Dyshimet për pasurinë e drejtuesit të Apelit për Krime të Rënda, KPK merr vendim

Feb 14, 2019 | 9:33
SHPËRNDAJE

BLEONA METUSHI/ Drejtuesi i Apelit të Prokurorisë për Krime të Rënda, Artan Bajrami nuk kalon testin e vetingut dhe shkarkohet nga detyra. 

Vendimi eshte bere sot pubik nga KPK-ja e cila njoftoiu se pas hetimit eshte vendosur shkarkimi nga detyra i drejtuesi i Apelit të Prokurorisë për Krime të Rënda.

Ai u përball dje me dyshime në lidhje me pasurinë e tij, ndërsa rezultoi se në dy kriteret e tjera nuk kishte probleme.

Artan Bajrami, kreu i Apelit të Prokurorisë për Krime të Rënda
Artan Bajrami, kreu i Apelit të Prokurorisë për Krime të Rënda

Treshja e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, e përbërë nga Valbona Sanxhaktari, Brunilda Bekteshi dhe Suela Zhegu, relatoi se hetimi për Kryeprokurorin Bajrami, i cili është edhe një nga prokurorët e çështjes së Dritan Dajtit në Apel, është kryer në të tria kriteret e rivlerësimit. Ndërkohë, në lidhje me çështjen e shumëpërfolur, atë të dënimit me 25 vite burg të autorit të vrasjes së 4 policëve 10 vite më parë, Bajrami dha komentin e tij për mediat pas përfundimit të seancës dëgjimore.

“Do të bëjmë rekurs”, u shpreh Bajrami, duke iu përgjigjur interesit të medias. Kujtojmë se edhe më herët, Prokuroria është shprehur se ka qenë kundër pranimit të kërkesës për gjykim të shkurtuar se ka mbajtur të njëjtin qëndrim si në Shkallën e Parë. Në një seancë që zgjati rreth 1 orë, drejtuesi i Apelit të Krimeve të Rënda u përball me dyshime sa i takon pasurisë së tij.

Referuar relacionit të lexuar nga relatorja e çështjes, Suela Zhegu, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit ka dorëzuar një raport me konstatimin se deklarimi është i saktë dhe në përputhje me ligjin. Por pavarësisht këtij konstatimi, KPK tha se ka kryer një hetim tjetër, të thelluar për pasuritë e deklaruara nga Bajrami.

HETIMI DHE PROBLEMET

Hetimi administrativ i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit ishte përqendruar në apartamentin 110 metra katrorë në Tiranë, të blerë për 45 mijë dollarë ose 6.5 milionë lekë. Bazuar në deklarimet e prokurorit, rezulton se burim krijimi është deklaruar një hua prej 5 milionë lekësh dhe të ardhurat nga shitja e banesës në Gramsh për 4 mijë dollarë, si dhe kursimet nga paga. Për këtë pasuri, nga hetimi është konstatuar mospërputhje e burimit të parave për shlyerjen e një kësti të huas.

Gjatë deklaratave vjetore, subjekti nuk ka deklaruar se pagesa prej 1.5 milionë lekësh është paguar nga baxhanaku, por ka pasur burim shitjen e banesës në Gramsh. Në lidhje me këtë konstatim, Bajrami tha se ishte një ngatërresë, pra, një lapsus dhe kërkoi që kjo të mos bëhej problem për karrierën e tij.

Më tej, nga relacioni, rezulton se baxhanaku i prokurorit ka bërë edhe dhurata të tjera, që kapin vlerën 2.2 milionë lekë. Por relatorja theksoi se pas hetimit është konstatuar se baxhanaku ka burime të ligjshme për dhënien e kësaj shume. Pasaktësi janë vërejtur edhe në deklarimin për apartamentin e banimit në Golem, me sipërfaqe 55 metra katrorë. Referuar hetimit, KPK ngriti dyshime se Bajrami nuk kishte paguar 10 mijë euro për këtë apartament. Sipas shpjegimit të relatores së çështjes, Suela Zhegu, nga kontrata ishte parashikuar që vetëm 1500 euro mund të mbaheshin deri në përfundimin e apartamentit, por prokurori nuk kishte paguar 10 mijë dollarë.

Në pronësi të kreut të Apelit për Krime të Rënda ishte edhe pasuria e paluajtshme pyll dhe kullotë me sipërfaqe 910 mijë metra katrorë, përfituar nga Komisioni i Kthimit të Pronave, subjekti e ka deklaruar si trashëgimi nga babai. Këtë pasuri, prokurori e ka deklaruar për herë të parë në vitin 2014 dhe Komisioni tha se i ka kaluar barrën e provës Bajramit, për faktin se kjo pasuri nuk është deklaruar më parë. Problem u bë edhe përdorimi i një makine, që sipas Bajramit, e ka përdorur vetëm për të udhëtuar jashtë vendit, por nga disa polica sigurimi emri i Bajramit figuronte si pronar, duke bërë që KPK të ngrinte dyshime se makina në të vërtetë është në pronësi të Kryeprokurorit.

Bajrami: Pasaktësia në deklarim është një ngatërresë

Në lidhje me dyshimet e ngritura nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dha shpjegimet e veta edhe Kryeprokurori Artan Bajrami, i cili në deklarimin për pagesën e shumës prej 1.5 milionë lekësh, e cilësoi një pasaktësi, ndërsa theksoi se në blerjen e apartamentit ai kishte kontribut vetëm pjesën e kredisë bankare prej 5 milionë lekësh dhe pjesë tjetër e pagoi baxhanaku. “Mbështetja financiare e baxhanakut tim për mua dhe familjen vjen për shkak të një marrëdhënieje tepër të ngushtë”, tha Bajrami.

Ky i fundit vuri në dukje se baxhanaku i tij kishte aftësi paguese më të larta se ai dhe kjo për shkak të aktivitetit të tij në biznes. Ai, po ashtu, i tha KPK-së se në vitin 2000 Angjeli ishte ofruar të blinte apartamentin dhe t’ia linte atij në përdorim pa dëmshpërblim. Sipas prokurorit, edhe më herët baxhanaku i kishte ofruar ndihmë për blerjen e një apartamenti, por për shkak të karakterit dhe dinjitetit nuk e kishte pranuar këtë dhuratë.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura