Emi Canaj: Unë, aktorja plot fantazi në klipin e Vin Velit dhe miqësia jonë e gjatë. Pas filmave me vrasje synoj Hollivudin

Nov 10, 2019 | 21:30
SHPËRNDAJE

Klotilda Harka/ Nga vrasësja seksi në filmat shqiptarë aksion, aktoren Emi Canaj e shohim në “vrasësen” e heshtur në dashuri në klipin e Vin Velit, me titull “Miles Away”. Për miqësinë e hershme me Dj-in e njohur, femrën e fortë, koketë e plot fantazi që solli në projektin e tij, pasionin për armët dhe ambicien për të prekur Hollyivudin, Emi i rrëfen në këtë intervistë për “Panorama Plus”. 

E veshur me një fustan tyl të zi shfaqesh shumë seksi në klipin e Vin Velit. Si ndodhi që u bëre pjesë e një projekti muzikor? 

Projekte të tilla, ku bashkohet aktrimi nën tingujt e muzikës, është vështirë të shohim në Shqipëri. Ky ishte një propozim i dyanshëm si nga Dj i mirënjohur dhe miku im prej vitesh, Vin Veli, gjithashtu dhe nga kompania ime e realizimit të videokipeve, E Production me D.O.P, Erald Duka që bëri të mundur realizimin e ideve dhe punëve për këtë videoklip, si të miat dhe të Vinit.

Interpretimi yt bie në sy, ku duket se ëndërron për dikë që s’është më. Cila është simbolika e vërtetë e fabulës? 

Interpretimi im në këtë video ka të bëjë me një femër të fuqishme, por edhe koketë në të njëjtën kohë, e cila është në një botë të sajën, shumë-shumë larg realitetit. Dhe gjithmonë duke dëgjuar tingujt e kësaj kënge, ajo do të ikë me kilometra larg, që askush mos të kuptojë këtë botë që ajo ka, e qeshur, lozonjare, e trishtë, e lirshme, me plot fantazi. Prandaj dhe videoklipi është në ngjyrat bardh e zi, gjë që nuk të lejon të futesh në këtë botë që kjo vajzë është, por thjesht e sheh dhe e kupton nga jashtë. Detaj ky, që e bën më intriguese tek e sheh.

Realisht, do të sakrifikoje për dashurinë sa të rendje si e çmendur pas saj? 

Në realitetin tonë që jetojmë sot është pak vështirë, por për dashurinë e vërtetë do ta bëja dhe do rrezikoja çdo gjë. Prandaj quhet dashuri e përjetshme, të dy të pandashëm. (Qesh) Si je njohur me Dj. Vin Velin dhe si e prite propozimin për t’i dhënë jetë e për të aktruar duke hyrë në gjendjen e muzikës së tij? Me Dj-in e mirënjohur dhe mikun tim, Vin Veli, kemi një miqësi pothuajse që të vegjël. Duke dëgjuar gjithmonë punët fantastike dhe tingujt magjepsës që ai realizon, e përshtatur në pantomimë (pjesë të aktrimit) vendosëm të realizonim këtë bashkëpunim jo vetëm për tregun e Shqipërisë, por edhe për jashtë vendit. Synimi i kësaj videoje dhe muzike është jashtë Shqipërie, duke e shprehur dhe në titullin e vet këngës, “Miles Away”.

Deri tani je njohur për rolet në skenarë me aksion e vrasje, në filma si “Balkan Blood” apo “Pit Stop Mafia”. Të trembin armët, zjarri dhe gjaku? 

Jam shprehur gjithmonë që një nga pasionet e mia janë armët. Në filma është shumë e lehtë dhe pa frikë mund t’i përdorësh ato, pasi janë armë manovër. Por t’ju them të drejtën, më tremb përdorimi i armëve dhe skenat aksion në realitetin shqiptar në ditët e sotme.

Jashtë kinemasë, do të preferoje në jetën reale një të dashur romantik, apo gangster? 

(Qesh) Interesante kjo pyetje… Do të thosha që çdo gangster në vetvete ka një anë shumë romantike, që kush di arrin ta zbulojë. Por një romantik nuk bëhet dot kurrë një gangster.

Ti je një bionde tipike, apo tipi yt nuk kushëtozëhet nga stereotipi klishe për biondet? 

Unë i kam eksperimentuar të gjitha ngjyrat e flokëve dhe kam ndaluar te biondja se mendoj që më përshtatet më shumë. Është bukur kur të gjykojnë nga ngjyra e flokëve dhe në realitet je tjetër karakter. Është surprizë për njerëzit, të cilët kur të njohin nuk largohen më.

E ndien veten një femër fatale, se cilës meshkujt i ulen në gjunjë? 

Çdo femër në jetë është fatale dhe kjo është mrekullia, të cilën e ka krijuar Zoti. Nuk ka mashkull që në një ditë apo në një tjetër s’do t’i ulet në gjunjë. Cili është filmi që ke ëndërr të luash dhe me cilin aktor nuk do të refuzoje një skenë intime? Unë jam e specializuar për zhanrin aksion dhe aventurë. Deri më tani, ëndrrën time e kam realizuar me të gjitha produksionet, si shqiptare dhe të huaja, me të cilat kam punuar. Ëndërr në sirtar nuk më mbetet asnjë, por synimi kryesor është të prek Hollivudin. Aktor për skena intime? Mmmm… më besoni, nuk do të ndodhë kurrë!

Që të bëhesh aktore shqiptare me shumë yje, pra e mirëpaguar, çfarë strategjie do të ndjekësh? 

Më besoni që për tregun shqiptar jam në grupin e aktoreve më të paguara në filmat që kam punuar. Por në tregun e huaj do të doja të eksperimentoja më shumë për të arritur synimin që unë kam. Pse jo?! Çdokush nga vetja kërkon maksimumin, sa më shumë të kesh, më shumë do kërkosh.



NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura