Federata mbledh kapitenët dhe arbitrat, Shulku i “kryqëzon”

Jan 25, 2017 | 14:45
SHPËRNDAJE

Ditën e sotme në stadiumin “Selman Stërmasi” është zhvilluar një tjetër takim nga ana e FSHF-së me synimin për të përmirësuar nivelin dhe kulturën në lojë. Në këtë takim kanë marrë pjesë drejtues të Federatës bashkë me disa nga arbitrat dhe kapitenët e skuadrave të cilët kanë shkëmbyer mendime të ndryshme.

fshf takimi kapitene arbitra

Ajo që bie në sy është fakti që sekretari i përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, ka lëshuar kritika të hapura ndaj arbitrave kryesisht, teksa iu ka bërë me dije se ata shpesh duan të bëhen protagonistë me veprimet e tyre duke dëmtuar lojën, por edhe ndaj lojtarëve duke iu bërë me dije se numrat e kartonëve që merren prej tyre për shkak protestash janë shumë të lartë.

fshf takimi kapitene arbitra1

Gjithashtu ra në sy fakti se arbitrat dhe kapitenët njëzëri përqafuan një nga idetë e holandezit Marko Van Basten për t’u përfshirë në rregulloren ndërkombëtare të futbollit. Ata ishin të gjithë dakort me faktin qe tek arbitri duhet të shkojë të protestojë vetëm kapiteni dhe jo të gjithë lojtarët.

Alban Hoxha (Kapiten i Partizanit)

“Shikoj në stadium mosha të ndryshme, fëmijë apo burra të vjetër, që vijnë shajnë me libër shtëpie. Duhet të kuptojnë që sporti është kulture, që lojtarët aty janë në punë dhe nuk mund të vijë dikush të shajë kot më kot. Unë familjen time nuk e marr dot në stadium për shkak të këtyre sharjeve.”

Lorenc Jemini (arbitër kryesor i FIFA-s)

“Këtu duhet të ishin ftuar zv. kapitenët se këta janë më të urtët në fushë. Këta duhet të këshillojnë lojtarët për të mos ardhur te ne duke protestuar, jo se nuk e bëjnë, por duhet ruajtur gjakftohtësia. Si ju edhe ne jemi duke vrapuar, duke djersitur dhe duke u lodhur dhe vendimet i marrim në një të qindtën e sekondës. Patjetër që bëjmë gabime, nuk e mohon kush, por gabimet tona janë njerëzore dhe s’ka kuptim të diskutohet ndryshe.”

Gentian Muca (Kapiten i Tiranës)

“Jemini ka të drejtë për mirëkuptimin nga të dyja palët. Në fillim jemi njerëz pastaj lojtarë dhe arbitra. Të gjithë bëjmë gabime dhe besoj se mungesa e gjakftohtësisë i sjell këto reagime. Trysnia e jashtme, mungesa e rezultateve gjithashtu ndikojnë. Mendoj se arbitri kryesor duhet të ketë bashkëpunim më të ngushtë me anësoret dhe herë pas here tolerancë në vendimet ndaj lojtarëve.”

Enea Jorgji (arbitër kryesor i FIFA-s)

“Duhet patjetër tolerancë sepse ndryshe s’do kishte harmoni. Këta kapitenë që janë këtu janë shembull me sjelljen e tyre, por nuk mund ta thuash këtë për të gjithë lojtarët. Sjellja e tyre nuk mund të rregullohet në fushën e lojës por gjatë javës, në kafene kur diskutojnë së bashku. Njësoj si ata vuajnë presionin, edhe ne e vuajmë. Ne duhet të kujdesemi për 22 lojtarë dhe pankinat gjithashtu, ndërsa lojtarët vetëm për sjelljen e tyre personale, ndaj e kanë më të lehtë të bëjnë ata një hap për përmirësimin e marrëdhënieve korrekte mes nesh.”

Rrahman Hallaci (Kapiten i Kukësit)

“Kur arbitri jep faull apo penallti ne nuk duhet të shkojmë 5-6 lojtarë për protestë sepse publiku e merr për keq. Duhet te shkojmë vetëm kapiteni apo edhe zv. kapiteni, sepse ndryshe publiku mendon që ne po shkojmë se po na bëjnë diçka padrejtësisht. Duhet të jemi më të qetë sepse arbitri një sekondë ka për të vendosur. Të jemi njerëz mbi të gjitha.”

Alban Hoxha (Kapiten i Partizanit)

“Shumë herë i kemi pranuar vendimet. Janë përmirësuar sjelljet, por ka nevojë akoma për punë. Duhet të shkojë vetëm kapiteni për protestë dhe arbitri duhet ta sqarojë atë, jo t’i thotë ‘Largohu andej se është vendimi im!’ Duhet më shumë bashkëbisedim, kjo do jetë diçka e mirë dhe arbitri duhet të japë pak më shumë shpjegime.”

Sokol Jareci (ish-arbitër)

“Të gjithë lojtarët kanë rregulloren në dorë. Lojtarët duhet të jenë të informuar ta njohin rregulloren sepse pakësohen protestat. Duhet parë gota gjysëm plot. Për shembull shohim që ndërhyrjet për kartona të kuq në kampionatet tona janë shumë të pakta sepse lojtaret janë ndërgjegjësuar. Edhe protestat janë moderuar në krahasim me të shkuarën.”

Ilir Shulku (Sekretar i Përgjithshëm i FSHF-së)

“Nuk duhet të flasim vetëm për ç’ndodh në ditën e ndeshjes sepse është pak. Duhet të punohet në stërvitje, në grumbullime, jashtë fushës së lojës. Gjithashtu shqetëson sjellja midis lojtarëve. Për gjëra të vogla ndodhin kacafytje. Të gjithë jeni rrogëtarë sepse për sjellje të gabuara keni marrë dënime me disa javë nga Disiplina dhe keni dëmtuar ekipin dhe familjet tuaja.”

Kridens Meta (arbitër kryesor)

“Lojtarët kanë pjesën kryesore të përgjegjësisë sepse nëqoftëse ata janë korrekte me njëri-tjetrin, ndeshja s’ka nevojë për arbitrin. Lojtarët na lehtësojnë ose vështirësojnë punën. Këta duan tolerancë nga ne, por dhe ne duam tolerancë nga ta. Nëse të vijnë 10 lojtarë për protestë të vendosin në presion dhe kjo ndikon në performancën në pjesën tjetër të ndeshjes. Nga kolegët do kërkoja rritjen e përqendrimit për të bërë një gjysmësezon shumë më të mirë se ky që kishim.”

Mirel Çota (Kapiten i Sopotit)

“Në Kategorinë e Parë është më e vështirë sepse nuk ka kamera. Arbitrat nuk kanë shumë faj sepse kanë presion nga jashtë dhe vetvetiu do e mbajnë pak për vendasit. Na thonë vetë jashtë lojës që ‘Unë nuk dija nga fusha ndryshe!’”.

Ndriçim Shtubina (Kapiten i Vllaznisë)

“Mendoj se protestat vijnë më shumë për shkak të klubeve që kërkojnë fitore me çdo kusht, por futbolli nuk është i tillë. Nëqoftëse presidenti i klubit jep urdhër që mos protestohet, edhe këto do ndalen. Ne si futbollistë duhet të jemi të përqendruar te puna jonë. Me arbitrin le të merret klubi. Besoj se Vllaznia është shembull në këtë pjesë, por gjithsesi situata e përgjithshme është përmirësuar në krahasim me të shkuarën.”

Lysjen Nurishmi (Shef i Sektorit të Garave)

“Duhet t’u kërkojmë presidentëve që përveç stërvitjes, të bëjnë edhe ndonjë orë edukimi për rregulloren me lojtarët. Ndeshja nuk është vetëm në fundjavë, por fillon që të hënën. Lojtarët influencohen dhe nga deklaratat në media kundër arbitrave nga ana e presidentëve.”

Ilir Shulku (Sekretar i Përgjithshëm i FSHF-së)

“Duhet t’i shtojmë takimet me klubet. Kemi bërë vjet disa, por duhen më shumë. Rregullorja duhet të jetë gjithnjë e freskët në mendjen e kujtdo dhe jo të harrohet. Kemi bërë një risi sepse kemi marrë një psikolog për arbitrat dhe kjo do jetë e vazhdueshme sepse është e domosdoshme për shkak të punës së lodhshme. Edhe klubet mund të kenë një psikolog në stafet e tyre sepse do i ndihmonte lojtarët në situata të ndryshme.”

Lorenc Jemini (arbitër kryesor i FIFA-s)

“Lojtarët duhet të dinë rregulloren sepse shpesh kundërshtojnë pa ditur rregullat dhe duhet t’ua sqarosh në fushë. Në këtë pjesë s’kanë faj. Shtubina ka të drejtë kur thotë për lotjarët e Vllaznisë, por edhe të Skënderbeut janë shumë korrektë. Këtë duhet ta bëjnë dhe të tjerët sepse në gjithë këto vite unë kam nxjerrë mijëra kartonë dhe s’kam kthyer ndonjëherë vendim.”

Ilir Shulku (Sekretar i Përgjithshëm i FSHF-së)

“Sjellja e arbitrave në fushën e lojës nuk është shumë korrekte. Janë marrë masa për këtë, por ndodh shpesh që arbitrat nuk përçojnë atë që ju thatë. Kemi parë raste që nuk ka nevojë që arbitri të flasë me fjale sepse flet me gjeste dhe lë për të dëshiruar. Sot kuptuam që pjesa jo e rregullt janë lojtarët, por edhe te pjesa e arbitrave duhet të ngulmojmë për sjelljen.

Duhet pasur parasysh që në fushë protagoniste janë vetëm lojtarët. Ju si arbitra s’duhet të bëni veprime që të bëheni protagonistë. Nëse ju doni të bëni protagonistin me gjëra të vogla duke ndërprerë lojën që t’iu kapë kamera, është shumë e gabuar.

Sa i përket lojtarëve, një pjesë e madhe e kartonëve janë për protestë apo gjeste jo sportive. Kjo është diçka jonormale. Do ishte shumë korrekte që kartonat të ishin për lojë të fortë dhe jo për këto të tjerat. Keni shumë për të përmirësuar sepse dëmtoni veten dhe ekipet tuaja.”

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura