Enela Gjoni (Lamnica), drejtoresha e informacionit në Top Albania Radio: Unë menaxhoj shtëpinë, im shoq vë vulën

Mar 24, 2015 | 11:32
SHPËRNDAJE

Çfarë do të bënte një besimtare e krishterë nëse i shoqi do ta tradhtonte? Drejtoresha e informacionit në Top Albania Radio, nuk do të donte as ta mendonte. Por nëse do të ndodhte, thjesht do të vazhdonte jetën e saj, pa hakmarrje. Enela Gjoni Lamnica në një rrëfim për familjen dhe besimin në Zot

Besimi është filli që mban bashkuar bukur familjen e tyre. Njohja dhe dashuria e tyre është ngritur mbi këtë besim dhe me frymën e këtij besimi, ata rrisin edhe djalin e tyre të vogël, Doenin.
Ajo është drejtoreshë e informacionit në Top Albania Radio, pas një pune prej 11 vitesh në radio, ndërsa ai një kompozitor i suksesshëm. Bëhet fjalë për Enela Gjonin dhe bashkëshortin e saj, Dorian Gjoni dhe historinë e marrëdhënies së tyre, për të cilën Enela rrëfen diçka më tepër në “Unë gruaja”…
Të përkushtuar të dy pas punës, ajo në gazetari e ai në muzikë, megjithatë familja është strehëza që i ngroh dhe ku Enelës i bie të mbajë një peshë shumëfishe, ndërkohë që Dorianit i vlerëson përkujdesjen dhe orët e gjatë të punës…
“E kuptojmë shumë mirë njëri-tjetrin për punën dhe orët e vona. I kemi dhënë secilit lirinë për të punuar pa pengesë dhe xhelozira të kota. Me Dorin jemi njohur në një kishë protestante. Ai është njeriu më i komunikueshëm që kam njohur”, rrëfen Enela.
“Dori, një burrë i kujdesshëm”
Ndërsa flet për një “burrë të mirë”, e ka vështirë ta përkufizojë ngushtë, megjithatë mendon se një familje e suksesshme, “është një familje që jeton dhe praktikon parimet biblike”.
Megjithatë, sipas Gjonit, për të qenë një burrë i mirë në familje janë disa “pika kyçe” që mund të rrëfejnë: Kur burri di përgjegjësitë e veta në familje dhe në marrëdhënie me bashkëshorten e fëmijët. “Disa pika të mira të bashkëshortit tim do të veçoja përkujdesjen, ndihmën në familje, të qenit një dëgjues, një mik dhe kritik i mirë në familje. Burri por dhe gruaja, duhet të jenë tolerantë dhe të dinë të falin”, pohon gazetarja Gjoni, ndërsa pohon se roli i saj në familje është i shumëfishtë dhe se i duhet që si nënë të ketë përgjegjësi dyfishe në rritjen dhe edukimin e të birit.
Rritja e djalit, kam përgjegjësi dyfishe
 “Unë kam një rol të shumëfishtë. Së pari, një amvisë që nis me përkujdesjen për shtëpinë, për ushqimin, për një jetesë të shëndetshme. Padiskutim që bashkëshorti im merr pjesë në këto procese, më ndihmon dhe jep kontribut, sigurisht kur ka kohë. Mundohem të kem një rol rregullator dhe paqësor në shumë vendime. Si nënë kam përgjegjësi dyfishe, pasi këtu hyn dhe përkujdesja dhe edukimi i fëmijës. Bashkëshorti im punon më shumë orë në ditë dhe të dy i ndajmë përgjegjësitë në familje sipas mundësive”, shpjegon Gjoni. “Në familje jam unë që gatuaj dhe bëj menaxhimin e shtëpisë. Ndërsa për çështje të rëndësishme, Dori, u vë vulën, pasi ai është kreu i familjes, por sigurisht në konsultim me mua”.

“Si më ndryshoi jetën besimi”
Shprehet se besimi te Jezusi i ka ndryshuar jetën. Praktikante e besimit protestant, Enela Gjoni shpjegon se ishte vetëm 14 vjeç kur përqafoi këtë besim. “Isha në moshën më delikate kur jeta nis e merr një kthesë të madhe, kur pikëpyetjet nisin e bëhen më të forta. Isha në këtë moshë delikate kur u njoha me Jezusin dhe Librin e Biblës. Kisha nevojë për një mbështetje dhe një fokus në besimin tim. Ishte diçka e brendshme që më shtynte dhe çdo ditë nisa të rritesha në besimin drejt Zotit”, pohon ajo, ndërsa shton se mundohet të rrisë edhe djalin “me frymën e të besuarit në Zot, me lutjet që bëjmë bashkë çdo natë”.
Ashtu si dhe ajo, edhe bashkëshorti i saj, kompozitori Gjoni, beson në Zot, porse ai “ka mënyrën e tij të të besuarit”, që “është individuale, e brendshme”. Përtej çdo diference, ajo shprehet se “Besimi te Jezusi, ka patur një ndikim të madh në jetën e tyre”. “E prekshme, e dukshme, në çdo aspekt. As paraja, as pushteti, asgjë nuk e mbush zemrën e njeriut. Kur ke besim te Zoti, di të presësh, di të kontrollosh veten, di të reagosh, di të falësh, di të japësh dashuri. Të gjitha këto i bën, sepse ke dëshirë të bësh gjërat që Zoti kërkon”.
Homoseksualiteti, divorci, tradhtia…
Ndërsa flet për Biblën dhe mësimet e saj, “çështje” për të cilat është interesante të diskutohet janë marrëdhëniet seksuale, në rastet kur këto janë të dënueshme dhe divorci.
Kështu, sipas mësimeve të saj, Enela pohon se që në fillim, kur Zoti krijoi mashkullin dhe femrën “na shfaqi vetëm një lloj marrëdhënieje, martesën burrë-grua”. “Në Bibël flitet se homoseksualizmi është një praktikë e gabuar dhe e dënueshme jetese. Ky stil jetese jo vetëm dëmton ata që e praktikojnë, por edhe shoqërinë në të cilën ndodhen”, shprehet ajo. Ndërsa vijon se për sa i përket divorcit, ajo ashtu sikurse dhe bashkëshorti kanë të drejtë ta kërkojnë atë, “në rastet e tradhtisë bashkëshortore dhe të një dhunë ekstreme fizike”. “Këto janë faktorë kyç. Por ka dhe shumë faktorë që ndikojnë në divorcin e një çifti. Nuk mund të them që gjërat janë të prera me thikë”, saktëson Gjoni, ndërsa shpjegon se nuk di se si mund të reagojë, në rastin e një tradhtie të mundshme.
“Kam menduar shumë gjëra rreth kësaj, nëse do të ndodhë. Nuk di të them se cili është reagimi im. Mendoj shpesh a kam forcë mjaftueshëm për të falur bashkëshortin tim, apo do të jem e prerë. Nuk do të doja të përjetoja një tradhti bashkëshortore, ashtu siç asnjë femër nuk do të dëshironte. Nuk kam ende një përgjigje për këtë”, shprehet Gjoni, ndërsa vijon se nëse tradhtia ndodh, ajo që mund të bënte do të ishte vetëm “të vazhdoja jetën time, pa asnjë lloj hakmarrjeje tjetër”.

Martesa, një ceremoni surprizë

Enela Gjoni me të birin
Një surprizë e bukur për të e që do të vazhdojë të mbetet e tillë ka qenë ceremonia e dasmës. E bindur që bashkëshorti nuk do të zhvillonte një ceremoni të tillë, Enela përgatiti një ceremoni të thjeshtë me njerëzit e afërm të fisit dhe mendoi se kaq do të ishte e gjitha. Por Dori kishte në mendje tjetër gjë…
“Ai më bëri surprizë vetë ceremoninë e dasmës. Kur nuk e prisja, më mori dhe më çoi te lokali, ku më priste e gjithë shoqëria ime”.

BLERINA GOCE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura