Energjia, FMN: Qeveria të hartojë model të ri tregu

Jan 13, 2013 | 11:40
SHPËRNDAJE

Energjia, si sektori më problematik aktual në Shqipëri, nuk ka kaluar pa u komentuar edhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, i cili në raportin e tij të fundit bën edhe propozime konkrete për qeverinë.

Sipas FMN-së, duke pasur parasysh situatën ku është katandisur shpërndarja, qeveria duhet të hartojë një model të ri tregu dhe të bëjë edhe përmirësime në kuadrin rregullator të disa industrive kyçe. “Të bëhen përmirësime në kuadrin rregullator të post-privatizimeve në industritë kyçe. Duke pasur parasysh rëndësinë e sektorit të energjisë për rritjen, por edhe risqet, stafi këshilloi autoritetet që të vijojnë të punojnë nga afër më Bankën Botërore për të korrigjuar pengesat në funksionimin e tregut të energjisë. Stafi nënvizoi rëndësinë e një modeli të vetëqëndrueshëm që nuk varet në përfshirjen e qeverisë (për shembull importet apo investimet)”, thuhet në raportin e Fondit. TARIFAT Për qeverinë, nuk shihet si i nevojshëm ndryshimi i tarifave, pasi ato janë pak a shumë të njëjta me vendet e rajonit. Në dështimin që pati shpërndarja si operator në sistemin e energjisë, faturimi i fajit është në adresë të mungesës së investimeve nga kompania “CEZ” dhe jo te rregullimi i tarifave. Në raportin e FMN-së sqarohet edhe ky pretendim i qeverisë, duke theksuar në fund se ekspertët sugjerojnë që mbështetja financiare për importet është themelore, në mënyrë që të mos ketë ndërprerje të energjisë. “Zgjidhja e problemeve në sektorin energjetik është kritike. Autoritetet përshkruan dobësinë ekzistuese të lidhur me dështimin e shpërndarjes për të kryer investimet e kërkuara dhe nuk shohin ndryshime në çmimet e shitjes si të nevojshme, për aq kohë sa tarifat në Shqipëri janë të krahasueshme me ato në vendet e tjera fqinje. Deri në adresimin e këtyre problemeve, mbështetja e qeverisë, duke përfshirë këtu edhe financimin e importeve emergjente të energjisë, do të jetë domethënëse për të evituar ndërprerjet e dritave”, vlerëson Fondi Monetar Ndërkombëtar. Aktualisht, situata në vend në sektorin e energjisë është komplikuar, pasi në njërën anë është CEZ që ka nxjerrë në shitje aksionet e veta në CEZ Shpërndarje dhe në anën tjetër është qeveria, e cila është në proces të heqjes së licencës për kompaninë.

NERTILA MAHO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura