EKSKLUZIVE/ “S’kishte bir nëne të kundërshtonte’, rrëfimi i ish-kryeprokurorit të Enverit për arrestimin e sekretarit personal të Enverit: Mbledhja që e kryqëzoi

Aug 20, 2019 | 13:35
SHPËRNDAJE

AFRIM IMAJ/ Ka qenë mesnata e 10 nëntorit 1981, kur forcat e Policisë Sekrete kanë arrestuar në fshehtësi Vahid Lamën, juristin që kishte punuar 13 vite në paradhomën e Enver Hoxhës. Pak ditë më parë, kur përgatitej të merrte pjesë në Kongresin e VIII të Partisë, sekretari personal i Sekretarit të Parë të KQ ishte shkarkuar nga detyra dhe ishte internuar familjarisht në një fshat malor të Gramshit.

Arrestimi i tij menjëherë pas mbylljes së punimeve të Kuvendit historik të Partisë ishte certifikuar më herët në zyrat e KQ, aty ku më parë ishte kryqëzuar për veprimtari armiqësore ndaj vijës së Partisë. Prej këtej, Vahid Lama iu nënshtrua një kalvari pa fund në ferrin e burgjeve të komunizmit, për t’u kthyer pranë familjes në fillimin e viteve ‘90. Goditja e befasishme e tij, ka qenë nga ato raste kur Rrapi Mino, ish-Prokuror i Përgjithshëm duhej të zyrtarizonte dramën e tmerrshme për mikun e ngushtë, çfarë nuk e kishte menduar kurrë.

Po si është gjendur ai përballë kësaj të papriture, si ka operuar me procedurat që ia detyronte funksioni për ta bërë shokun e afërt banor të qelive të tmerrshme të burgjeve famëkeqe dhe çfarë raportesh ka mbajtur me të pas rikthimit në liri. Në rrëfimin për gazetën “Panorama” autoriteti më i lartë i organit të akuzës të regjimit komunist kujton disa prej momenteve kryesore të kësaj historie, duke veçuar mënyrën si mbeti miku i tij viktimë e spiunimit të kolegëve ish-punonjës të aparatit të KQ të Partisë, me të cilët kishte punuar plot 13 vjet pa ndërprerë…

Rrapi Mino duke folur për “Panorama”

 

Ju pastaj firmosët urdhërarrestin për mikun tuaj…

Nuk e kam firmosur unë atë urdhërarrest. Nuk mund ta firmosja në asnjë rrethanë. Kishte hapësirë procedura që Prokurori i Përgjithshëm jo detyrimisht duhej të ishte firmëtar i këtyre urdhrave. Pavarësisht se isha i bindur që procesi i tij ishte futur në një rrugë pa kthim dhe e dija fare mirë fatin e mikut tim pas kësaj.

Pra, e kundërshtuat urdhrin, qoftë edhe në heshtje, duke e vlerësuar të padrejtë…

Nuk kishte bir nëne që mund të kundërshtonte një urdhër të këtij lloji. Ca më tepër, kur denoncuesit nuk ishin qytetarë të zakonshëm, por zyrtarë të rëndësishëm të aparatit të Komitetit Qendror. Thashë, që rasti e deshi një shmangie thjesht për procedurë. Një shmangie në heshtje, për të qenë në paqe me veten…

***

Vahid Lama

Juristi që punoi 13 vite në zyrën e diktatorit

Vahid Lama lindi në mars të vitit 1934. Në vitin 1954 përfundoi gjimnazin e Shkodrës. Në vitin 1958 u diplomua jurist, pas përfundimit me rezultate të shkëlqyera të studimeve të larta në Fakultetin e Shkencave Juridike. Deri në vitin 1966 kreu detyrën e kryetarit të Gjykatës së Rrethit të Krujës. Prej këtej u zgjodh anëtar i Gjykatës së Lartë. Në vitin 1969 u emërua ne Komitetin Qendror të PPSH-së, me detyrë ndihmës i Enver Hoxhës. Në Kongresin VII të Partisë u zgjodh kandidat i Komitetit Qendror. U arrestua në vitin 1981 dhe, në procesin gjyqësor të një viti më vonë, u dënua me 10 vjet heqje lirie për “agjitacion dhe propagandë”. Në këtë kohë i internojnë edhe familjen. Me daljen nga burgu, në vitin 1990 u sistemua në qytetin e Krujës dhe për pesë vjet ushtroi profesionin e avokatit. Në vitin 1995 u emërua drejtor departamenti në Ministrinë e Drejtësisë. Një vit më vonë dha dorëheqjen. Nga viti 1997 deri në vitin 2004, kur doli në pension, ishte këshilltar juridik në Gjykatën e Lartë. Vdiq në vitin 2008.

Nga mbledhja në Aparatin e KQ

Mbledhja në aparatin e KQ, që kryqëzoi Vahid Lamën

KQ-së, në mbledhjen rrufe të datës 27 tetor 1981, ka përjashtuar nga të gjitha funksionet Vahid Lamën. I pari që ka orientuar debatin ka qenë Simon Stefani, ish-sekretar i KQ-së. “Jemi këtu,- ka artikuluar ai,- për të demaskuar dhe dënuar një armik të fshehtë e të rrezikshëm, të cilin udhëheqja e partisë, pasi e ka ndjekur me vëmendje, e ka shkarkuar sot nga të gjitha detyrat dhe funksionet partiake”.

Përveç pretencës së Stefanit, në ato që përmban dokumenti i mbledhjes, dallon agresiviteti i Haxhi Kroit, ish-shefit më jetëgjatë të kabinetit të Hoxhës. “Lama nuk e meriton teserën e partisë,- ka nisur ai,- për pasojë, as detyrën në aparatin e KQsë. Ai ka mbështetur idetë armiqësore të tradhtarëve Bedri Spahiu e Tuk Jakova”. I befasuar nga furtuna e shefit të tij, Lama ka provuar të ndërhyjë, por është gjendur sërish në rrebeshin e Kroit. “Ç’kujtoi ky armik i betuar, që mbërriti me marifete në instancat e larta të partisë, deri te zyra e shokut Enver, se do bënte ç’të donte në dëm të partisë dhe popullit?! Se do vazhdonte të fyente pa fund shoqen Nexhmije dhe shokun Ramiz, që e mbajtën afër dhe e deshën aq shumë?!

Pjesa tjetër e monologut të Haxhi Kroit, zyrtarit më të vjetër të aparatit të KQ-së, përvijon me zhargonin “Tradhtar”, “Bukëshkalë”, “I pabesë”, për t’i lënë radhën propozimit për ta prangosur në sallë, se “edhe plumbi për të është pak”. Dokumenti i mbledhjes nuk përmban asnjë rresht nga reagimi i Vahid Lamës përballë akuzave nga më absurdet. Në kujtimet e tij, Lama shkruan se ka provuar disa herë të çohet e t’i kundërshtojë, por ka qenë e pamundur ta lejojnë. I urdhëruar nga Stefani vetëm të dëgjojë, ka hapur bllokun dhe aty për aty ka shënuar morinë e pafundme të pyetjeve të përçartura: Kush fshihet pas qëndrimeve të tua antiparti? Me cilat elemente borgjezo-revizionistë ke bashkëpunuar? Për ç’arsye ke mohuar rolin e shokut Enver në themelimin e partisë? Përse ke thënë që shoqja Nexhmije është e paekuilibruar në marrëdhëniet me bashkëpunëtorët? Përse ke deklaruar që shoku Ramiz është hipokrit? Përse ke mburrur Abaz Kupin dhe bëmat e tij?… “Furtuna në gotë”, sipas Vahid Lamës, vazhdoi deri në mesnatë për t’u mbyllur me njoftimin e përjashtimit nga Partia dhe shfaqjen e oficerëve të Sigurimit te dera e sallës…

Vijon…

*Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

Mund të lexoni gjithashtu pjesët e kaluara

(Kliko mbi titullin)

1- EKSKLUZIVE/ Rrëfimi për herë të parë i ish-Kryeprokurorit të Enverit: Ju tregoj qelinë sekrete ku ju hidheshin prangat byroistëve brenda Komitetit Qendror

2- EKSKLUZIVE/ Rrëfimi i ish-kryeprokurorit të Enverit: Beqir Balluku darka me qengja të therur, faktet për degjenerimin moral të gjeneralëve

3- EKSKLUZIVE/ Rrëfimi i ish-kryeprokurorit: Puna në zyrën sekrete me letrat e Enverit, si shpëtoi gazetari nga burgimi

4- EKSKLUZIVE/ Ish-kryeprokurori i Enverit: Ju rrëfej takimin e parë me Kadri Hazbiun në qeli me porosinë e Hoxhës, pse ankohej për tortura

5- EKSKLUZIVE/ Rrëfimi i ish-kryeprokurorit të Enverit: Lidhja vëllazërore mes Kadri Hazbiut dhe Aranit Çelës, si e dënoi më pas me pushkatim

6-EKSKLUZIVE/ Ish-kryeprokurori i Enverit rrëfen takimet me Kadri Hazbiun në burg: E mbanin në kashtë e dërrasë që të mos…

7- EKSKLUZIVE/ Rrëfimi i ish-kryeprokurorit të Enverit: Kafet në mesnatë të Fiqirete Shehut, pse gjyqi i grupit të Hazbiut u bë në Burgun 313

8-  EKSKLUZIVE/ Rrëfimi i ish-kryeprokurorit të Enverit: Si tentuan Kadri Hazbiu dhe Feçor Shehu të shmangnin skuadrën e pushkatimit

9- EKSKLUZIVE/ Rrëfimi i ish-kryeprokurorit të Enverit: Ç’më tha Kadri Hazbiu kur i dhashë urdhrin e pushkatimit në qeli

10 – EKSKLUZIVE/ Rrëfimi i ish-kryeprokurorit të Enverit: Si u ngritën akuzat ndaj Abdyl Këllezit, Kiço Ngjelës dhe Koço Theodhosit

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura