“Loja” me shifrat dhe paratë e FIFA-s, tërhiqen 1,6 milionë dollarë dhe FSHF deklaron vetëm… 72 mln lekë (DOKUMENTI)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 20, 2022 | 23:12

“Loja” me shifrat dhe paratë e FIFA-s, tërhiqen 1,6 milionë dollarë dhe FSHF deklaron vetëm… 72 mln lekë (DOKUMENTI)

Ka disa gjëra që “kërcasin” sa i përket mënyrës se si FSHF ka menaxhuar paratë e FIFA-s për COVID-19. Në asamblenë e fundit të Federatës Shqiptare të Futbollit të zhvilluar “online” më 14 qershor 2021, rezulton se në shpenzimet që ky institucion ka kryer për vitin 2020 janë afro 720 milionë lekë të vjetër sa i përket ndihmës për COVID.

fshf

Ndalemi pak këtu: FSHF ka tërhequr nga FIFA gjithsej 1.6 milionë dollarë dhe federata ka shpenzuar gjithsej për COVID 720 milionë lekë ose afro 650 mijë dollarë. Po pjesa tjetër ku shkoi? Kjo ngre shumë dyshime, sepse në rastin më të mirë, nëse FSHF i ka shpenzuar këto para për investime të tjera në futboll, quhet ndryshim destinacioni. Dhe bëhet fjalë për ndihmë emergjente, siç ishte ajo për COVID-19… Ndihmë që, sipas FIFA-s, duhet t’u shkonte klubeve dhe futbollit të femrave.

Vetë sekretari i FSHF-së, Ilir Shulku, gjatë asamblesë ka deklaruar se me grantet e përfituara nga FIFA janë kryer punime në “Air Albania” dhe janë bërë investime për të përfunduar zyrat e reja të FSHF-së! Atëherë lind pyetja: Cila ishte ndihma që përfituan klubet nga ky vendim i federatës për të ndryshuar destinacionin e parave që vijnë nga FIFA? Praktikisht zero. Kjo llogari gjithsesi bëhet duke marrë të mirëqenë që pjesa tjetër e shumës 1.6 milionë dollarë të tërhequra nga FSHF-ja është përdorur për investime të ndryshme. Sepse, mundet që edhe të mos ketë ndodhur kështu. FSHF nuk ka bërë asnjë sqarim deri tani, se një pjesë të ndihmës së FIFA-s për COVID e ka përdorur për qëllime të tjera.

covid shpenzime

DEKLARATA E DUKËS – Në bilancin e asamblesë së FSHF-së më 14 qershor 2021 rezulton se janë shpenzuar 720 milionë lekë si ndihmë për COVID-19. Shumë kjo që përkon me atë që Duka më 9 prill të vitit 2020, pati deklaruar se do t’ia jepte komunitetit të futbollit si ndihmë në formë pagash minimale për të përballuar pandeminë. Asokohe, Duka deklaroi se “burimi financiar i kësaj pakete është kontributi i vetë administratës së federatës, kontributi i stafit të ekipit kombëtar, duke filluar nga trajneri i ekipit kombëtar Edi Reja dhe stafi i tij. Të gjitha pagat e larta në federatë kanë shprehur solidaritetin për t’i përgjysmuar që të plotësojmë këtë buxhet dhe do të merret një kredi financiare, sepse siç dihet, kjo është diçka e paparashikuar në buxhetin tonë. Pra, edhe një kredi financiare të cilën ne mendojmë ta mbulojmë në buxhetin e vitit të ardhshëm”.

Thënë këtë, lindin sërish dyshime nëse 720 milionë lekët që FSHF ka deklaruar zyrtarisht në asamblenë e 14 qershorit janë paratë që ka marrë nga FIFA apo paratë që Duka thotë se i ka kursyer nga rrogat e stafit të tij. Gjithsesi, pyetja është e njëjtë: Ku është pjesa tjetër e parave që FIFA ka akorduar për COVID-in për klubet shqiptare? 720 milionë lekë të vjetër nuk janë baras me 1.6 milionë dollarë të cilat Federata e Futbollit i ka tërhequr dhe kjo është e dokumentuar në bilancin e FIFA-s…

PANORAMASPORT.AL

LEXO EDHE

EKSKLUZIVE/ Investigimi, si u zhdukën 2,1 milionë dollarë të FIFA-s për klubet shqiptare (DOKUMENTET)

Skandali i FSHF-së me fondin e solidaritetit/ Investigimi i “Panorama Sport” nxori blof federatën

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"