Konte frikëson Juventusin me kërkesat dhe rrogën, Tiago Mota “ftohet” me bardhezinjtë

May 9, 2024 | 12:46
SHPËRNDAJE

Juventusi do të zgjidhë definitivisht çështjen e stolit për sezonin e ardhshëm, pas maksimumi 10 ditësh. Klubi dhe drejtuesit duan që të lënë gjërat në qetësi, duke qenë se më 15 maj, në stadiumin “Olimpiko” luhet finalja e Kupës së Italisë, mundësia e fundit e bardhezinjve për të marrë një trofe pas 3 sezonesh, por pas saj kjo do të jetë tema më e nxehtë dhe kryesore për t’u zgjidhur në Torino.

sdsdadsssadssassasadda

Edhe pse të gjitha pistat të çojnë se me “Kontin Maks” do të jetë një divorc i pashmangshëm, papritur “Zonja e Vjetër” nuk po merr sinjale të bukura edhe nga dy kandidatët kryesorë që shihen për të pasuar livornezin 56- vjeçar. Antonio Konte, i cili është edhe ëndrra e madhe në Torino, bisedimet nuk kanë reshtur edhe pse në fshehtësi të plotë, por nga sa mëson “TuttoSport”, ai ka kërkuar garanci të rëndësishme nga drejtuesit e klubit mbi një merkato me profil të rëndësishëm dhe një peshë të madhe të saj ta mbajë vetë “Gjenerali i hekurt”.

Por ndërsa kjo temë është lënë pezull nga drejtori Xhuntoli, duke qenë se në fillim duhet të zgjidhë çështje si Rabio apo edhe rinovimi i Kiezës, kërkesa e dytë e Kontes dhe ngërçi më i madh lidhet me pagën. Klubi për trajnerin e ri nuk kërkon që të shkojnë përtej 5 milionë eurove rrogë, për 3 vitet e ardhshme dhe në këtë aspekt Antonio ka qenë shumë i prerë: kërkon të paktën 10 milionë euro në sezon, duke menduar punën e madhe që duhet bërë në skuadër, por edhe për arsyen se Alegri me 7.5 milionë në 3 vitet e fundit nuk ka sjellë ende asnjë trofe në Torino. Dhe kaq ka mjaftuar që për momentin bisedimet të ndërpriten.

Në të njëjtën kohë drejtori sportiv, Kristiano Xhuntoli, po mundohet të mbajë të nxehtë edhe pistën Tiago Mota, me të cilin është lënë një takim brenda 20 majit. Gjithsesi, lajmet e fundit nga Franca kanë trembur Juventusin, pasi PSG-ja është futur fort në garë për ish-mesfushorin e tyre dhe ka gati 11 milionë euro rrogë në vit që Mota të zëvendësojë Luis Enriken, i cili pas dështimit në Champions do të përshëndesë. Shkurt, në Torino çështje e stoli po bëhet e rrezikshme…

Përgatiti: JETON STAMOLLA – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura