“E vranë pas shpine!”/ Historia e pritës në Sllatinë: Telegrami i “Muzhikut” për Enverin! Mustafa Gjinishin e eliminoi Liri Gega me urdhër të Hoxhës! E quajti spiun të…

Sep 21, 2021 | 20:45
SHPËRNDAJE

Mustafa GJinishi-Liri_gega-vrasja-urdhri-EnveritAGIM MUSTA/ Mustafa Gjinishi është një personalitet i shquar dhe i veçantë i së majtës progresiste shqiptare. Ai u bë i tillë si rrjedhojë e traditës atdhetare e demokratike të trevës së Peqinit dhe të familjes Gjinishi, produkt i kohës, i cilësive dhe e vullnetit të tij të pazakonshëm. Babai i tij, Ademi, mori pjesë aktive në ngritjen e Flamurit Kombëtar më 26 nëntor 1912 në Peqin.

Ai ishte delegat i Peqinit në Kongresin e Lushnjës në vitin 1920. U vra nga njerëzit e Shefqet Vërlacit në vitin 1923. Në diturinë e Mustafait ndikoi veçanërisht daja i tij, Mahmud Kaziu, nënprefekt i Peqinit dhe firmëtar i Pavarësisë më 1912, si dhe vëllai i madh, Rexhepi, që ndiqte mësimet në Liceun Francez të Korçës. Vetë Mustafai ndoqi mësimet në Shkollën Teknike Amerikane në Tiranë në vitet 1924-1930. Drejtori Harri Fulz e vlerësonte shumë, jo vetëm për rezultatet e shkëlqyera, por edhe për karakterin, pjekurinë, diturinë (qysh në shkollë zotëronte disa gjuhë: anglisht, gjermanisht, frëngjisht, italisht etj.) dhe idetë perëndimore.

Ai e quante Mustafain “studentin me koncepte si në Perëndim”. Studenti Gjinishi u bë mendja dhe shpirti i revistës “Laboremus”, ku botoi edhe përkthimin e tij në anglisht të “Lahutës së Malcis. “Ashtu si Anglia është krenare për Bajronin, Miltonin dhe Shekspirin, Gjermania për Gëten e Shilerin, Italia për Danten e Virgjilin, Spanja për Servantesin …,ashtu është edhe Shqipëria krenare për Gjergj Fishtën”( Rev. Laboremus, korrik 1929). Gjithashtu, si drejtues i klubit të letërsisë së shkollës, Mustafai inicioi edhe botimin e revistës letrare e shkencore “Shekulli XX”, ku shkruan edhe penat e Mid’hat Frashërit, Skënder Luarasit, Tajar Zavalanit etj.

Mustafa-Gjinishi
Mustafa Gjinishi

Pas mbarimit të shkollës teknike, çeli në Tiranë një librari me literaturë përparimtare, po ashtu edhe në Kavajë, si edhe botonte shkrime në gazetat e revistat opozitare “Bota e Re”, “ABC”, “Jeta dhe kultura”, “Rilindja”, “Flaka”, “Besa” etj. Ra në kontakt me idetë komuniste, në modë në atë kohë dhe me mbartësit e tyre: Hasan Reçin, Demir Godellin, Riza Cerovën, Petro Markon etj. Dënohet dy herë me burg për motive politike, mandej, kur ishte në burg, dënohet me vdekje për pjesëmarrje në kryengritjen e Fierit, 1935, dënim që iu kthye me burgim të përjetshëm. U lirua në vitin 1938.

Mustafai mori pjesë në demonstratat e para të prillit 1939 dhe mandej u arratis në Jugosllavi me Myslim Pezën, Haxhi Lleshin, Mustafa Kaçaçin, Hamit Shijakun etj. Atje ata ra në kontakt me Drejtorinë e Veprimeve të Aleatëve, SOE dhe atasheun britanik Xhuliano Emer, që organizuan një grup prej 300 antifashistësh, dhe me në krye britanikun Oklli Hill, hynë në Shqipëri, prill 1941, për të nxitur kryengritjen antifashiste. Pikërisht në këtë kohë nis veprimi politik i Gjinishit për realizimin e kryengritjes së përgjithshme.

Vendosja e M. Gjinishit në Pezë ishte e rëndësishme. Peza ishte bërë vatra kryesore e Luftës Antifashiste. Çeta nacionaliste e Myslim Pezës vepronte në Shqipërinë e Mesme, ku vepronin edhe çetat nacionaliste të Ismail Petrelës dhe Shyqyri Pezës, vëllait të Myslimit. Mustafai u bë komisar i çetës së Pezës dhe kjo u inkuadrua në Lëvizjen NÇ. Komandanti Myslim Peza e donte si djalin e vet, madje edhe Xhemilja, e motra, u bë partizane e kësaj çete, si edhe mjaft peqinas të tjerë. Një nga aksionet e çetës ishte edhe lirimi i të burgosurve politikë nga kampet e internimit.

Në këtë vështrim duhet parë edhe lirimi prej Mustafait nga kampi i internimit i malazezit komunist Miladin Popoviç. Sidoqoftë, aksioni i madh politik i Mustafa Gjinishit dhe i Koço Tashkos është organizimi i Konferencës së Pezës, 16 shtator 1942. Ishin idetë e Mustafait për një front të përbashkët antifashist dhe bashkëpunimin me nacionalistët në luftën për çlirim. Enver Hoxha ishte ende figurë e dorës së dytë (mora një pusullë nga Miladini, ku më thoshte të lajmëroja filanin e filanin se do të bënim konferencë. Kur shkova në Pezë, qenë përgatitur referatet… Unë dola të lexoja atë referat, por që ta mbroj tezën jo”, rrëfen E.Hoxha).

unnamed (4)

Është meritë e M.Gjinishit që në këtë konferencë të PKSH të merrnin pjesë si individë edhe nacionalistë, të ftuar e miq të Mustafait, si Abaz Kupi, Ismail Petrela, Azis Çami, Baba Faja, Ndoc Çobo, Ramazan Jarani, Skënder Muço, Halim Begeja, Xhemal Herri etj., duke i dhënë konferencës ngjyra pluralizmi politik. Ajo zgjodhi Kryesinë e Këshillit të Përgjithshëm NÇ, me kryetar Kamber Qafëmollën dhe sekretar Mustafa Gjinishin, të përbërë prej 8 vetash: tre komunistë: Y. Dishnica, E. Hoxha e M. Gjinishi dhe pesë nacionalistë: M. Peza, Baba Faja, A.Kupi, N. Çoba dhe K. Qafëmolla. Konferenca e Pezës, që hodhi themelet e Frontit NÇ ishte një premisë bashkëpunimi mbi bazën e platformës pluraliste të “bashkimit pa dallim feje, krahine apo bindjeje politike”.

Gjithashtu, vendimmarrja në këtë konferencë për luftë imediate kundër okupatorit, duke e lënë pas luftës zgjedhjen e formës së regjimit dhe marrjen e pushtetit, krijoi mundësi mirëkuptimi e bashkëpunimi me faktorët e tjerë politikë e luftarakë. Mirëpo klika e E. Hoxhës, e nxitur nga jugosllavët dhe lufta për pushtet, e tradhtoi platformën e Pezës, e vuri Frontin NÇ nën kontrollin e PKSH, përjashtoi nacionalistët, madje pesë nga tetë anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm i shpalli tradhtarë dhe i asgjësoi, përfshirë edhe Mustafa Gjinishin. Në vitin 1943 raportet politike dhe ushtarake kishin ndryshuar mjaft.

Italia fashiste po kapitullonte, ndërsa një pushtues tjetër po shfaqej, ai gjerman, madje me një masakër të llahtarshme në Borovë, korrik 1943. Në vend dominonin dy organizata politike antagoniste: Balli Kombëtar dhe Fronti NÇ. Ishte një imperativ i kohës bashkëpunimi mes tyre. Madje ky bashkëpunim në luftë nisi nga poshtë. Mustafai e kuptoi këtë nevojë dhe e vazhdoi përpjekjen për bashkimin e të gjithë faktorëve. Ai bashkëpunoi me nacionalistë brenda Frontit si Ymer Dishnicën, Abaz Kupin, Shefqet Bejën, Sheh Karbunarën etj. dhe jashtë Frontit me përfaqësues të Ballit Kombëtar, si Mid’hat Frashërin, Ramazan Jaranin, Hasan Dostin e të tjerë, duke u bërë elementi kryesor bashkues.

unnamed (4)

“Njerëzit tanë na raportonin, shkruante E.Hoxha, se Mustafai takohej me Lumo Skëndon, Sheh Karbunarën, Abaz Kupin e të tjerë. Bënte takime me turli njerëzish: bejlerë, disa prej të cilëve të deklasuar, disa simpatizantë me lëvizjen, disa antikomunistë të lindur e të vendosur. Mustafai kishte muhabet të madh me Ag Petrelën dhe shtëpinë e tij në Tiranë e kishte bazë… Mustafai nuk di të bëjë dallimin mes komunistëve dhe nacionalistëve. Ai arrin të kritikojë proklamatat, që sipas tij, nuk kanë mjaft nacionalizëm brenda. Çudi! Ai ka një mendim të tillë se “Lufta jonë na qenka vetëm luftë për solidaritet e internacionalizëm dhe jo luftë për të mirën e popullit shqiptar”.

Muatafai ishte një komunist me tharm nacionalist, që shihte në radhë të parë interesat e vendit, ishte një demokrat, që bashkëbisedonte edhe me kundërshtarët politikë për interesat madhore të kombit dhe preokupohej për një Shqipëri demokratike, ishte një antifashist i vendosur, që drejtonte luftën për liri, por luftonte edhe vetë, një koordinator i vlefshëm i Aleatëve Perëndimorë dhe veçanërisht i britanikëve, si edhe kundërshtar i metodave terroriste dhe politikave jugosllave ndaj Shqipërisë.

Ishin përvijuar dy drejtime brenda PKSH dhe Lëvizjes NÇ, njëri i moderuar, human dhe me sens kombëtar, ku rreshtohen Ymer Dishnica, Mustafa Gjinishi, Koço Tashko, Omer Nishani, Anastas Lulo, Sejfulla Malëshova, Gjergj Kokoshi, Myslim Peza, ndërsa në grupimin tjetër bënin pjesë komunistët stalinistë dhe me sens terrorist, si Enver Hoxha, Koci Xoxe, Mehmet Shehu, Haxhi Lleshi, Ramadan Çitaku, Hysni Kapo, Shefqet Peçi, Kristo Themelko, Liri Gega etj., që ishin vegla të bindura të komunistëve jugosllavë, Titos dhe të dërguarve të tij, Miladin Popoviçit dhe Dushan Mugoshës. Deri në Kuvendin e Mukjes, kryesisht dominonte krahu demokrat, që shpuri edhe në bashkëpunimin me nacionalistët dhe aktorët e tjerë të luftës dhe në Marrëveshjen e Mukjes, gusht 1943.

Natyrisht, për arritjen e Marrëveshjes së Mukjes, ndikuan edhe faktorët e jashtëm: Koalicioni i madh antifashist, sidomos misioni britanik e amerikan në Shqipëri. M. Gjinishi i quante kundërshtarët politikë si pjesë të popullit dhe të luftës së përbashkët dhe jo si armiq. Me propozim të Abaz Kupit dhe mbështetjen e M. Gjinishit, Këshilli i Përgjithshëm NÇ e quajti të nevojshme aleancën politike me Ballin Kombëtar dhe vendosi në korrik 1943 të bënte takimin me përfaqësuesit e Ballit Kombëtar, përcaktoi çështjet që do të bisedoheshin në Mukje, si edhe delegacionin, në përbërje të të cilit ishin Ymer Dishnica, Mustafa Gjinishi, Abaz Kupi dhe Myslim Peza. Po ashtu edhe Kryesia e Ballit Kombëtar e mirëpriti aleancën me Nacionalçlirimtaren dhe caktoi përfaqësuesit e vet, me Mid’hat Frashërin në krye.

Pra ishte një vullnet i përbashkët që prodhoi Marrëveshjen e Mukjes, e cila është një nga më të rëndësishmet në historinë shqiptare, sepse bashkoi dy të kundërtat, dy ekstremet politike kundërshtare, për interesa madhore kombëtare dhe mori vendime tejet të rëndësishme për atë kohë, por edhe për të ardhmen. M. Gjinishi u zgjodh unanimisht sekretar i Kuvendit të Mukjes. Ai luajti një rol të rëndësishëm në realizimin e saj. Ymer Dishnica, kryetari i delegacionit, i shkruante nga Mukja E.Hoxhës: “Një takim paraprakisht ka zhvilluar Tafari (M. Gjinishi, shën.im-UB) me Mid’hat Frashërin dhe Hasan Dostin në favor të tezës sonë… Qëndrimi i Mustafës në mbledhjen e Mukajt ka qenë fare i mirë, i ka mbrojtë vendimet tona.

Ky është jo vetëm mendimi im, por edhe i Hysenit (Gogo Nushit) që ka asistuar si delegat në të gjithë debatet. Ky është edhe mendimi i delegatëve të tjerë. Ndërsa E.Hoxha, nën diktatin e emisarëve jugosllavë, e quajti tradhti Marrëveshjen e Mukjes dhe gjithashtu tradhti edhe qëndrimin e Y. Dishnicës, Mustafa Gjinishit dhe i dënoi ata në Konferencën e Dytë të Labinotit (4 shtator 1943), ku i shpalli edhe luftë Ballit Kombëtar, legalistëve dhe gjithë atyre që luftonin jashtë Frontit, kur vetëm disa ditë me parë kishte nënshkruar me ta në Mukje marrëveshjen e bashkëpunimit.

Sakaq, Hoxha e quajti M. Gjinishin edhe spiun të anglezëve. Është absurde politika dyfytyrëshe e E.Hoxhës, që, në njërën anë e quante Lëvizjen NÇ si pjesë të Koalicionit Antifashist dhe kërkonte e merrte mbështetje politike, ushtarake, materiale, madje edhe në flori nga misionet britanike, nga ana tjetër i akuzonte britanikët për tradhti, ndërsa M. Gjinishin si agjent të tyre! Ndërkohë që vetë Hoxha dhe Këshilli i Përgjithshëm NÇ e kishin caktuar Mustafain koordinator dhe përkthyes me britanikët, që ishin aleatët tanë në Luftën Antifashiste. Ja si e kanë vlerësuar këta të fundit Mustafa Gjinishin.

Xhuliano Emeri: Nga takimet që kemi pasur me udhëheqës shqiptarë, M. Gjinishi, që ne e njihnim të gjithë, kishte njohuri për zhvillimet ndërkombëtare” (Xh. Emer, “Bijtë e Shqipes”). Hibbert, te “Fitorja e hidhur”: “Po të përdorësh termat komunistë ‘Gjinishi ishte oportunist’ me kontakte të gjera me shumë nacionalistë dhe sektorë të jetës shqiptare, shprehej në favor të përpjekjeve të gjera kombëtare kundër pushtuesve, ishte popullor në forcat partizane, kishte dëshirë dhe aftësi për të punuar në mënyrë konstruktive me të huajt nga Perëndimi dhe i prerë për të qenë nismëtar i pajtimit kombëtar”.
Shefi i Misionit anglez, gjenerali Deivis: “Ai e fliste mirë anglishten, që i dha përparësi në marrëdhëniet me ne, por ngjalli dyshime. Kur e njohëm, ramë në një mendje për të bashkëpunuar dhe bisedonim me të pasi ai qe njeri i arsyeshëm. Gjithashtu, ai kishte një prirje të këndshme humori. Nëse Mustafai do të udhëhiqte shtetin në vend të Enverit, vështirë se do të bëhej lodër në duart e Rusisë”.

Përgjegjësi i Seksionit Aleat për Shqipërinë, nënkolonel Filip Lik, që kishte ardhur në Shqipëri më 10 maj për të parë vetë nga afër situatën, refuzoi ftesën e E.Hoxhës për të marrë pjesë në Kongresin e Përmetit. Sipas tij dhe qeverisë britanike ai ishte një kongres i paligjshëm, që angazhonte ushtrinë NÇ për të marrë pushtetin pa mbaruar ende lufta, ndryshe nga ç’ishte vendosur më parë dhe përjashtonte gjithë faktorët e tjerë politikë, të cilët, sipas Hoxhës, duhet të asgjësoheshin. Aleatët nuk e njohën kongresin dhe qeverinë (komitetin) e dalë prej tij dhe deklaruan se “nuk do të njihnin asnjë qeveri që do të zgjidhej me forcën e ushtrisë, por vetëm me zgjedhje popullore pas luftës”.

Nënkoloneli britanik i dërgoi me adjutantin e tij një letër M. Gjinishit, ku i shpjegonte arsyet përse nuk merrte pjesë në Kongresin e Përmetit. E. Hoxha e paraqet kështu këtë fakt përpara kolonelit jugosllav Stoiniç në Berat: “Ne e pamë kur nënkoloneli ia dërgoi letrën Mustafait dhe ky e këndon dhe ia kthen përgjigjen me zarf. Miladini iu afrua Mustafait dhe i tha: “Ç’është ajo letër?”. S’është asgjë, i thotë Mustafai. “Ti je njeriu i anglezëve, i thotë shqip Miladini. Mustafai iu përgjigj: “Unë nuk jam tradhtar”. “Kush e ka udhëhequr Partinë tonë? Partinë tonë e ka udhëhequr në punë Aliu (M.Popoviçi), në udhëheqje ka qenë Aliu, dorë e djathtë e Enverit”, – thotë anëtarja e KQ të PKSH, Liri Gega. Ja ç’thotë vetë Enver Hoxha me gojën e tij: “Ata që ishin kryesorë ishin Aliu dhe Dushani.

Çdo gjë që thoshte Aliu ishte e mbaruar… Vija terroriste është e fortë te Dushani, që vriste më shumë se Mehmeti. Ke Aliu ishte me hënë. Unë në këtë pikë isha pasqyrë e Aliut, d.m.th. kur thoshte ai se ky po bën kështu, atëherë vendosnim ta vrisnim… Asgjë s’e peshonim. Parulla “o me ne, o kundër nesh” ishte në rend të ditës… Sa për Mustafa Gjinishin ajo ka qenë ndryshe. Ne mendojmë se ajo duhej bërë…”. E. Hoxha ka qenë i ndërgjegjshëm dhe i vendosur për vrasjen e Mustafait. “Ajo duhej bërë”- rrëfehet ai. Shihet qartë, Hoxha ishte një terrorist profesionist, që e ngriti karrierën mbi vrasjet. Përpjekja tinëzare për të manipuluar se E. Hoxha ka qenë “i keq” pas luftës dhe “i mirë” gjatë luftës, është një shmangie nga historia e vërtetë, një mashtrim dhe një përpjekje mjerane për ta rehabilituar atë. E. Hoxha i ka bërë krimet më të mëdha gjatë luftës, siç është edhe krimi kundër M. Gjinishit. Pikërisht në Përmet, u vendos nga Miladin Popoviçi dhe E. Hoxha eliminimi fizik i M. Gjinishit. Por, asgjësimi i tij ishte menduar qysh më parë.

Në letrën që E. Hoxha i shkruante N.Spirut, i thoshte: “Puna e Mustafait neve nuk na pëlqen, edhe çështja e Mukjes, si edhe mesazhi i Radio Londrës për Tafarin etj. Lidhjet dhe lëvizjet e tij duhet të kontrollohen. Me Mustafain duhet të lozim një lodër me shumë kujdes… Mua nuk më mbushet mendja dhe po më bëhet një ide fikse çështja e Mustafait. Prandaj duhet t’i hetosh mirë lëvizjet e tij…”. (letër N.Spirut, 4 tetor 1943). Po kështu, E.Hoxha i jep porosi L. Gegës për survejimin e Gjinishit në Dibër. Nga ana tjetër, M. Popoviçi kërkonte kokën e Mustafait, sepse ky shtronte zgjidhjen e drejtë të çështjes së Kosovës. Miladini i shkruante K.Tashkos: “Në qoftë se kërkohet se kush e ka bërë pyetjen “Si qëndron çështja e Kosovës, po jua them se e kanë bërë Dinoja (K. Tashko, shën. im, UB) dhe Tafari (M.Gjinishi, shën.im, UB), tue thanë se e tanë Shqipnia asht e preokupueme prej këtij problemi. Të gjitha çështjet vijnë prej idenave jo të qarta e të errëta që i kombinon ti, shoku Dino me Tafarin për çështjen nacionale. Ju kini mbërritur shumë larg në hipoteza dhe e kini shtrue çështjen e Kosovës shumë tragjike dhe si çështjen më aktuale në Shqipëri”.

Miladini sulmonte Koço Tashkon: “Akuza ‘përça e sundo’ që shkruan ti për mua, është thënie e Tafarit, që e don aq fort ti dhe e merr hua me aq vullnet. Vëtëm se ai do të përgjigjet për këtë një ditë”. Por kërcënimin me jetë e ka për M. Gjjinishin, që e vuri në zbatim bashkë me E. Hoxhën. Vetë Mustafai e kishte nuhatur që do ta eliminonin. “Kanë frikë nga unë se kam shumë simpati në popull, thotë Mustafai. – Kanë frikë nga unë pse kam simpati për anglezët. Kohët e fundit kam pasur një bashkëfjalim me Enverin, me të cilin jam grindur shumë” (informacion i G. Nushit për Mustafa Gjinishin, 23 gusht 1944). Edhe e motra, Xhemilja, që rrinte në shtëpinë e M.Pezës, tregon: “Më çojnë në Veri për të më vrarë, i tha Mustafai babë Myslimit. – Ik jashtë shtetit, i tha Baba. Jo, më mirë të vritem, sesa të iki si dezertor nga Shqipëria. Unë s’kam ba ndonjë faj! ia ktheu Mustafai. – Për ty do ta çoj gjakun në gju të kalit!, i tha Babë Myslimi”. E transferuan Gjinishin nga Peza në Dibër dhe përgatitën skenarin për ta vrarë. Zbatimin ia ngarkuan Liri Gegës dhe Shefqet Peçit.

Kur grupi i përbërë prej Liri Gegës, e dërguara e KQ në Korp.I, M. Gjinishit, i dërguar i Këshillit të Përgjithshëm NÇ dhe majori britanik Smith pranë korparmatës, si edhe shoqëruesit e tyre, po kalonte nga Peshkopia në Slatinë, atij i ishte bërë një pritë e organizuar nga L. Gega dhe Sh. Peçi. Kaloi pararoja, kaloi edhe Liria me shoqëruesit, ndërkohë që para pritës u shfaq M. Gjinishi dhe majori Smith mbi kuaj, u godit me dy të shtëna vetëm Mustafai, që ra i vdekur përtokë. Majori Smith, u kthye pas për në Peshkopi. Ishte data 23 gusht 1944. Siç tregon shoqëruesi i Mustafait, Fadil Thartori, prita ishte përgatitur, qysh më parë, për të vrarë Mustafanë. “Ishte qëlluar me dy plumba në ballë dhe në zemër. Duke u dridhur e duke qarë fillova të kontrolloj xhepat. Pasaporta dhe dokumentet e tjera ishin shpuar nga përpara, d.m.th. se Mustafai nuk ishte qëlluar nga prapa shpine, siç u tha më vonë. Dokumentet dhe armatimin e Mustafait ia dorëzova Liri Gegës në Sllatinë. Mua nuk më pyeti njeri se qysh ndodhi kjo vrasje”. Menjëherë Liri Gega njoftoi me telegram E. Hoxhën. Ja përmbajtja e telegramit të parë: Telegram. Rezervat… Shifër sekrete (për Enverin). Çdo gjë mbaroi sipas porosisë suaj.

Prisni radiogramin që vijon. Muzhiku (Pseudonim i L. Gegës) E pranon vetë E. Hoxha përmbajtjen e telegramit: “Telegrami thoshte “Puna doli me sukses”. Kjo ishte puna e Mustafait”. E pranon këtë vrasje, sepse ajo u bë e njohur nga të gjithë, edhe në shtypin e kohës, madje edhe nga britanikët. E pranon edhe si një kërcënim për të tjerët. Megjithatë, fillimisht, Hoxha u mundua ta mbulonte. Ai, më datën 26 gusht, pra pas tri ditësh heshtjeje, vetëm kur mori një radiogram nga Kuartieri i Përgj. Aleat për vrasjen e Mustafa Gjinishit, e shpalli atë hero, të rënë në luftë kundër gjermanëve. Po ç’thotë Sejfulla Malëshova: “Për herë të parë mora vesh punën e Mustafa Gjinishit dhe nuk e di përse. Një nga të dyja: Ose ai ka qenë tradhtar i Partisë edhe i popullit sot kur jemi në luftë dhe atëherë ne duhet ta vendosim hapët, ose ai ka bërë gabim e për gabim nuk vriten njerëz.

Përveç kësaj, në një anë e vrasin Mustafa Gjinishin, në anën tjetër e quajnë hero. Këto metoda jezuite s’kanë të bëjnë fare me PK…”. Ja si e përcjell Gogo Nushi përjetimin e Myslim Pezës: “Parmbrëmë mësuam nga Radio Bari për vrasjen e M. Gjinishit. Ia njoftuam Myslim Pezës, i cili u hidhërua shumë dhe nuk tha asnjë fjalë. Mbas disa orësh filloi të pijë raki përpara ma shumë se 50-60 vetash e filloi të flasë: “Mustafain e kanë vrarë shokët, se ky qe më i zoti se ata. E kërkova të vinte në Pezë si Mustafain ashtu edhe Hasanin (Recin), por nuk më lanë Ramadan Citaku, të cilit i dhjefsha mustaqet.

Mustafai para se të largohej nga Përmeti më tha se më dërgojnë në Dibër dhe atje do të më zhdukin… Më kishte thënë sh. Enver për Mustafën që duhej pushkatuar” (nga letra e G.Nushi dërguar KQ të PPSH, F14, D 44). Trupi i M. Gjinishit u varros me nderime në Varrezat e Dëshmorëve të Peshkopisë. Pak ditë më pas, me urdhër nga lart, eshtrat e tij u zhvarrosën natën dhe u hodhën në një përrua, që t’i merrte ato me vete e të mos mbeteshin as gjurmët e varrit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura