EKSKLUZIVE/ Rrëfimi i ish-kryeprokurorit të Enverit: Si u ngritën akuzat ndaj Abdyl Këllezit, Kiço Ngjelës dhe Koço Theodhosit

| 18:47
SHPËRNDAJE
 

AFRIM IMAJ

Prokurori Rrapi Mino dhe Abdyl Kellezi gjate gjyqit
Prokurori Rrapi Mino dhe Abdyl Kellezi gjate gjyqit

I emëruar rishtas në krye të organit të akuzës, Rrapi Mino niste detyrën e re me firmën për pushkatimin e Abdyl Kllëzit dhe Koço Theodhosit. Ishin këta dy anëtarët e parë të Byrosë Politike, që “bekuan” me fatkeqësinë e tyre karrierën e Prokurorit të ri të Përgjithshëm, që kaloi para skuadrës së ekzekutimit pjesën më të madhe të byroistëve, përjashtuar Hoxhën, Ramiz Alinë dhe ndonjë tjetër të pensionuar para kohe.

Procesi i bujshëm i të ashtuquajturit “Grup Armiqësor në Ekonomi”, vinte menjëherë pas atij të “Puçistëve” në ushtri. Njerëzit që kishte vënë në shënjestër këtë radhë Partia dhe lideri i saj ishin drejtuesit kryesorë të strukturave ekonomike të shtetit dhe shënjoheshin nga këta të fundit si shkaktarët kryesorë të krizës së rëndë, që kishte pllakosur ekonominë e vendit.

Pavarësisht distancës në kohë, Rrapi Mino, prokurori i këtij procesi, e ka ende të kthjellët historinë e asaj përballjeje të jashtëzakonshme, që iu desh ta finalizonte me vendimin fatal: dënim me vdekje, pushkatim për dy prej figurave më të shquara të ekonomisë shqiptare për kohën.

Në vijim të rrëfimit për “Panorama”, ai tregon për herë të parë rrethanat si e ushtroi rolin e prokurorit në këtë proces kompleks e të vështirë, duke zbuluar shumë nga aspektet e panjohura të raporteve të tij me grupin e hetueseve, ish-zyrtarë të lartë të Sigurimit të Shtetit që i drejtonte nga afër Kadri Hazbiu, asokohe ministër i Brendshëm.

Si u shfrytëzuan materialet e Plenumit të 7-të dhe të 8-të të KQ-së të PPSH-së për formulimin e akuzës për Abdyl Këllezin, Korço Theodhosin e Kiço Ngjelën. Si u procedua me denoncimin e Enver Hoxhës që thoshte se këta kishin lidhje me agjenturat e huaja për sabotim në fushën e ekonomisë etj.

Sakaq, rrëfimi i ish-Kryeprokurorit për procesin në fjalë, fokusohet në lëndën e bollshme, siç pohon ai, që vërtetonte fajësinë e të pandehurve VIP, të cilët, gjithnjë sipas tij, kishin sabotuar me ndërgjegje vijën e Partisë në ekonomi, duke futur metodat decentralizuese e vetadministruese të tipit jugosllav, duke orientuar marrëdhëniet tregtare me vendet perëndimore e SHBA-në e duke shpërdoruar pa kriter valutën e thesarit të shtetit. Po çfarë zbulon tjetër nga ky proces maratonë njeriu që ka përfaqësuar akuzën e tmerrshme ndaj ish- drejtuesve të lartë të ekonomisë shqiptare… 

Koco Theodhosi (djathtas) dhe Abdyl Kellezi (majtas)
Koco Theodhosi (djathtas) dhe Abdyl Kellezi (majtas)

Ju keni drejtuar procesin ndaj Abdyl Këllezit, Kiço Ngjelës, Koço Theodhosit dhe pjesëtarëve të tjerë të të ashtuquajturit “grup armiqësor në ekonomi”. Përse u akuzuan ata dhe në çfarë rrethanash u zhvillua procesi ndaj tyre?
Abdyl Këllezi, ish anëtar i Byrosë Politike dhe kryetar i Komisionit të Planit të Shtetit dhe Koço Theodhosi, ish-anëtar i Byrosë Politike dhe ish-ministër i Industrisë së Rëndë dhe Minierave, fillimisht u goditën në pleniumin e shtatë të KQ-së, që u mbajt në maj të vitit 1975. Aty u përjashtuan nga KQ-ja dhe të gjitha funksionet shtetërore, duke u cilësuar armiq e sabotatorë në organizimin shtetëror dhe në ekonomi. Në këtë plenium u kritikua ashpër edhe Kiço Ngjela e Vasil Kati, respektivisht ish-ministri dhe zëvendësministri i Tregtisë së Jashtme për cenim të politikës së Partisë në sektorët që drejtonin dhe veprime të dëmshme në ushtrimin e funksioneve. Ky ishte momenti bazik nga nisi procesi penal, që zgjati disa muaj me radhë…
Pra, aktakuza ju erdhi e plotë nga Komiteti Qendror…
Ajo ishte qasja politike e çështjes, organet e drejtësisë duke u mbështetur në konkluzionet e saj ndërtuan procesin penal juridik që fillonte me hetimin, grumbullimin e provave, ballafaqimin me dëshmitarët dhe përfundonte me procesin gjyqësor…
Ju ndërkohë ishit Prokuror i Përgjithshëm dhe prokuror i çështjes…
Ashtu ka qenë. Rëndësia e çështjes sillte si nevojë përfaqësimin e akuzës nga kreu i Prokurorisë.
Po grupin e hetimit, kush e drejtonte?
Hetimi udhëhiqej drejtpërdrejt nga ministri i Brendshëm dhe zëvendësi i tij. Pra, nga Kadri Hazbiu dhe Feçorr Shehu. Ata miratonin planin hetimor në përgjithësi si grup, e në veçanti, për çdo të pandehur, ndiqnin hap pas hapi dinamikën e hetimeve dhe orientonin përpunimin e të dhënave. Kjo praktikë fillimisht ishte përdorur në procesin e Beqir Ballukut.
Me një fjalë, hetimet nuk i drejtonte institucioni i Prokurorisë së Përgjithshme, por ministri i Brendshëm…?
Pavarësisht se rregulli e donte që hetimet t’i ndiqte Prokuroria si institucioni i akuzës, së paku teorikisht, kishte disa vite që me vendim të veçantë çështje të tilla që kishin për objekt zyrtarë të lartë, ish-anëtarë të Byrosë Politike, ministra, sekretarë të Parë të Komiteteve të Partisë së rretheve e funksionarë të këtij rangu, hetoheshin nga Sigurimi i Shtetit, nga Ministria e Brendshme, që kishte ngritur struktura të posaçme për këtë qëllim…
Rrapi Mino duke folur për “Panorama”A ishte e ligjshme shmangia e Prokurorisë nga procesi i hetimeve?
E ligjshme e paligjshme, kjo ishte praktika…
Që do të thotë, se ligjvënësi nuk kishte besim tek organi i akuzës…
Ishte koha kur Sigurimi i Shtetit gëzonte besim absolut. Kjo ishte arsyeja që me hetimin e zyrtarëve të rëndësishëm merreshin oficerët e lartë të tij. Bile, një periudhë u bënë përpjekje të jashtëzakonshme për ta kthyer dhe Prokurorinë e Përgjithshme në vartësi të Ministrisë së Brendshme. Një gabim fatal ky, që do t’i kushtonte shumë rëndë shoqërisë…
Një shkelje e hapur kjo e Kushtetutës, apo jo?
E kam shprehur dhe atëherë që ky ishte një gabim parimor. Kanë folur edhe juristë të tjerë për këtë çështje, por mesa duket prevaloi gjykimi politik, sipas të cilit organet e Sigurimit qëndronin mbi të gjitha organet e tjera…
Ndiheshin të tunduara organet e drejtësisë nga kjo varësi paradoksale?
Nuk di si ta shpjegoj, por që e ndienim si parregullsi, kjo nuk diskutohej. Për organet e drejtësisë, fakti që tri organe të rëndësishme si Hetuesia, Sigurimi dhe Puna Operative ishin në komandën e Ministrisë së Brendshme dhe pjesë e saj, vlerësohej jo thjesht si një gabim parimor, por dhe si një pengesë serioze në ushtrimin e detyrës…
Kush e inicioi procedurën për ta kaluar Prokurorinë e Përgjithshme në vartësi të Ministrisë së Brendshme?
E propozoi Ministria e Brendshme me krerët e saj, me arsyetimin se me një Prokurori të pavarur, nuk mbyllej cikli i luftës kundër veprimtarisë armiqësore, pasi rrezikohej rrjedhja e informacionit sekret që sigurohej nga shërbimi i fshehtë. Sipas logjikës së tyre, vetëm ata që grumbullonin të dhënat në kanalet agjenturore mund të kryenin procesin e hetimeve dhe të procedonin me akuzën. Fatmirësisht, ky hap, megjithëse u debatua gjatë, nuk u realizua. Sidoqoftë, mbeti në fuqi gjysma e së keqes, vartësia e hetimit nga Sigurimi i Shtetit, që shmangte totalisht Prokurorinë nga procesi më i rëndësishëm i politikës penale, siç ishte hetimi…

Vijon

* Intervistë ekskluzive për “Panorama”. Ndalohet kopjimi, riprodhimi i plotë ose i pjesshëm për publikim në print ose online.

Mund të lexoni gjithashtu pjesët e kaluara

(Kliko mbi titullin)

1- EKSKLUZIVE/ Rrëfimi për herë të parë i ish-Kryeprokurorit të Enverit: Ju tregoj qelinë sekrete ku ju hidheshin prangat byroistëve brenda Komitetit Qendror

2- EKSKLUZIVE/ Rrëfimi i ish-kryeprokurorit të Enverit: Beqir Balluku darka me qengja të therur, faktet për degjenerimin moral të gjeneralëve

3- EKSKLUZIVE/ Rrëfimi i ish-kryeprokurorit: Puna në zyrën sekrete me letrat e Enverit, si shpëtoi gazetari nga burgimi

4- EKSKLUZIVE/ Ish-kryeprokurori i Enverit: Ju rrëfej takimin e parë me Kadri Hazbiun në qeli me porosinë e Hoxhës, pse ankohej për tortura

5- EKSKLUZIVE/ Rrëfimi i ish-kryeprokurorit të Enverit: Lidhja vëllazërore mes Kadri Hazbiut dhe Aranit Çelës, si e dënoi më pas me pushkatim

6-EKSKLUZIVE/ Ish-kryeprokurori i Enverit rrëfen takimet me Kadri Hazbiun në burg: E mbanin në kashtë e dërrasë që të mos…

7- EKSKLUZIVE/ Rrëfimi i ish-kryeprokurorit të Enverit: Kafet në mesnatë të Fiqirete Shehut, pse gjyqi i grupit të Hazbiut u bë në Burgun 313

8-  EKSKLUZIVE/ Rrëfimi i ish-kryeprokurorit të Enverit: Si tentuan Kadri Hazbiu dhe Feçor Shehu të shmangnin skuadrën e pushkatimit

9- EKSKLUZIVE/ Rrëfimi i ish-kryeprokurorit të Enverit: Ç’më tha Kadri Hazbiu kur i dhashë urdhrin e pushkatimit në qeli

 

Te lidhura



Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

 

S'KA KOMENTE

Comments are closed.