Shantazonte një grua me publikimin e fotove intime, pezullohet nga detyra punonjësi i policisë

May 7, 2024 | 23:10
SHPËRNDAJE

Policia ka reaguar në lidhje me denoncimin e bërë në një emision, ku një punonjës policie kishte shantazhuar  një shtetase dhe i kishte marrë një shumë parash për të mos i publikuar fotot intime.

policia-e-shtetit-1-600x335-1

Në reagim, policia njofton se është pezulluar menjëherë nga detyra punonjësi i policisë me detyre trup shërbimi për ruajtjen dhe sigurimin e objektit të  Policisë Shkencore  dhe ndaj tij ka nisur hetimin disiplinor për shkelje të rëndë.

Reagim i Policisë së Shtetit

Në lidhje me rastin e  transmetuar në emisionin investigativ “Fiks-Fare”, në Top Channel, ku një punonjës policie kishte shantazhuar  një shtetase dhe i kishte marrë një shumë parash për të mos i publikuar fotot,  ju bëjmë me dije se:

Drejtoria e  Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit  me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, në zbatim të Nenit 222, pika 8 të Rregullores së Policisë së Shtetit ka bërë pezullimin e menjëhershëm nga detyra të punonjësit të Policisë,  Inspektor J.K, me detyrë trup shërbimi për ruajtjen dhe sigurimin e objektit të  Policisë Shkencore  dhe ndaj tij ka nisur hetimin disiplinor për shkelje të rëndë.

Ndërkohë Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur menjëherë hetimin penal ndaj punonjësit të Policisë.

Policia e Shtetit  falenderon mediat dhe qytetarët që denoncojnë rastet e abuzimit me detyrën të punonjësve të Policisë dhe i fton sërish ata, që të denoncojnë çdo rast të tillë, duke i’u garantuar reagim të menjëhershëm e të paanshëm.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura