Enveri në 1983: “Mehmeti ia futi vetes pas mesazhit të Hazbiut”

Aug 26, 2015 | 14:16
SHPËRNDAJE

Mehmet Shehu, ndryshe nga Nako Spiru, që gaboi në fund nga kërcënimet, ishte agjent i të huajve prej vitesh”. Përcaktimi i Enver Hoxhës për ish-kryeministrin e vetëvrarë në takimin me sekretarët e KQ-së, më 13 qershor 1983, vjen pak muaj pas deklaratës së tij që e njësonte Mehmet Shehun me Nako Spirun.

ENVER HOXHA DHE MEHMET SHEHU
ENVER HOXHA DHE MEHMET SHEHU
“Mehmet Shehu vrau veten, përfundoi si miku i tij, Nako Spiru”, pati thënë kreu i Partisë menjëherë sa ishte njohur me lajmin e tragjedisë së ish-kryeministrit komunist në dhjetor 1981. Rivlerësimi i fundit për Spirun, më shumë se një përpjekje për rehabilitimin e tij, ishte këmbëngulje e Hoxhës për të nxirë sa të mundej figurën e Mehmet Shehut. Pjesa në vijim e dokumentit që publikoj sot, sjell të dhëna të tjera për raportet e Hoxhës me Shehun gjatë viteve të luftës.

Për herë të parë, kreu i Partisë sqaron pse Mehmet Shehu mbeti kandidat i KQ-së për shumë kohë dhe nuk u bë gjeneral në Kongresin e Përmetit, duke rreshtuar një mori faktesh të panjohura për sjelljen antiparti të ish-komandantit të Brigadës së Parë. Fillimisht përmend një letër që i drejtonte atij kur kryente detyrën e sekretarit organizativ të qarkut të Vlorës, ku e qortonte rëndë për lidhjet e fshehta me Xhepin dhe fraksionistët e tjerë. Sakaq, kujton Hoxha, Mehmetin e kam kritikuar ashpër për masakrën ndaj 67 nacionalistëve të Lushnjës dhe kundërshtimin e urdhrit të Shtabit të Përgjithshëm për kalimin në Veri të Divizionit të Parë.

Njëherazi me rezervat që ka pasur në vitet e luftës për ish-kryeministrin e vetëvrarë, kreu i Partisë sjell jo pak të tilla edhe për Kadri Hazbiun, asokohe i arrestuar “për tradhti të lartë ndaj Partisë dhe Pushtetit Popullor”. Ndryshe nga rasti i Shehut, në qasjen e re ndaj ish-ministrit historik të Sigurimit, Hoxha gjen momentin të retushojë konsideratat e jashtëzakonshme që ka artikuluar më parë për besnikërinë e lartë të tij.

“Ia kam shkel paksa gazin, kur shkruaj për Kadriun te libri ‘Kur lindi Partia’, por e donte puna, shprehet ai, duke u përpjekur të justifikohet se e kishim Anëtar të Byrosë Politike, po doli agjent i të huajve dhe tradhtar nga më të rrezikshmit”.

Përveç atyre që ka konsumuar për Hazbiun në forumet e larta të Partisë, kur u diskutua çështja “Hazbiu”, Hoxha i befason bashkëbiseduesit me një të dhënë tronditëse: Pak çaste para vetëvrasjes, kujton lideri kryesor, Kadri Hazbiu i shkoi Mehmetit në shtëpi dhe i tërhoqi vëmendjen të shikonte mirë, se kishte edhe gjëra të tjera. “Prandaj largohu me këtë ti, se mbarove”, i tha Kadriu, duke vazhduar: “Tani prit të të shpëtojmë ne të tjerët dhe të gjithë së bashku të ecim në rrugën tënde”. Më poshtë zbardhim të plotë pjesën e fundit të bisedës së sekretarëve të Komitetit Qendror zhvilluar në 13 qershor 1983…

DOKUMENTI
ENVER HOXHA: Do t’ju them edhe një gjë tjetër. Tani po rishikon Nexhmija librin “Kur lindi Partia” dhe u ka thënë redaktorëve të shikojnë me kujdes çfarë thuhet atje për Kadri Hazbiun.
RAMIZ ALIA: Po është pjesa ku ju shkruani se keni qenë në shtëpinë e Kadri Hazbiut. Po mirë, kjo që keni qenë në shtëpinë e Kadriut mund të mbetet.
ENVER HOXHA: Jo, dakord, unë kam qenë në shtëpinë e tij, ky është fakt dhe kështu le të mbetet, por Kadri Hazbinë në atë kohë as e pashë fare kur qëndrova në shtëpinë e tij, bile as nënën e Kadriut s’e pashë. Çështja është se mbledhja për të cilën kisha shkuar, u bë atje në Hysoverdh. Prandaj kjo duhet të mbetet si fakt. Sidoqoftë, në këtë rast ia shkela një çikë gazit për Kadrinë. Po pse? Se në atë kohë atë e kishim anëtar të Byrosë Politike. RAMIZ ALIA: Për ne është e qartë pse është bërë kjo nga ju.
ENVER HOXHA: Sidoqoftë është fakt që ne të dy me Hysninë shkuam në shtëpinë e tij, hëngrëm e pimë atje, po s’e mbaj mend që të kem takuar, lëre Kadrinë, po as nënën e tij. Me ne ishin me këtë rast doktor Ibrahim Dervishi, Liri Gega dhe Dushani (Mugosha-shënim i red.). Të dy këta të fundit grindeshin me njëri-tjetrin për fraksionin e Xhepit. Në libër shkruhet për ato që kanë ndodhur, por nga kjo ngjarje kemi hequr diçka, letrën më të rëndësishme që kam dërguar unë, me të cilën akuzoja Mehmet Shehun si bashkëpunëtor të Xhepit, mbasi, duke qenë sekretar organizativ i qarkorit, kishte shkelur urdhrat që i qenë dhënë. “Është për arsyen e qëndrimit tënd, i them atij në letër, që Xhepi shpëtoi, prandaj edhe ti do të gjykohesh për këtë”. Është kështu?
RAMIZ ALIA: Si urdhëroni.
ENVER HOXHA: Një të hequr i bëmë ne kësaj letre, se ishte Mehmet Shehu në mes. Ku ata trak, e ndjenë letrën time. Kjo është e qartë. Këto ishin të gjitha arsyet që Mehmet Shehun e lamë vetëm kandidat të Komitetit Qendror në atë kohë dhe e larguam nga Vlora. Edhe në Kongresin e Përmetit Mehmet Shehun nuk e bëmë gjeneral, se kishim këto të dhëna kundër tij. Por kalon koha në luftë dhe…
RAMIZ ALIA: Jo, pas asaj është edhe letra tjetër për ngjarjet që kanë lidhje me Mehmet Shehun në rrethin e Lushnjës.
ENVER HOXHA: Jo vetëm në rrethin e Lushnjës, por edhe në raste të tjera.
SIMON STEFANI: E tillë është edhe përpjekja e tij për të mos zbatuar urdhrin e kalimit në Veri të Divizionit të Parë.
ENVER HOXHA: Domethënë, në këto dokumente shikohet me të vërtetë mendimi dhe qëndrimi që kemi mbajtur në atë kohë karshi këtij njeriu. Po lufta mbaroi, ai vazhdoi në Parti dhe këto ngjarje i lamë në heshtje, kurse, në fakt, këto janë tani të shkruara e zeza mbi të bardhë.
RAMIZ ALIA: Ju keni shkruar diçka më shumë për Kadri Hazbiun, megjithëse nuk e kishit parë, ose edhe në qoftë se do ta keni parë, nuk e keni njohur fare, do ta keni parë kalimthi.
ENVER HOXHA: Po s’e pata parë fare atje. Këtë e mbaj mend mirë, megjithatë, kur e shkrova, ia shkela një çikë gazit në libër.
RAMIZ ALIA: Ju u nisët nga momenti, se ai ishte anëtar i Byrosë Politike, kur shkruat librin.
SIMON STEFANI: Nga motive të mira u nisët ju.
RAMIZ ALIA: Tani, lidhur me Kadri Hazbinë, unë shoh një anë tjetër. Dushan Mugosha, në kujtimet që ka shkruar në librin e tij, ca vite përpara, e gjen të nevojshme të theksojë se e ka shoqëruar Kadri Hazbiu kur ishte këtu.
ENVER HOXHA: Po, po ka vite që e ka shkruar ai këtë libër. E di unë atë, Kadriu mund ta ketë shoqëruar Dushanin.
RAMIZ ALIA: Domethënë, Kadri Hazbiu s’ka qenë me ju në atë kohë, por me Dushanin. ENVER HOXHA: Dhe sigurisht me atë ka qenë.
RAMIZ ALIA: Këtu është puna e lidhjeve, me të cilat na del tani Kadriu. Duket që ai është përpunuar që në atë kohë nga ana e jugosllavëve.
SIMON STEFANI: Po këto pse të mos vihen, shoku Enver?
ENVER HOXHA: Prandaj, për sa i përket historisë, deri në këtë kohë Nako Spiroja ka qenë një kuadër i shëndoshë i luftës. Nuk mund të themi ndryshe për të. Pastaj ai bëri gabimin, një gabim shumë të rëndë, që mund të na kushtonte. Më vonë bëri kthesën. Pastaj duhet pasur parasysh se ai kishte bërë edhe veprimtari të tjera të dobishme.
RAMIZ ALIA: Vetëm se në fund atij i mungoi kuraja të fliste.
ENVER HOXHA: Që të vinte tek unë.
RAMIZ ALIA: Po, të vinte t’ju thoshte çdo gjë si Sekretar i Përgjithshëm i Partisë. Kjo është tragjedia e tij. Me këtë veprim ai do të shpëtonte veten, njëkohësisht edhe Partisë do t’i bënte një shërbim shumë të madh.
faxENVER HOXHA: Bile Nakoja, kur u sulmua nga Koçi Xoxja dhe nga jugosllavët, erdhi tek unë dhe më tha: “Shoku Enver, më jep pesë ditë kohë, sa të përgatitem”. Iu përgjigja: More Nako, çfarë përgatitjeje do të bësh? Ne i dimë të gjitha këto, edhe unë, edhe ti, i kemi jetuar. “Jo, – nguli këmbë ai, -më lini të përgatitem”. “Mirëpo ne kemi vendosur për këtë dhe jam i bindur që ti je i përgatitur, -i thashë, dhe vazhdova: Edhe unë me ty jam, nuk jam dakord me këtë vijë që shtrojnë Koçi me shokë”. “Jo, vazhdoi ai, unë dua pesë ditë leje”. Epo mund të të jap kohë deri në mbrëmje, ose e shumta deri nesër, më tepër s’kam mundësi, se kemi marrë kolegjialisht vendim, -i thashë më në fund”. Tani, kur e mendoj këtë kërkesë, ka mundësi që ai donte të fitonte kohë sa të vente t’u thoshte sovjetikëve, të priste udhëzime nga Moska, siç mund ta kishin biseduar, pastaj të vinte Gagarinovi të më sugjeronte mua që “Nako Spiroja është njeri i mirë, prandaj mbroje” e të tjera e të tjera sende. Kjo do të thotë se Nakoja në këtë rast nuk pati besim tek unë, u ngatërrua, u turbullua, shtoi pastaj gjithë këtyre edhe ambicien e tij të fortë, e cila mund ta çonte më larg akoma, po të mos ia kishte hequr vetes.
RAMIZ ALIA: Ashtu ishte ai, njeri ambicioz.
ENVER HOXHA: Kurse Mehmet Shehu ishte agjent, që kurse qe në Shkollën Teknike. RAMIZ ALIA: Për Nakon ne nuk kemi ndonjë të dhënë, në këtë kuptim që themi se ishte agjent, spiun etj.
ENVER HOXHA: Jo, këtë nuk mund ta themi për të.
ENVER HOXHA: Pastaj, në kohën e luftës ai qëndroi shumë mirë, po më vonë ra në grackën e jugosllavëve.
RAMIZ ALIA: Kështu është. Ata ia kuptuan ambiciet që kishte dhe ia ushqyen.
ENVER HOXHA: Dhe ia fërkuan krahët. Ai i shkroi edhe Titos një letër dhe bëri të gjitha ato që dihen. Atë që bëri Mehmeti, bëri edhe Nakoja. Edhe Mehmeti u ka shkruar si Titos, edhe sovjetikëve, nëpërmjet major Ivanovit. Po kështu ka vepruar edhe Nakoja. Letrën në kohën kur vrau veten, Nakoja nuk ma adresoi mua, po sovjetikëve, Gagarinovit, i cili erdhi tek unë dhe nuk ma dha, e më tha: “Ja Nakoja vrau veten, duket se është gjendur në vështirësi të mëdha me jugosllavët”. Po si ndodhi që ne nuk e njohëm gjatë gjithë kësaj kohe Mehmetin? Luftë është kjo, ne ia njihnim atij të gjitha gabimet dhe ia kishim vënë në dukje, po lufta u hedh njëfarë cipe fajeve e veprimeve që kish bërë ai. Pastaj është edhe çështja se në të gjitha hallet dhe luftërat e mëdha të Partisë, që nuk kanë qenë të lehta, Mehmet Shehu u përpoq të vepronte për të realizuar qëllimet e tij, pastaj kur pa se nuk ia dilte dot, në çdo etapë të kësaj periudhe, u përpoq të adaptojë një taktikë pro Partisë. Agjent i jugosllavëve ishte Mehemt Shehu, po lëshonte kundër tyre gjithfarë sharjesh. Agjent i sovjetikëve ishte ai gjithashtu, po edhe kundër tyre lëshonte çfarë të duash.
SIMON STEFANI: Ishte edhe agjent i amerikanëve ai.
ENVER HOXHA: Edhe i amerikanëve dhe i të tjerëve ishte. Nuk mund të bëhej pengesë për një letër që kishte shkruar dhe për të cilën e kishim kritikuar, po unë e kisha harruar fare.
RAMIZ ALIA: Këto na ndodhin edhe në praktikën e sotme, shoku Enver.
SIMON STEFANI: Prandaj s’mund të arrish në konkluzion për të vlerësuar veprimtarinë e një personi vetëm me një rast, duke thënë ca më tepër që ky është njeri i dyshimtë. RAMIZ ALIA: Jo, në asnjë mënyrë.
ENVER HOXHA: Ndryshe nuk do të jemi dialektikë, në qoftë se veprojmë kështu. Të veprosh ndryshe, është fashizëm.
RAMIZ ALIA: Jo vetëm, po është edhe njëfarë qëndrimi joshoqëror.
ENVER HOXHA: Dhe jo i drejtë.
SIMON STEFANI: Nuk është qëndrim Partie.
RAMIZ ALIA: Si mund të veprohet kështu? Kur bën tjetri një gabim, që mund të jetë megjithatë një gabim i madh politik, ne e gjykojmë atë nga të gjitha anët.
ENVER HOXHA: Posi, e gjykojmë si e bëri, tek e bëri.
SIMON STEFANI: Posi, përpiqemi të zbulojmë shkaqet.
ENVER HOXHA: Gjykojmë e bëri me dashje apo e bëri pa dashje.
RAMIZ ALIA: E bëri nga papjekuria, e bëri nga nxitimi, e bëri nga niveli i tij I ngushtë, të themi etj.
SIMON STEFANI: Ose mbase edhe u nis për të mirë, por i doli keq.
RAMIZ ALIA: Tani që pak a shumë i kemi gjërat e qarta dhe i shikojmë në konsekuencën e vet, fenomenet i shpjegojmë më mirë, kurse pa i ditur nuk i shpjegojmë dot.
ENVER HOXHA: Tani çdo gjë shpjegohet.
RAMIZ ALIA: Ne i kemi jetuar të gjitha këto momente, deri edhe momentin kur Mehmet Shehu vrau veten.
ENVER HOXHA: Dhe prapë nuk kishim arritur në mendimin që ai ishte spiun.
RAMIZ ALIA: Epitetin “armik” ia vumë vetëm për faktin se vrau veten.
ENVER HOXHA: Posi, sepse vrau veten.
RAMIZ ALIA: Që vrau veten, se tjetër gjë s’dinim.
ENVER HOXHA: S’dinte gjë askush nga ne kundër tij. Kështu është realiteti.
RAMIZ ALIA: Ne s’dinim asgjë kundër tij, prandaj nuk deklaruam që është agjent në momentin e vetëvrasjes.
SIMON STEFANI: Pastaj u bë analiza e veprimtarisë së tij si në të gjitha çështjet.
RAMIZ ALIA: Kur filluam të gërvishtim më thellë, vumë pyetjen: More, po dale, pse e vrau veten ky njeri? Ç’hall pati?
ENVER HOXHA: Dhe doli ç’qe.
SIMON STEFANI: Dolën të dhënat. Iu zbuluan petët lakrorit.
ENVER HOXHA: Bile, në kongres ne e zgjodhëm si herët e tjera anëtar të Byrosë Politike, e kishim edhe Kryeministër dhe për ato që bëri, prapë menduam të mbetej në këto funksione, vetëm i kërkuam të bënte një autokritikë të fortë.
RAMIZ ALIA: Kështu është. Këtë kishim ndërmend. Vetëm se kësaj radhe kishte një gjë të paktën, të tërë ishim të mendjes që ai si personalitet politik kishte marrë fund.
ENVER HOXHA: Po, po, me ato që bëri kishte marrë fund.
SIMON STEFANI: Nuk mbante më.
ENVER HOXHA: Të gjithë pyesin si e bëri ky njeri aktin e kësaj krushqie?
SIMON STEFANI: Partia nuk do të pranonte që Mehmet Shehu të qëndronte në udhëheqje.
ENVER HOXHA: Nuk do ta pranonte. Edhe “alibia” e shtyu atë në aktin që kreu. Ia kishte futur edhe Kadri Hazbiu shiringën atij më përpara.
RAMIZ ALIA: Edhe Kadriu i zanatit ishte. Termi “alibi” përdoret tamam në rast fshehje të krimit, siç ishte vepruar në realitet nga ana e tij.
ENVER HOXHA: Ashtu është, përpjekje për fshehje krimi kishte nga ana e tij.
RAMIZ ALIA: “Atëherë na thuaj çfarë krimi ke bërë ti?”
ENVER HOXHA: Ç’krim ke bërë ti, se kjo që na thua s’është gjë, nuk na sqaron asgjë? Dhe Kadri Hazbiu i tërhoqi atij vëmendjen të shikonte mirë, se kishte edhe gjëra të tjera. “Prandaj largohu me këtë ti, se mbarove”, do t’i ketë thënë Kadriu, duke vazhduar: “Tani prit të të shpëtojmë ne të tjerët dhe të gjithë së bashku të ecim në rrugën tënde”. Dhe këta ngordhën.
SIMON STEFANI: Ngordhën ata qenër, ata maskarenj.
ENVER HOXHA: Kështu duhen kuptuar këto gjëra në rrjedhën e historisë. Se jo të gjithë i kuptojnë kështu. Para disa ditësh më shkruante një letër një njeri që thotë se është anëtar Partie. “Mehmet Shehu, thotë ai, ka bërë një krim, na ka hequr derrin nga oborri, që për 400 vjet as Turqia nuk na e hoqi dot”.
RAMIZ ALIA: Katolik duhet të jetë ky njeri. Se e lidh derrin me fenë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura