Censura në konferencën e FSHF-së dhe pyetjet që s’morën përgjigje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 22, 2022 | 13:40

Censura në konferencën e FSHF-së dhe pyetjet që s’morën përgjigje

“Do të ketë një komunikim të jashtëzakonshëm për shtyp të premten në orën 10:00”. Ishte ky njoftimi i zyrës për shtyp të FSHF-së, drejtuar gazetarëve në mbrëmjen e së enjtes. Natyrshëm, duke parë situatën e mbushur me akuza dhe denoncime të forta, për më tepër në prag të zgjedhjeve të FSHF-së, interesimi i mediave ishte i lartë.

Vercani FSHF konferenca

Fillimisht u mendua se vetë kreu i institucionit të futbollit, Armand Duka, do të ishte i pranishëm në këtë konferencë, ose sekretari i përgjithshëm, Ilir Shulku. Nuk ndodhi kështu dhe në sallë u shfaqën drejtori i Komunikimit në FSHF, Andi Verçani, Drejtori i Departamentit Ligjor dhe Licencimit, Aldi Topçiu, si dhe Drejtori i Marrëdhënieve Institucionale dhe Projekteve, Erand Ibrahimi.

Të tre ngritën “flamurin” e transparencës në fjalën e tyre, por çfarë ndodhi pasi folën të tre zyrtarët e FSHF-së? Nga një konferencë në emër të transparencës, u kthye në konferencën e censurës. Pyetjet u pranuan vetëm nga ata gazetarë që kishte qejf drejtori i komunikimit! Gjithsesi, “Panorama Sport”, në respekt të lexuesit të saj, po publikon sot pyetjet e munguara, që natyrisht ata që dolën në konferencë, nuk kishin dëshirë t’u përgjigjeshin për t’iu shmangur të vërtetës. Ku janë 600 mijë dollarët e fondit të emergjencës nga “FIFA Forward 2.0”?

Pse u përdorën paratë e pandemisë për investime e projekte dhe jo për destinacionin parësor (për klubet)? Pse FSHF-ja ka deklaruar në bilancet financiare si fonde nga FIFA për pandeminë në vitin 2020 vetëm 400 mijë euro, ndërsa ka tërhequr 1.6 milionë euro?

Pse nuk janë publikuar listat e anëtarëve që votojnë për zgjedhjen e kryetarit dhe delegatëve në shoqatat rajonale? Pse u shtynë zgjedhjet në shoqatën rajonale të Shkodrës? Përse nuk u regjistrua kandidati i shoqatës rajonale të Durrësit, edhe pse ai kishte tri propozime zyrtare? Këto pyetje ndoshta marrin një përgjigje në ditët në vijim…

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"