Eurostat publikon të dhënat: Shqiptarët të pakënaqur nga jeta, ja si renditemi në krahasim me vendet e BE dhe rajonit

Jan 16, 2024 | 7:13
SHPËRNDAJE

Kur pyeten se sa të kënaqur janë nga jeta, shqiptarët e vlerësojnë këtë tregues në 5.7 pikë nga në një shkallë nga 0 (shumë të pakënaqur) në 10 (shumë të kënaqur).

njerez-qender tirane

Treguesi është matur nga Eurostat dhe i përket vitit 2021.

Në krahasim me mesataren e Bashkimit Europian (BE), kënaqësia e shqiptarëve është më e ulët. Për 2021, shkalla e kënaqësisë nga jeta në BE ishte 7.2 dhe në vitin 2022 zbriti në 7.1 (për Shqipërinë, të dhënat e fundit të disponueshme janë për vitin 2021).

Shqipëria u rendit e dyta me nivelin më të ulët të kënaqësisë në Europë, në të njëjtin nivel me Bullgarinë dhe vetëm pas Turqisë (5.6).

Nga vendet e tjera të rajonit, që i kanë të disponueshme të dhënat, Mali i Zi e kishte shkallën e kënaqësisë në nivelin e 6.4 në 2021, por që zbriti në 5.8 në 2022.

Ndërsa në Serbi, shkalla e kënaqësisë së të jetuarit u rrit në 6.1 në 2022, nga 6 në 2021.
Maqedonia e Veriut e ka të dhënën e fundit e disponueshme të vitit 2020, kur treguesi i kënaqësisë nga jeta ishte 6 pikë.

Edhe për Kosovën e dhëna e fundit e disponueshme është e vitit 2020, me tregues po 6 pikë.

Sipas Eurostat, kënaqësia me jetën mund të ndikohet nga shumë faktorë si mosha, niveli i arsimimit, gjendja familjare dhe financiare, si dhe shumëllojshmëria e përvojave, zgjedhjeve, prioriteteve dhe vlerave të një individi.

Në Shqipëri, si për meshkujt, ashtu dhe për femrat, niveli i kënaqësisë për jetën është i njëjtë, të dy në 5.7 pikë.

Në Shqipëri, kënaqësia për jetën është më e ulët tek të moshuarit, me grupmoshën mbi 65% që e ka treguesin 5.4 pikë, më të ulët sesa mesatarja e vendit prej 5.7 pikë dhe më e larta tek të rinjtë 16-19 vjeç, me 6.3 pikë.

Sipas nivelit të arsimit, personat me arsim të ulët janë më të pakënaqur me jetën, me treguesin që vlerësohet në 5.4 pikë dhe më i lartë është për personat me arsim të lartë, në 6.5 pikë.

Bashkimi Europian
Sipas Eurostat, në vitin 2022, njerëzit në BE e vlerësuan kënaqësinë e tyre të përgjithshme nga jeta mesatarisht me 7.1 pikë në një shkallë nga 0 (shumë të pakënaqur) në 10 (shumë të kënaqur). Për 18 nga 27 vendet e BE-së, kënaqësia e përgjithshme e jetës u vlerësua mbi ose e njëjtë me mesataren e BE-së.

Vlerësimi ishte më i lartë në Austri (7.9), Finlandë, Poloni dhe Rumani (secila me 7.7), Belgjikë dhe Holandë (të dyja me 7.6) dhe më i ulëti në Bullgari (5.6), Gjermani (6.5) dhe Greqi (6.7).

Në të gjitha vendet përveç Bullgarisë, vlerësimet mesatare të kënaqësisë nga jeta ishin mbi 6, që do të thotë se shumica e njerëzve në BE deklaruan veten të kënaqur dhe jo të pakënaqur.
Ky tregues subjektiv i mirëqenies së qytetarëve europianë është mbledhur si pjesë e statistikave të BE-së për të ardhurat dhe kushtet e jetesës/Monitor

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura