Emërimet në gjyqësor, Manjani gënjen hapur për renditjen e magjistratëve

Jun 24, 2016 | 16:57
SHPËRNDAJE

Gjashtë magjistratë të profilit gjyqtarë të vitit akademik 2014- 2015 kanë paditur pak ditë më parë në Gjykatën Administrative të Tiranës, Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Ata kanë ngritur pretendimet se KLD nuk ka marrë parasysh renditjen e vlerësimit të tyre, si dhe vullnetin e vetë magjistratëve për gjykatat vakante ku donin të emëroheshin.

Paditësit janë pjesë e nëntë magjistratëve për të cilët në mbledhjen e fundit të KLD-së, atë të 20 qershorit 2016, u propozua emërimi përfundimtar i tyre në gjykata të ndryshme të vendit.

magjistratet

Sot, ky propozim është dekretuar nga Presidenti i Republikës Bujar Nishani. (lexoni këtu më shumë)

Për herë të parë, që pas brezit të parë të magjistratëve të emëruar në vitin 2000, Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka propozuar emërimet e magjistratëve gjyqtarë bazuar në një procedurë shorti.

Magjistratët e kanë vlerësuar të paligjshme dhe jotransparente procedurën e ndjekur nga ana e KLD-së.

Në një reagim për mediat sot, ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani duke folur për vendimin e marrë nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë mbi emërimin e magjistratëve të rinj në bazën e shortit, tha:

“Këta njerëz paguhen nga shteti edhe kur janë studentë dhe janë të gatshëm teorikisht sipas betimit, që t’i shërbejnë Republikës kudo që ajo ka nevojë dhe kjo është baza që duhet kuptuar. Së dyti nuk është e thënë që të kesh dalë mirë në shkollë dhe duhet të emërohesh në Tiranë. Gjykata e Tiranës dhe Gjykata e Tropojës, ligjërisht dhe nga pikëpamja kushtetuese janë njësoj. U shërbehet qytetarëve njësoj dhe pa asnjë paragjykim dhe nuk ka përse të krijohen diferenca të kësaj natyre siç kanë ndodhur për hir të së vërtetës në të shkuarën.

Në rastin në fjalë, një numër magjistratësh që kishin mbetur pa punë, ndërsa shteti vazhdon i paguan, ndërkohë që kishim dhe kemi vende vakante, meqë ishin vlerësuar njësoj me “shumë mirë”, atëherë vendosëm që të caktohen me short, një procedurë e paanshme, që nuk ka përse t’i japi hapësirë dikujt që ka mik dhe të ndëshkojë dikë që nuk ka.

Kjo është një procedurë që unë e kam mbështetur në Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe me thënë të drejtën m’u duk shumë e ndershme. Shumë më e ndershme kështu se sa të krijojmë hapësira të tipit të komiteteve ekzekutive, ku po të ishe nxënës i mirë merrje bursën e mirë”, u shpreh Manjani.

Ndërkohë që Manjani thotë se ata janë vlerësuar të gjithë njësoj me “shumë mirë”, e vërteta është krejt ndryshe. Sipas magjistratëve, Këshilli i Lartë i Drejtësisë nuk ka zbatuar nenin 20 i ligjit “Për Shkollën e Magjistraturës”.

Ky nen sanksionon procesin e vlerësimit të magjistratëve nga Magjistratura, të dhëna që i përcillen më tej Presidentit të Republikës për të bërë emërimin përfundimtar të tyre në vendet vakante, në përputhje me shkallën e vlerësimit të tyre nga shkolla.

Ata kanë ngritur pretendimet se KLD nuk ka marrë parasysh renditjen e vlerësimit të tyre, si dhe vullnetin e vetë magjistratëve për gjykatat vakante ku donin të emëroheshin.

Ja edhe tabela më poshtë që tregon shkallën e vlerësimit të tyre nga shkolla:

tabela-e-magjistrateve

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura