Emërimet në arsim/ Mësuesit me përvojë kundër MAS: Favorizohen të rinjtë

Jun 4, 2019 | 15:02
SHPËRNDAJE

Udhëzimi i ri për procedurat e pranimit dhe emërimit të mësuesve ka vënë kundër mësuesit e rinj me ata që kanë vite në arsim.

Alma Lama, kryetare e Sindikatës së Pavarur të Arsimit për degën Tiranë
Alma Lama, kryetare e Sindikatës së Pavarur të Arsimit për degën Tiranë

Këta të fundit shprehen hapur se me këtë dokument, Ministria e Arsimit favorizon dukshëm fillestarët, duke anashkaluar ata që kanë eksperiencë më të gjatë dhe kualifikim. Zërin për mësuesit e ngre një prej tyre, Alma Lama, që është njëkohësisht kryetare e Sindikatës së Pavarur të Arsimit për degën Tiranë.

Ndryshimet në procedurën e pranimit të mësuesve, sipas saj, janë të pamenduara. Pavarësisht viteve në profesion, mësuesit vihen në të njëjtën peshore.

“Nuk jam kundra të rinjve. Madje, ç’është e vërteta më pëlqen që gjuha e huaj vlerësohet. Por ata e kanë gjuhën e huaj të detyrueshme për të marrë diplomën master. Kjo është një plus për ata dhe minus për brezin tim. Duhet diferencë te shkalla e kualifikimit. Për shembull, një mësues që sapo ka marrë licencën vlerësohet me një pikë, ndërsa një mësues mjeshtër me 20 vite punë merr vetëm 4 pikë. Janë përpjekur të bëjnë diçka, por është e pamenduar mirë. Duke dashur të favorizojnë mësuesit e rinj, kanë lënë jashtë barrën e eksperiencës”.

ARGUMENTET

Gjërat kanë ndryshuar. Nëse deri dje, ishin mësuesit e rinj ata që ankoheshin që nuk merreshin në punë për shkak të mungesës së përvojës, tashmë janë ata me eksperiencë të pakënaqur me vlerësimin që i bëhet kontributit në arsim. Referuar tabelës së vlerësimit të elementëve të dosjes personale të mësuesve (tabela shoqëruese e shkrimit), një mësues i sapodalë nga auditoret, me stazhin dhe provimin e shtetit që janë kritere për ta, automatikisht marrin një pikë nga licenca dhe minimalisht 2 (nga 4 të tilla nëse e mbrojnë në nivel B2). Paralelisht me të, nëse një mësues me 10 vite punë do të përballej me të parin për të njëjtin vend, fiton jo më shumë se 2 pikë nga kualifikimi.

Pikët e gjuhës së huaj, për këtë të fundit janë fakultative, në bazë të dëshirës dhe mundësive të tij. Këto janë dy pikat ku mësuesit mbështesin fort argumentet kundër këtij udhëzimi.

dosja

“Së dyti, eksperiencën e mësuesit dhe kualifikimin e vlerëson shumë ulët në pikëzim me diferencë të vogël pikësh midis një fillestari dhe një mësuesi mjeshtër nga 1 në 4 pikë. Gjithashtu, udhëzimi favorizon mësuesit e rinj, të cilët futen në 3 plus 2 me gjuhë të huaj të mbrojtur të detyrueshme. Dakordësohem që gjuha e huaj është një kërkesë e kohës dhe çdo mësues për 6 muaj e fiton nëse i vë objektiv vetes”, thotë përfaqësuesja e mësuesve sindikalistë në kryeqytet. Po kaq e rëndësishme për të është edhe investimi i mësuesve, pasi kanë dalë nga auditoret që nuk përfillet aspak në udhëzim.

“Nuk merret parasysh formimi pasuniversitar i një numri të madh mësuesish (formim ky që ka rritur automatikisht backgraund-in dhe cilësinë e tyre në arsimim si dhe i ka bërë më mendjehapur mësuesit që janë sot pjesë e sistemit). Skema vlerëson vetëm formimin universitar dhe lë jashtë formimin pasuniversitar të qindra mësuesve”. Veç kësaj, kërkohen saktësime në rastin e ndërprerjes së marrëdhënieve të punës për shkak të mungesës së ngarkesës mësimore. “Mungon shtojca orientuese sesi do të vlerësojnë prindërit dhe psikologu. Po ashtu, mësuesi që ka fituar si 1, si 2 apo 3 kredite, merr 1 pikë (mungon diferenca midis krediteve)”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura