“Interi? Isha i çmendur kur i quajta kampionë në verë”, Alegri: Nëse mundim Milanin në shtëpi jemi në Champions

Apr 27, 2024 | 11:01
SHPËRNDAJE

Një kupë tërheq tjetrën. Pasi siguruan finalen e Kupës së Italisë, do të luhet kundër Atalantës më 15 maj në Romë, Masimiliano Alegri kërkon që të sigurojë edhe zonën Champions. Sot në mbrëmje, në “Allianz Stadium”, do të bëjë vizitë Milani, një sfidë që sipas trajnerit bardhezi duhet fituar për t’i vënë fjalën fund edhe objektivit kryesor që i kishte vënë klubi në fillim të sezonit.

Alegri Inter

“Nëse mundim Milanin mund të provojmë deri në fund që të synojmë edhe vendin e dytë në renditje, por mbi të gjitha do të siguronim rikthimin në Champions. Ajo me Milanin është gjithmonë një ndeshje e bukur, për t’u luajtur dhe për t’u shijuar. Kuqezinjtë janë një skuadër shumë e rëndësishme, e stërvitur nga një trajner i madh si Pioli. A e dëgjova deklaratën e Stefanos?

Po, por personalisht nuk e di nëse Interi ka qenë skuadra më e mirë këto 4 vite të fundit. Por sigurisht që në këtë sezon, zikaltrit kanë qenë superior kundrejt të gjithëve, edhe pse, kur e thashë unë që në fillim të gushtit, pa nisur ende sezoni, të gjithë më quajtët të çmendur.

Unë jam shumë realist dhe tani të gjithë e kuptojnë pse unë kundërshtoja Piolin, apo edhe trajnerin e Interit e këdo tjetër, kur thonin se ne ishim favoritët për titull, duke qenë se nuk luanim kupat e Europës. Madje, nëse doni mendimin tim, të mos luash kupat nuk të ndihmon, por të dëmton, sepse në momente të ndryshme të përgjum, të shpërqendron shpesh dhe kjo nuk më ka pëlqyer aspak, sidomos në këtë fazë të dytë”.

Për sa i përket të ardhmes, konkretisht sezonit të ardhshëm, Alegri e merr me batutë: “A do të jem vitin tjetër? Unë di të them se sezoni tjetër do të jetë shumë i bukur… Nuk e di nëse do të mjaftonin 2-3 blerje për t’iu afruar Interit, pasi nuk e bëj unë merkaton, prandaj pyesni personin që merret me këtë punë. Unë jam trajneri, unë stërvis ato që më sjellin. Në të njëjtën kohë jam edhe administrator, financier, sepse e di që të rikthesh një skuadër në Champions sposton shumë ekuilibra financiarë dhe ato po që janë numra të rëndësishëm.

Gjithses, unë mendoj se pas 5 titujve, 4 kupave, 2 Superkupave dhe 2 finaleve të Champions-it në vitin tim të parë, në këtë aventurë të dytë nuk na ka munguar forca, por ndoshta ambicie për të bërë gjithmonë një hap më shumë. Dhe pikërisht ambicia është ajo që Juves nuk duhet t’i mungojë kurrë edhe pse për këtë sezon objektivi ishte rikthimi në Champions dhe kaq. Pastaj, të gjithëve na pëlqen të fitojmë, mua të parin, por kur nuk ia arrin duhet të duartrokasësh fituesin”.

Në fund, lidhur me intervistën e fundit të Vlahoviçit për “L’Equipe”, se ka si objektiv “Topin e Artë”, Alegri buzëqesh: “Bën shumë mirë që e synon dhe unë shpresoj që t’ia arrijë. Dushan është përmirësuar shumë te Juventusi dhe më në fund, ndeshje pas ndeshjeje po gjen atë ekuilibër të brendshëm që i nevojitet një sulmues të madh. Prandaj, rrugën për të arritur te ‘Topi i Artë’ të ma tregojë se e ka nisur në drejtimin e duhur që nga sfida me Milanin”.

JETON STAFMOLLA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura