Euro 2016/ Griezman përmbys gjithçka me Irlandën, Franca në çerekfinale

Jun 26, 2016 | 16:42
SHPËRNDAJE

Antuan Griezman është kthyer përsëri në heroin e Francës, duke i mundësuar me golat e tij kombëtares së vendit organizator të Euro 2016 që të kalonte mes 8 ekipeve më të mira të turneut falë suksesit 2-1 kundër Irlandës.
1466951027398_lc_galleryImage_Football_Soccer_France_v_
Irlandezët kaluan në mënyrë të papritur në avantazh që në minutën e dytë të sfidës, falë një penalltie të shkaktuar nga Pogba ndaj Long. Bredi realizoi me saktësi nga pika e bardhë duke i dhënë avantazhin skuadrës së tij. Më pas, irlandezët jo vetëm që u mbrojtën mirë, por edhe rrezikuan dy herë të tjera portën e Loris, duke qenë ata shumë më pranë një goli të dytë sesa Franca pranë barazimit.

Pas një fillimi të vrullshëm të pjesës së dytë dhe disa rasteve të njëpasnjëshme të humbura, Franca arriti të barazonte rezultatin me Griezman në minutën e 58 të ndeshjes. Sulmuesi devijoi me kokë në portë një harkim të Sanja nga krahu i djathtë, duke vendosur baraspeshën në shifra.

Vetëm tre minuta më vonë, sulmuesi u shfaq përsëri para portës irlandeze duke realizuar përmbysjen e rezultatit dhe duke kaluar në avantazh skuadrën e tij.

Kartoni i kuq i Dafi në radhët e irlandezëve në minutën e 66-të bëri më të thjeshtë punën e Francës që jo vetëm administroi sulmet e kundërshtarëve, por edhe krijoi një mori rastesh për të shënuar. Megjithatë, skuadra e Deshamp nuk arriti të dërgonte përsëri topin në rrjetë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura