Erjona Kakeli: Si u rritën brenda meje ime bijë dhe roli i Mashës

Jan 26, 2016 | 10:00
SHPËRNDAJE

Masha qe ishte programuar për të qenë në premierën e shfaqjes “Tri motrat’, luajtur nga Erjona Kakeli, mungoi në skenë. Kishte arsyen më të bukur në botë: solli në jetë bebushen e saj, Margi. Të ishte për Erjonën, mundet që ta kishte përballuar edhe premierën, sado që e vogla, kishte vetëm 5 ditë që kishte ardhur në jetë.

 

erjooo

Ishte regjisori, Hervin Çuli, ai që nuk donte të rrezikonte. Pas së dielës, kur miqtë mësuan për lindjen e saj të parakohshme, askush nuk priste ta shihte nga zona e Teatrit Kombëtar, së paku për ca kohë. Mirëpo, Erjona, ashtu siç ishte, me vigonin përqark kyçit të dorës së djathtë, të martën, “mbiu” në kalimin e radhës, në ditët e fundit të provave.

Aty u bind edhe vetë që nuk ishte në ditët e saj më të mira për të qenë në skenë, prandaj vendosi të presë, ama nga roli i Mashës (Maria Sergejevna) nuk do të hiqte dorë. E kishte dashur atë personazh, por nuk ishte kjo arsyeja parësore e këmbënguljes për t’i shkuar punës deri në fund, me gjithë të papriturën e bukur që i erdhi…

U çudita kur mora vesh që do të luaje të mërkurën që shkoi por, u çudita edhe më, kur më thanë se kishe dashur të ishe që në premierë…

Janë çuditur të gjithë… Askush nuk priste të shkoja të martën, dy ditë pas lindjes, me vigon në dorë, për prova. Madje, qëlloi që atë ditë, shumica e trupës ishte pa qejf dhe kanë ndenjur në prova vetëm sepse shkova unë. Por ky nuk ka qenë rasti i vetëm që më kanë mbështetur e qëndruar “gati”, e kanë bërë gjatë gjithë kohës, edhe në provat e mëparshme. Arsyeja pse doja të isha në skenë, ishte pikërisht Margi. Ne e nisëm bashkë këtë rrugëtim dhe, mendoja, se do ta përfundonim po bashkë. Mirëpo, meqenëse ajo nxitoi të hapë sytë, doja t’i tregoja që ia dolëm, gjithsesi. Ishte një lloj energjie që kisha, dhe doja t’ia përcillja. Kur të shihja të shtrirë në divanin e Mashës, moment kur ti nuk ke batuta, po mendoja a ishe me mendime te Margi! Jo, kur je në skenë, jo. Vetëm për një çast, dëgjova dikë nga salla të thoshte “kjo është ajo që ka lindur?!”, por është një moment fare kalimtar dhe ti kthehesh përsëri aty. Mirëpo më ndodhi diçka tjetër. Përpara çdo shfaqjeje, ne kemi gjithnjë emocionet tona. Dikur, kur ishim më të rinj, arrinin deri në të dridhura duarsh e këmbësh, aq sa bashkë me Olta Dakun, hanim reçel e biskota pa fund se na dukej sikur i mposhtnim. Edhe më vonë, mbase jo në të njëjtin nivel, por emocionet, sidomos në premierë, janë gjithnjë të forta. Këtë herë unë nuk kisha. Ndihesha e ftohtë, m’u duk se nuk përcillja dot gjithë atë për të cilën kisha punuar e gjithë atë që kisha ndjerë për të qenë Masha.

 

erjooonaa

Do të thuash që, këtë herë, emocionet ishin shkarkuar të gjitha pasi pe Margin?

Me siguri që po, nuk kam shpjegim tjetër.

A e dije që ishe shtatzënë kur more rolin?

Jo, nuk e dija. E mësova pak kohë më vonë, kur puna kishte nisur, por ishin ende në fazën e qetë.

A mendove se, ti apo regjisori, do të ishte njëfarë pengese për rolin?

Jo nuk e mendova, sepse sipas parashikimeve tona, të atëhershme të paktën, shfaqja do të jepej që në dhjetor. Unë do të isha në 2 apo 3 shfaqje, e më pas do të tërhiqesha. Mirëpo, të gjitha parashikimet qenkan të kota, nuk i bëjmë dot ne.

Sidoqoftë, Masha nuk kishte ndonjë ngarkesë në aspektin fizik…

Jo, kishte pak lëvizje fizike dhe nuk e di nëse regjisori e kishte menduar kështu apo më është përshtatur pak mua. Dyshoj që është kjo e fundit dhe e falënderoj, pavarësisht se nuk më ka thënë asgjë.

teatrrriiii

Përtej teatrit, ju jeni tri motra, ti je e dyta. Njësoj ishe edhe te “Tri motrat” e Çehovit. A ishte Masha ajo që doje të ishe?

Nuk e di, tani që roli u realizua, nuk mendoj se si mund të kishte qenë roli i motrave të tjera, por ndonjëherë mendoja se drama e dy motrave të tjera, ishte më e madhe se e Mashës që vuan vetëm për dashurinë, ndërsa ato e kanë dhimbjen shumëdimensionale. Sidoqoftë, ishte hera ime e parë që luaja Çehovin dhe ishte pa dyshim e bukur.

Ma merr mendja, ishte hera e parë edhe që luaje si dublante. Masha tjetër është Gladiola Harizaj. Ju keni qëndruar të dyja në prova, siç kanë bërë edhe dublantët e tjerë, edhe pse në skenë ka qenë vetëm njëra. Ishit krejt të ndryshme. A ishte e lehtë të mos ndikoheshe nga kolegia, sikundër ajo nga ti?

Puna e parë për rolin nis nga ajo që ka regjisori në kokë, pjesa tjetër është individuale, e ndërton ti të gjithën, janë ndjesi e punë të brendshme që nuk ndryshojnë lehtë nga ndikimet e jashtme. Po, kjo ishte hera e parë si dublante, por nuk pashë vështirësi në këtë pikëpamje.

Babi Salsano si po e përjeton statusin e ri?

Mban shumë emocione për vete, është ende pak si i hutuar, edhe pse vajza erdhi më shpejt seç e prisnim.

ANI JAUPAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura