Eksodi, Nishani në Shishtavec: Qeveritarët të lënë urgjent zyrat dhe t’u ndodhen pranë qytetarëve (FOTO)

Apr 26, 2015 | 17:08
SHPËRNDAJE

UPDATE/ Presidenti i Republikës Bujar Nishani ka pasur sot një takim me banorët e Shishtavecit, me të cilët, ka ndarë shqetësimin se largimet masive nga vendi janë një fenomen kombëtar.
[portfolio_slideshow] 

Në një njoftim për mediat, zyra e shtypit pranë presidencës thekson se kreu u Shtetit ndan me dhimbje shqetësimin për largimet masive familjare qe kanë prekur edhe këtë zonë të Shqipërisë, ashtu sikurse shumë zona të tjera të vendit. “Duke bërë apel për mosbraktisjen e shtëpive, fshatrave e qyteteve, Presidenti iu bashkua shqetësimit të banorëve për zgjidhjen emergjente të situatës dhe ofrimin e planeve zhvillimore afatmesme e afatgjata për këto zona. Duke parë tronditjen e thellë të besimit dhe mungesën e shpresës, Presidenti Nishani i bëri thirrje qeverisë që të lerë urgjent zyrat dhe t’u ndodhen pranë qytetarëve të vendit të dëgjojnë shqetësimet dhe t’u japin zgjidhje problemeve të tyre”,-thuhet në deklaratën për mediat.

Duke dënuar skemat e mashtrimit që elementë kriminalë përdorin në dëm të qytetarëve, Presidenti bëri thirrje edhe një herë që zgjidhja të mos shihet tek mbyllja e kufirit, por tek dhënia e alternativave dhe zgjidhjeve konkrete.

Sipas zyrës së shtypit të presidencës, kryetari i Komunës, ai i Qarkut dhe banorët e zonës informuan mbi kushtet e vështira të jetesës, dhe veçanërisht për vrasjen e shpresës tek të rinjtë, të cilët shohin të vetmen alternativë braktisjen e vendit. Ata kërkuan nga Presidenti sensibilizimin dhe vënien përpara përgjegjësive të qeverisë, ndalimin e retorikës së ashpër politike dhe fokusimi tek problemet reale të qytetarëve dhe kërkuan ndihma humanitare për të ndaluar shpopullimin e verilindjes së Shqipërisë. Banorët e zonës kërkuan mbështetje për përkrahjen e projekteve që kanë hartuar në nivel lokal, përfshirë në subvencionimin, sigurimin e tregjeve për shitjen e produkteve bujqësore si dhe realizimin e projekteve infrastrukturore dhe ndër-kufitare.

“Presidenti Nishani premtoi se do ta ndjekë me përparësi absolute këtë situatë, do të kërkojë mbështetjen dhe zbatim të menjëhershëm të projekteve lokale dhe do kërkojë nga ekzekutivi ndërmarrjen e politikave qeverisëse urgjente për ndalimin e kësaj hemorragjie me përmasa kombëtare”,-njofton presidenca.

Numri i lartë i personave që po largohen në drejtim të Gjermanisë ka shqetësuar ditët e fundit autoritetet vendase dhe të huaja. Këta të fundit, u kanë bërë të qartë shqiptarëve se nuk kanë asnjë mundësi për të përfituar azil në Gjermani.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura