EKSKLUZIVE/ Rrëfimi i ish-kryeprokurorit: Puna në zyrën sekrete me letrat e Enverit, si shpëtoi gazetari nga burgimi 

SHPËRNDAJE

“Për t’u ulur në karrigen e Prokurorit të Përgjithshëm, m’u desh të kaloja nga paradhoma e Hysni Kapos”. Pavarësisht se këtë fakt Rrapi Mino e pohon si diçka të rastit, ato që rrëfen nga koha kur shërbente për numrin dy të Partisë dhe njeriun më të besuar të Enverit, tregojnë se bekimi i tij ka qenë përcaktues për funksionin e besuar në atë periudhë dramatike.

Në fakt, thotë ish-kreu i Akuzës, zyrtarisht isha emëruar në aparatin e KQ për organet e drejtësisë, por nga fillimi deri në fund punova për Hysni Kapo, në rolin e ndihmësit për të ndjekur verifikimin e ankesave dhe të dhënave komprometuese për zyrtarë të rëndësishëm, ministra, kryetarë të Komiteteve Ekzekutive, anëtar të KQ, prokurorë, gjyqtarë etj. Është kjo një dëshmi interesante që zbulon ekzistencën e një linje sekrete që Mino e quan linjë speciale, e përdorur nga kreu i kupolës për verifikimin e pastërtisë së figurës së funksionarëve të lartë të regjimit.

Roli i Rrapi Minos në këtë procedurë specifike, i ka dhënë mundësinë të arkivojë shumë ndodhi e ngjarje të panjohura, për të cilat asokohe flitej në një rreth shumë të ngushtë njerëzish. Ndër to veçon mënyrën si është proceduar për dosjen e ish-gjeneralëve të Ushtrisë në vitin ‘74, e cila shërbeu si lëndë e parë për Plenumin famëkeq të Partisë që i kryqëzoi si puçistë e tradhtarë.

Rrapi Mino duke folur për “Panorama”I pyetur për akuzat e rënda që u konsumuan ndaj tyre, ndihmësi i Hysni Kapos, ish-Sekretarit të Komitetit Qendror që mbulonte organet e diktaturës, shprehet pa mëdyshje se gjeneralët i ka çuar para skuadrës së pushkatimit degjenerimi moral, jo tradhtia, pavarësisht që për këtë të fundit flitej me të madhe. Duke iu kthyer kësaj historie, Rrapi Mino zbulon një fakt që nuk ka rënë në sy, jo vetëm në atë kohë, por edhe sot, mënyrën si është shmangur Prokurori i Përgjithshëm nga procesi penal ndaj Beqir Ballukut, Petrit Dumes e Hito Çakos dhe arsyet e vërteta pse ky funksion iu besua një oficeri të lartë të Ministrisë së Brendshme, i rekrutuar rishtas në rolin e prokurorit…

(Vijon nga publikimi i kaluar)

Periudha kur punonit te Hysni Kapo përkon me kohën kur u dënua grupi puçist në Ushtri. Trajtoi zyra juaj në atë kohë probleme, që lidheshin me gjeneralët e dënuar?

Patjetër që trajtuam shumë çështje që kishin të bënin me verifikimin e të dhënave dhe ankesave për gjeneralët e dënuar, kjo sidomos pas plenumit të Komitetit Qendror që dënoi Beqir Ballukun. Reagimet e organeve dhe organizatave të Partisë në solidarizim të vendimeve të Byrosë Politike dhe të fjalës së Enver Hoxhës për zbulimin e puçit në Ushtri, prodhuan një gamë të gjerë problemesh. U hapën gojët dhe njerëzit, komunistët, denoncuan njeri pas tjetrit raste e fakte të ndryshme që komprometonin krerët e Ushtrisë. Zyra jonë në atë periudhë menaxhoi verifikimin e tyre në terren. Unë kam qenë disa ditë me radhë në Korçë dhe kam ndjekur jo vetëm mbledhjet e zhvilluara, por kam marrë me dhjetëra takime për të seleksionuar problematikat pa fund që denonconin njerëzit në adresë të gjeneralëve…

Pastaj këto ia dërgonit Hysni Kapos…

Te Hysni Kapo nuk dërgonim një material bruto, por një përmbledhje të kujdesshme me gjërat më të rëndësishme. Ai pasi i studionte, na thërriste në zyrë dhe konsultohej gjatë me ne. Konsultat vazhdonin për orë të tëra. Në fund, përpunonim një material tjetër, të cilin Hysniu ia dërgonte Enverit.

Konstatuat fakte gjatë kësaj veprimtarie që i komprometonte gjeneralët për tradhti, siç i akuzoi Enveri?

Të them të drejtën dhe të jem i sinqertë, kjo akuza e tradhtisë afishohej aty-këtu në përgjithësi si term, por pa fakte konkrete. Më shumë për gjeneralët kishte akuza për abuzime dhe degjenerim moral. Të paktën unë në Korçë gjëra të tilla dëgjova. Edhe nga takimet që pata aty, mësova për jetën aventureske që bënin gjeneralët, sidomos me ahengje dhe shpenzime të jashtëzakonshme në darka e dreka. Çdo darkë apo drekë e tyre ne terren shoqërohej me qengja të therur e me pije të shumta. Jetë qejfi, jashtë çdo limiti. Ky lloj degjenerimi dhe jo tradhtia, sipas meje, i mori në qafë. Në rrugë e sipër, procesi i penalizoi edhe për gjëra të tjera, për të cilat edhe u dënuan…

Keni marrë pjesë ju në procesin e gjeneralëve?

Unë nuk kam marrë pjesë në atë proces. Prokuror ka qenë Murat Kamani, i cili më parë kishte shërbyer në një detyrë të rëndësishme në Ministrinë e Brendshme. Sidoqoftë, rolin kryesor në procesin e gjeneralëve të dënuar e luante Feçor Shehu me një grup të zgjedhur të Sigurimit të Shtetit. Për nga pozicioni që kisha në aparatin e KQ, kisha informacion për ecurinë e tij, së paku, për ato çështje që diskutoheshin aty në mirëbesim nga zyrtarë të ndryshëm.…

Nuk kishte raporte zyrtare Komiteti Qendror për ecurinë e procesit të gjeneralëve?

Gjithçka ishte në sekret të plotë. Ajo çfarë ndodhte në procesin e gjeneralëve, e dinte vetëm një grusht i vogël njerëzish. E dinin ata që drejtonin procesin, prokurori dhe gjyqtarët dhe tri veta në KQ, Enveri, Hysniu dhe Mehmeti. Askush tjetër nuk dinte gjë. Vetëm kur mbaroi gjyqi, ngjarja u bë e njohur nëpërmjet një komunikate zyrtare, që fillimisht u punua me kuadrot e lartë në KQ dhe pastaj me organizatat e masave…

ENVER HOXHA DHE MEHMET SHEHU
ENVER HOXHA DHE MEHMET SHEHU

Procesi i gjeneralëve ishte një nga proceset më të rëndësishme në atë kohë. Si ka mundësi që iu besua një prokurori të zakonshëm, madje të padëgjuar deri atëherë dhe u shmang Prokurori i Përgjithshëm, Dhori Panariti?

Fillimisht, e nisi procesin Dhori Panariti, që ishte Prokuror i Përgjithshëm, por u shmang me kujdes që në hapat e parë. U bë një spostim i kujdesshëm që mos të binte në sy. Gjatë asaj periudhe, edhe unë nuk e dija arsyen e kësaj lëvizjeje, por e mësova më vonë. Ideja për ta shmangur Dhorin nga drejtimi i procesit kishte ardhur nga Enveri. Arsyeja për këtë lidhej me faktin se Dhori Panariti, para se të vinte në Prokurorinë e Përgjithshme, kishte qenë zëvendësdrejtor i Drejtorisë Politike të Ushtrisë. Pra, kishte qenë bashkëpunëtori më i afërt i Hito Çakos, atëherë drejtor i kësaj drejtorie. Kjo, me sa dukej, vlerësohej si një rrethanë që mund të komprometonte procesin. Se nuk mund të ndodhte që ish-zëvendësdrejtori të dënonte me vdekje drejtorin, me të cilin kishin ndarë më shumë se disa vite pune bashkë, por edhe miqësi e afinitet shoqëror e familjar. Ja kjo ishte arsyeja pse u spostua Dhori Panariti nga procesi i gjeneralëve dhe Hito Çakos…

Mbani mend ndonjë histori nga verifikimi i letrave që i vinin Enverit për zyrtarë të rëndësishëm?

Patjetër, mbaj mend shumë të tilla. Kuptohet, pas kaq vitesh, mjaft prej tyre i kam harruar…

Mjafton njërën prej tyre…

Po ju tregoj letrën e parë që më dha Hysni Kapo për ta verifikuar. Nuk kisha mbushur as një javë që kisha shkuar me punë në aparatin e KQ, kur ai më thirri në zyrë dhe më dha një letër që ia kishte adresuar Enver Hoxha. Me sa më kujtohet, ishte pasdite. Bashkë me mua kishte thirrur dhe Bim Sinën, që punonte prej kohësh në aparat për problemet e kuadrit. “E njeh këtë prokurorin e Dibrës”, më tha dhe i hodhi një sy letrës që mbante në dorë, duke shqiptuar emrin e tij, Hulsi Topallai. “E njoh”, i thashë. Në fakt, diçka dija rreth karrierës së tij.

Mbaja mend që e kishim marrë nga Ministria e Brendshme ku kishte punuar për disa vjet dhe kishte mbaruar juridikun me korrespodencë. Po kështu, dija që ai, para disa vitesh, kishte bërë një libër me titullin “Partizanët e Gramozit” dhe në të kishte ironizuar njërin prej partizanëve, të cilin e nxirrte hajdut. Më kishte qëlluar të merresha me këtë histori pas ankesës që kishte bërë partizani që trajtohej si hajdut në atë libër. Mbaj mend që ishte shumë i revoltuar. U përpoqa atëherë ta mbyllja këtë punë, por nuk munda t’i pajtoja dot. Ish-partizani i indinjuar këmbëngulte për ta çuar çështjen deri në fund. Përfundimisht, konflikti shkoi në gjykatë. Më qëlloi që aty mora pjesë dhe unë. Seanca e pajtimit nuk dha ndonjë rezultat dhe çështja shkoi më tej. Përfundimisht, Hulsiu e pranoi që kishte bërë gabim dhe i kërkoi falje të lënduarit, por ai nuk tërhiqej e nuk tërhiqej.

“Ti thua një më fal këtu në sallë,-tha ai,-por unë që u plagosa në luftë, mbeta hajdut në sy të dynjasë në librin tënd”. M’u kujtua kjo histori aty për aty sa Hysniu ma zuri në gojë emrin e prokuror Hulsiut. Këtë radhë, emri i tij vinte në selinë e KQ me një histori tjetër. Nga aq sa më shpjegoi Hysniu ato momente, mësova se ai i kishte bërë një letër Enverit dhe i ankohej i revoltuar për një gazetar të “Zërit të Popullit”, që, sipas tij, gjatë një debati, kishte tejkaluar çdo normë të moralit komunist. Enveri, sa e kishte lexuar, ia kishte adresuar letrën Hysni Kapos me shënimin: “Nëse ky gazetari është sjellë kështu, të dënohet gjashtë muaj burg!”.

Çfarë rezultoi nga verifikimi që i bëtë në terren letrës së prokurorit?

Shkuam bashkë me Bim Sinën në Peshkopi për ta verifikuar. U takuam në fillim me Hekuran Isain që ishte Sekretar i Parë i Komitetit të Partisë së rrethit. Biseduam me të rreth çështjes. Ai nuk kishte dijeni. Takuam veç e veç prokurorin dhe gazetarin e “Zërit të Popullit”. Bëmë ballafaqimin me të dy. Rezultoi një konflikt banal. Një përplasje nga ato të rëndomtat që ndodhi në atë kohë. Me sa duket, prokurori, për të treguar pushtet mbi gazetarin, kishte nxituar për ta bërë ngjarjen të bujshme. I kishte dhënë dorë për këtë miqësia me Petrit Dumen, i cili sa e kishte marrë letrën e Hulsiut, ia kishte çuar Enverit në dorë. Kjo ishte në thelb gjithë historia…

Ia relatuat pastaj Hysni Kapos…

Bëmë një përmbledhje të dokumentuar në adresë të tij. Aty shfaqëm dhe mendimet tona për masat ndaj dy të konfliktuarëve. Për gazetarin propozuam një vërejtje, ndërsa për prokurorin transferimin në një rreth tjetër të kategorisë së dytë…

Ndërkohë, Enveri kishte sugjeruar gjashtë muaj burg për gazetarin…

Kjo porosi e Enverit qëndronte nëse ishin të vërteta ato që shkruante prokurori për gazetarin. Nga verifikimi nuk doli gjë, bile, bile, prokurori kishte qenë shkaktari i konfliktit…

Ia mbushët mendjen Enverit për këtë?

Ne raportonim te Hysniu, i cili nuk ishte dakord me propozimin tonë për transferimin e prokurorit si shkaktar i ngjarjes. Hysniu pastaj e shkoqiti mirë problemin në takimin me Enverin. Përfundimisht, nuk u operua me ndonjë masë të rëndë. U mjaftua me një tërheqje vëmendje për të dy dhe një vërejtje në organizatën e Partisë. Mirëpo, historia nuk u mbyll këtu. Prokurori, që me sa duket ishte mësuar me këto sjellje të padenja, bëri një proçkë tjetër që bëri bujë deri në Komitetin Qendror. Hysni Kapua këtë radhë nuk e fali. Pasi ishte njohur me raportin për ndodhinë e radhës, më thirri në zyrë dhe më tha: “Tani, ky Hulsiu e ka mbushur kupën, prandaj të transferohet urgjent prej aty dhe të shikohet me kujdes qëndrimi i tij në vazhdim!”. Kuptohet, fjala e tij ishte ligj. Që atë ditë, Hulsi Topallai u transferua nga Peshkopi dhe shkoi në një rreth të kategorisë së dytë, siç ishte Rrësheni. Po dhe aty, me sa kam dëgjuar më vonë, nuk qëndroi mirë.

Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

 

Mund të lexoni gjithashtu pjesën e parë(Kliko mbi titullin)

EKSKLUZIVE/ Rrëfimi për herë të parë i ish-Kryeprokurorit të Enverit: Ju tregoj qelinë sekrete ku ju hidheshin prangat byroistëve brenda Komitetit Qendror

EKSKLUZIVE/ Rrëfimi i ish-kryeprokurorit të Enverit: Beqir Balluku darka me qengja të therur, faktet për degjenerimin moral të gjeneralëve

 

Te lidhura

 

Artikulli paraprakDokumenti/ "Sot nga Rinasi nuk u ngrit 'Air Albania', Rama gënjeu shqiptarët. Ja cila kompani u përdor"
Artikulli tjetërDieta e padëgjuar që dobësoi këngëtaren shqiptare, është delikate dhe e fortë

S'KA KOMENTE

Comments are closed.