerëzore dhe jo thjesht e një aparati burokratik, që vihet në lëvizje vetëm sipas kontekstit historik. Në kampin e Tepelenës janë mbajtur në kushte kafshërore fëmijë, gra e pleq që nuk i kishin bërë asnjë të keqe regjimit, përveçse ishin familjarë të burrave kundërshtarë të politikës në fuqi. Fakti që aty nuk kishim intelektualë të burgosur si në Spaç apo Burrel, jo vetëm që nuk e zhbën përmasën e krimit ndaj “njerëzve të rëndomtë” të kampit, fëmijë e gra kryesisht, por nxjerr akoma më tepër në pah makabritetin e atij regjimi. Manovra e mëtejshme për të zhdukur trupat e kujtdo që vdiste apo vritej dhe për t’i humbur eshtrat nga njëri vend në tjetrin, duket ashiqare e qëllimtë dhe mund të ketë shërbyer ndër të tjera për vjedhje e uzurpim të organizuar të pronës së “armiqve” që vijon deri më sot persekutimin social dhe ekonomik të kësaj shtrese.

Arsyeja përse ndiqet kjo strategji nga Xhufi & Co. është e thjeshtë. Sepse në këto 27 vite pseudopluralizëm ka pasur një përpjekje sistematike nga partitë politike dhe elita e vendit e dalë nga gjiri i partisë së punës që :

1) Gjatë viteve ’90-të ta linte në harresë këtë çështje në mënyrë që përballja me krimet e së shkuarës mos të bëhej dhe kësisoj të vendosej perdja e harresës;

2) Në fazën e dytë filloi në mënyrë sistematike shpronësimi (me miratimin e ligjit 7501)i ishpronarëve (të persekutuarit dhe të vrarët e regjimit komunist) dhe relativizimi i krimeve të komunizmit, kur në media u kthye nostalgjia për regjimin komunist, për filmat propagandistikë të kohës, për diktatorin dhe shpurën e tij;

3) Dhe tashmë kemi hyrë në fazën finale, ku krimet e komunizmit duan t’i mohojnë duke kërkuar t’i fusin në një kontekst të sajuar historik, sipas të cilit kjo e gjitha ishte një përplasje midis heronjve të Luftës Nacional-Çlirimtare dhe armiqve të brendshëm (reaksionarëve/banditëve) që bashkëpunonin me armikun e jashtëm (Amerikën apo Vatikanin).

Në këtë përpjekje për të kontekstualizuar historinë është e thjeshtë të justifikosh krimet ndaj burrave me argumentin se ata ishin kundërshtarë ideologjikë dhe të armatosur të regjimit, të cilët pushteti donte t’i mënjanonte dhe asgjësonte. Por krimet ndaj grave dhe fëmijëve nuk justifikohen dot nga asnjë ideologji dhe nxjerrin në pah regjimin kriminal të vendosur nga komunistët më 1944 (me ndihmën e Jugosllavisë). Pas çlirimit të kampit shfarosës në Buchenwald, fotografët mundën të dokumentojnë me foto dhe filmime ekzistencën e kampit dhe t’ia tregojnë më vonë botës. Në rastin e Shqipërisë kemi qindra rrëfime gojore të atyre që mbijetuan dhe është detyra jonë, e gjithë shoqërisë, të mbledhim të tjera dhe t’i studiojmë ato. Misioni është i vështirë, por jo i pamundur. Relativizuesit e historisë do të përpiqen të kapen pas njërit apo tjetrit dokument që mungon dhe do të bëjnë të pamundurën që kampi i Tepelenës të mos zërë vend në histori dhe të zhduket nga memoria jonë kolektive. Sepse një krim që mbetet pa eshtra dhe pa autorë, nuk ekziston!

P.S. NJË MESAZH PERSONAL PËR XHUFIN & CO.

Parimet e mia, përgatitja profesionale dhe shkollimi jashtë vendit ma bëjnë të vështirë të merrem me individë sepse debati publik duhet të ngrihet mbi fakte e argumente mbi çështjen. Por denigrimi personal ka qenë dhe mbetet një mjet efikas (kërcënues) nga mbështetësit e regjimit të Hoxhës për t’ia mbyllur gojën çdo kundërshtari. Sot merren me “bukën e gojës” së dikujt, dje merreshin me “dosjen”, me “njollën në biografi”.Kush nuk ka argumente, godet personin dhe kjo tregon vetëm se kauza e tij është tashmë e humbur.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura