Epika ushtarake dhe metafizika e një simboli

Feb 7, 2016 | 12:16
SHPËRNDAJE

myslym-pashajMYSLYM PASHA

Viti 1981 ishte një vit kur Shqipëria e sistemit që shkoi, përmes një izolimi dhe mbijetese të jashtëzakonshme, në suazë rajonale dhe ndërkombëtare, po i afrohej një pike infleksioni drejt së cilës kishte marrë kahje energjia e brendshme dhe procesi i vetëngrënies tragjike, i vetërënies shkatërruese.

E tillë ishte mbyllja e këtij cikli që dha shfaqjen e epërme me vetëvrasjen e Kryeministrit të kohës, Mehmet Shehut, e pas tij po çaheshin formacionet e rrënimit ekonomik dhe moral të shoqërisë, si askund tjetër në Lindjen komuniste.

Në këtë panoramë vetmie, shpirti kombëtar, besimi në një situatë më të mirë të zhvillimit, ruante në vete një energji të madhe jashtë ideologjisë së kohës.

Forca e Armatosur. që ishte ndërtuar në vite. kish bërë që Shqipëria të ishte si një shtet ushtar, përçuar me një psikologji gatishmë- rie e mbrojtjeje nga armiqtë e koalicion armiqsh, një vend në alarm…

Kështu e gjenin breznitë e reja, të cilat në themele kishin qëndresën kombëtare. Viti 1981 pati një prelud lajmërues, edhe në aspektin e ëndrrave që kërkojnë të ngjiten e të kapin lartësi të reja, kjo goditje natyrore kërkonte një fli dhe një provë të madhe që s’ishte jetësuar asnjëherë me Luftën e vërtetë.

Dimri shqiptar, relievi, aftësia njerëzore në përballje situatash të rënda, shpirti i sakrificës dhe synimi për të mposhtur të keqen, bëri një shfaqje që do të kujtohet përherë. Njësi ushtarake mësimore, Shkolla e Lartë e Oficerëve shqiptarë, jashtë çdo ideologjie, që kish lidhje me Diktaturën e Proletariatit, apo luftën e klasave, dha një provë natyrore, kur malet e Tiranës ishin të mbushura më borë, e në një çast sublim u shfaq orteku, avalanshi i natyrës mbi njësitë ushtarake njerëzore.

Ishte 6 shkurt 1981. Ishte dhënë detyra, udha mbi Malin e Bardhë, objektivët dhe shenjat orientuese, dredhimet dhe emrat e pishave apo aheve, kthesat e kolonave dhe synimi për të dalë në majë të Fekenit.

Më tej ishte mali i thellomave mitike, Mali me Gropa. Ata marshonin në kërkim të udhës së ngjitjes. Fushimi dimëror kish marrë jetë. Askush nuk e kish menduar se ajo do të ishte një ditë prove.

Ata ngjiteshin në betejën e tyre të luftës dhe përballjes. Mali lëvizi, formacionet u tundën, orteku dha shenjë: Nga kreu, instruktori Mark Mici foli “Burra po na myt orteki”, zë që ngjante sikur vinte nga shekujt dimërorë të shqiptarëve. Kjo ishte ndeshja. Minuta, të cilat shpërfaqën kohë të tëra.

2. Beteja ishte e rrufeshme si orteku. Ishin koncentruar brenda kësaj hapësire ndeshjeje, periudha të gjata të energjive dhe përgatitjes. Orteku ishte mbajtur mbi supe e në gjokse ushtarake. Në apelin e parë zërat kërkonin: komandantin Dushan Shametaj, shefin e Planizimit Taktik dhe Hartografik, Çlirim Pulaj, pedagogun Nikollaq Bero, studentët ushtarakë Bilbil Pashaj, Aleko Gjoni, Qemal Lika, Besnik Shehu, Pëllumb Rrapo, Ilir Gramatiko, Nexhip Çopa, Bujar Ago. Ata i kish marrë me vete mali i qëndresës. Midis të tjerëve, në krahë e në shpinë, vërshuar energji njerëzore ndaj energjisë së natyrës, një betejë e një përleshje, një përfytyrim real se si ngjizen mitet, që nga thirrje tragjike e instruktorit dhe e malit. Mbajeni me gjokse e gjymtyrë mali… mbajeni qiellin, mbajeni malin…

3. Unë e di se një pjesë e shqiptarëve, që s’dëshirojnë t’i hedhin as shikimin sistemit që shkoi, as veprave ushtarake të kryera, jo se jo, mund të kenë të drejtë se mundimi i një shtrese ishte i rëndë, se lufta e klasave dhe Diktatura e Proletariatit sollën për ta ekstremizmin etj. Por duhen bërë përpjekje që të kthehemi në një arsyetim thelbor, për ta kapërcyer absurdin dhe ideologjinë që kish pushtuar më të shumtën e botës. Pjesa ushtare, në radhë të parë kish vetëm bindje dhe ideologji kombëtare, asaj i besonte dhe ky është një realitet, që nuk lejon të përbaltësh përpjekjet e breznive. Doktrina apo Akademia, njësia dhe e tërë FA, ka disa shtresa mbi të cilat krijon historinë. Pa këto shtresa, ngelemi pa rrënjë dhe të vyshkur. Oficerë madhorë dhe ushtarakë, ata nuk janë thjesht të punësuar për të shtyrë jetën, në këto radhë, pa ditur se ç’rol kanë. Atë që përkujtojtohet, e quajmë simbol të një pjese të epikës së FA-ve dhe kjo epikë është thelbi ynë kombëtar, nuk është fjala për të shprehur dhimbjen, por t’i jepet jetë jetës, për t’u takuar me rrufenë e mitit… Këta martirë, të njëmbëdhjetë… të njëmijtë… a të njëqindmijtë… vijojnë të ngjiten drejt një dielli apo drejt një maje të lartë, të një Tomorri apo të një Korabi.

Formacioni tjetër si një rendim i ri, nga poshtë vjen për të ndihmuar përballësit, por prapë ortekët dhe rrufetë bien dhe, sërish, ata të skalionit më të ri ngjiten… ja kjo është simbolika që jetësuan, në Malin me Gropa. Ata lanë një vepër. Ata ishin dhe mbeten Skënderbejanë dhe partizanë të Luftës së Dytë Botërore, ja kjo është simbolika që bartin dhe kjo është metafizika e këtij simboli.

4. Të njëmbëdhjetët tanë janë të njëmbëdhjetët e këtij trupi, por dy prej tyre, për mua ishin pak më ndryshe: im vëlla Bilbili dhe shoku im i bankës ushtarake, Çlirim Pulaj, oficer hartograf e më vonë gjitharmësh. Dua ta thërras Çlirimin në këtë çast, sepse e di që ai veç ngjitjes së atij mali, ka në dorë edhe një hartë orientimi. Hartën e parë ai e krijoi në vitin 1965. Ishte Fusha e Bizës, sapo kapërcen Fekenin dhe Fushë Studë në lindje të Kaptinës.

Një vit më vonë do të hartografonte malin e Ivanit mbi Prespë dhe Progër. Gjysmë shekulli më parë. Jam i sigurt se edhe pse e ka ortekun mbi supe, ajo që e ka rënduar më shumë se sa ai ortek është kumti që mori, kur Instituti ku ai shërbeu nuk nxori hartën e tij në mbrojtjen e Detit të Shqipërisë, por e humbi atë Det, e po kështu ai vijon të dërgojë mesazhe se në derdhje të Bunës është zhdukur ishulli i Franz Jozefit dhe është krijuar një ishull i ri. Ai bën thirrje: Kush është roja hartografike e terrenit shqiptar…?

Ndërkaq për tim vëlla Bilbilin, sjell imazhin e mortit dhe këngës së vajit të nënës sonë, Dekos: Ore ti mali me Gurë. Bilbil dhashë, Bilbil ke prurë. Ore ti Mali Feken. Loti im e zgjoftë dhenë. Bir! O mali për Atdhenë…

Në ditë të sotme, kërkush nuk përgjigjet. Amanetet që lanë ushtarakët e antiortekut për ta bërë dhe për ta ruajtur Shqipërinë, janë të gjalla edhe në këto çaste. Ndryshimet ideologjike, ekonomike dhe shoqërore, është e vërtetë se sjellin ndryshime edhe në FA, por ajo që ngelet e pandryshuar është ideologjia kombëtare, sepse themeli i Shqipërisë është ndërtuar mbi kombin tonë, të etnisë dhe historisë së mbijetesës së rrënjëve tona. FA kërkon të realizohet në Doktrinën e saj.

Dhe kjo do të bëhet. Një mesazh të tillë na kumtojnë të njëmbëdhjetët e antiortekut, të cilët nuk kanë 35 vjet që kryen aktin e tyre mitik, por mijëra e mijëra vjet më parë.

* Kolonel (në lirim) i FA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura