EKSKLUZIVE/ Fondi i FIFA-s për koronavirusin, klubet e Superiores nuk dinë shpërndarjen

Jan 22, 2022 | 20:48
SHPËRNDAJE

A jeni në dijeni që FIFA ka akorduar një fond prej 2.1 milionë dollarësh për të mbështetur futbollin shqiptar gjatë pandemisë? Sa keni përfituar ju si klub nga shpërndarja që i ka bërë këtij fondi FSHF-ja?

Asambleja-2019

Këto janë pyetjet që iu bënë drejtuesve të 10 klubeve të Kategorisë Superiore pas investigimit që “Panorama Sport” bëri në lidhje me ndihmën që dha FIFA gjatë pandemisë dhe si kishte vepruar FSHF-ja, teksa në raportin e saj financiar për dy muajt që u dha kjo paketë financiare ka deklaruar shpenzim në total 71 milionë lekë. Vetëm 5 drejtues klubesh kthyen një përgjigje, por natyrisht me mënyrën e tyre për atë që ka ndodhur me fondet FIFA-s për COVID-in.

PARTIZANI
Klubi i Partizanit rezulton i informuar lidhur me fondin që ka dhënë FIFA për t’i ardhur në ndihmë federatave gjatë pandemisë. Sekretari i përgjithshëm i klubit të kuq, Gerald Burba, sqaron për gazetën se ajo që nuk mund ta thotë me siguri është mënyra se si janë ndarë fondet nga FSHF-ja, pra, kanë qenë në drejtimin e duhur apo jo.

“Jam në dijeni që FIFA ka shpërndarë fonde në formë grantesh dhe kredish pa interes për t’u ardhur në ndihmë federatave anëtare, të cilat do të duhej të aplikonin për t’i përfituar ato përmes projekteve konkrete dhe ka qenë në diskrecionin e secilës federatë, se si do të përdorej fondi në rastin e pandemisë.

Pra, nuk ka qenë e thënë që këto fonde do të duhej t’u shpërndaheshin detyrimisht në mënyrë direkte klubeve për situatën e COVID-it. Në dijeninë time, një direktivë e tillë nuk ka ekzistuar, por kuptohet që do të duhej të investoheshin në interes të futbollit për të përballuar situatën e pandemisë.

Është për t’u theksuar fakti se federata ju ka ardhur në ndihmë klubeve në forma të ndryshme gjatë pandemisë, si nëpërmjet shpërndarjes së fondeve për mbulimin e shpenzimeve për pagat e lojtarëve të stafit dhe administratës së secilit klub, në reduktimin e ndjeshëm të tarifave të qirasë së stadiumeve në administrimin e saj, por edhe në forma të tjera.

Pra, ndihma është dhënë. Mendoj se elementi që duhet sqaruar në këtë mes është se FIFA apo dhe UEFA shpërndajnë fonde në mënyrë të vazhdueshme për federatat anëtare, të cilat kanë vendimmarrjen autonome, që përmes projekteve konkrete t’i investojnë këto fonde për të mirën e futbollit.

Pra, nuk është e thënë që këto fonde detyrimisht dhe në mënyrë automatike, do të duhet t’u shpërndahen direkt klubeve. Partnerët kryesorë dhe direkt të FIFA-s dhe UEFA-s konsiderohen federatat dhe jo klubet. Pastaj, nëse projektet apo mënyra se si janë shpërndarë fondet kanë qenë të duhurat apo jo nga federata, kjo i takon ta gjykojnë klubet dhe shoqatat anëtare të federatës, të cilat një herë në 4 vjet kanë mundësinë të bëjnë vlerësimin e tyre dhe të marrin vendimin e duhur përmes votës”, ka thënë zyrtari i lartë i klubit të Partizanit.

DINAMO
“Mund të flas vetëm për kohën time, pra për periudhën që e kam marrë unë klubin e Dinamos. Nuk di asgjë për këtë fond dhe gjatë kësaj kohe nuk kam marrë asnjë lloj ndihme financiare nga askush. Gjithçka e kam mbuluar me shpenzimet e mia”, ka thënë dje presidenti i Dinamos, Adrian Bardhi, i cili ka blerë klubi blu gjatë vitit të kaluar.

VLLAZNIA
Presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferi, u mundua të “driblonte” për dijeninë e fondit, duke u justifikuar me faktin që në atë periudhë ka qenë vetëm si sponsor te kuqeblutë. “Në kohën e pandemisë ka qenë bashkia me 100% të aksioneve dhe nuk kam pasur akses. Kam qenë një sponsor i thjeshtë, kaq mund t’u them”, u shpreh Xhaferi për gazetën.

SKËNDERBEU
Ardjan Takaj nuk kërkon të përfshihet në këtë situatë, duke e thënë troç se përpara janë zgjedhjet në FSHF dhe kësisoj “frika” e kreut të klubit korçar mund të jetë interpretimi që i bëhet deklaratave në këto momente. “Nuk dua të ngatërrohem fare, tani janë edhe zgjedhjet”, ka thënë shkurtimisht presidenti i klubit të Skënderbeut.

EGNATIA
Agim Demrozi pranon se për sa kohë që është në drejtimin e Egnatias, nuk ka përfituar ndonjë fond që FIFA ia ka shpërndarë FSHFsë për t’i ardhur në ndihmë klubeve në kohën e pandemisë. “Unë jam i ri në angazhimin si president i klubit të Egnatias. Që nga koha kur kam nisur të investoj, po bëhen afërsisht 15 muaj. Nuk kam përfituar asnjë lekë. Se çfarë ka ndodhur më herët, nuk di t’u them asgjë”, deklaroi presidenti i Egnatias kur u pyet dje nga “Panorama Sport”.

covid shpenzime

LEXO EDHE:  Censura në konferencën e FSHF-së dhe pyetjet që s’morën përgjigje

“Loja” me shifrat dhe paratë e FIFA-s, tërhiqen 1,6 milionë dollarë dhe FSHF deklaron vetëm… 72 mln lekë (DOKUMENTI)

EKSKLUZIVE/ Investigimi, si u zhdukën 2,1 milionë dollarë të FIFA-s për klubet shqiptare (DOKUMENTET)

Skandali i FSHF-së me fondin e solidaritetit/ Investigimi i “Panorama Sport” nxori blof federatën

PANORAMASPORT.AL

 

© Panorama.al

Te lidhura