Pushtimi fashist i Shqipërisë në diplomacinë jugosllave! Konti Ciano njoftoi Berlinin mbi shkaqet e ndërhyrjes ushtarake

May 9, 2024 | 12:47
SHPËRNDAJE

XHEZAIR ZAGANJORI/ Në ditët para dhe pas pushtimit fashist të Shqipërisë, veçanërisht në datat 4-8 prill 1939, ka pasur shkëmbime diplomatike intensive mes Romës dhe Berlinit.

durresi

Rezulton se Roma zyrtare, e konkretisht ministri i Jashtëm i saj Konti Ciano (njëkohësisht edhe dhëndër i Duçes), tregohen shumë të vëmendshëm për të njoftuar Berlinin zyrtar mbi shkaqet (pretekstet) e ndërhyrjes ushtarake, orën e saktë dhe numrin e forcave italiane që do të zbarkonin në bregdetin shqiptar, nevojën e mbështetjes “pa rezerva” të këtij operacioni nga drejtuesit më të lartë të Rajhut si dhe nga i gjithë shtypi gjerman. Rezulton gjithashtu se drejtuesit më të lartë të diplomacisë italiane kanë informuar Rajhun gjerman edhe mbi “shqetësimin” e tyre për gjetjen e formës së organizimit politik të Shqipërisë, me të cilën synohej të mvishej pushtimi, raportet me vendet fqinje, e të tjerë. Ndër të tjera, në këto telegrame i kushtohet kujdes edhe reagimit potencial të Jugosllavisë ndaj agresionit italian në Shqipëri. Për shkak të afërsisë dhe pozicionit gjeografik që ka, Jugosllavia ndjehet shumë e kërcënuar nga një sulm i tillë i Musolinit, pa llogaritur këtu orekset territoriale të saj ndaj territoreve shqiptare.

Në fakt, Mbretëria jugosllave ndodhej në këtë kohë në një situatë të veçantë. Në prill të vitit 1934 ishte vrarë në një atentat Mbreti i saj Aleksandër i Parë i “derës” së Karagjorgjevicëve (atentati gjatë vizitës zyrtare të tij në Marsejë të Francës). Sipas testamentit, fronin duhej ta merrte një Këshill Regjent prej tre vetash, i cili duhej të kryesohej nga Pavel Karagjorgjevic, kushëri i parë i ish-mbretit të vrarë, deri sa djali i tij 11-vjeçar Pjetri i Dytë, të arrinte moshën madhore (18 vjeç). Kështu pra, në vitet 1934 – 1941, Froni Mbretëror i Jugosllavisë do të drejtohej nga Princi Regent Pavel Karagjorgjevic.

Ndërkaq, Kryeministër dhe ministër i Jashtëm në Jugosllavi ishte Milan Stojadinoviç, politikan ekstremist që simpatizonte dukshëm regjimin fashist në Itali dhe atë nazist në Gjermani. Pikërisht mbi këtë bazë, Stojadinoviç do ta nxiste në vitet 1937-1938 Princin Regent, të krijonte raporte sa më të mira me Italinë dhe Gjermaninë. Kjo do të shihej qartë veçanërisht me qëndrimin zyrtar jugosllav pro Marrëveshjes së Mynihut të 29 shtatorit 1938 për aneksimin e krahinës së Sudeteve në Çekosllovaki. Po kështu, në janar 1939, Stojadinoviç do t’i kërkonte ministrit të Jashtëm italian, Ciano, të mbështeste Partinë e Bashkimit Radikal, pasi me fitoren e saj do të mund të vendosej diktatura fashiste në Jugosllavi. Në të njëjtin takim (pra janar 1939) Stojadinoviç dhe Ciano do të diskutonin gjithashtu edhe për mundësinë e ndarjes së Shqipërisë, por ndaj kësaj ideje do të shprehej skeptik Princi Regent Pavel, sipas të cilit Jugosllavia kishte tashmë mjaft shqiptarë në territorin e saj, të cilët “…nuk shfaqin shumë respekt dhe besnikëri ndaj shtetit jugosllav…”, ndaj rritja e numrit të tyre mund të bëhej problem për Jugosllavinë. Nga ana tjetër, duket se Princi Regent është disi më i tërhequr në pozicionin e tij ndaj Fuqive të Boshtit, pasi synonte një politikë sa më neutrale ndaj Fuqive Europiane, duke ruajtur kështu në veçanti, krahas marrëdhënieve të mira me Italinë e Gjermaninë, edhe kontaktet tradicionale me Francën dhe me Britaninë.

Me sa duket, pikërisht këto qëndrime të tij e detyruan Princin Regent më 5 shkurt të vitit 1939 të largonte Milan Stojadinoviçin nga detyra e Kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm të Mbretërisë Jugosllave. Në vend të tij, si ministër i Jashtëm u vendos Aleksandar Cincar – Markovic. Por pushtimi i gjithë Çekosllovakisë dhe vendosja e Protektoratit Gjerman më 16 mars 1939 mbi dy krahinat e saj, Boheminë e Moravinë, tronditën rëndë edhe politikën jugosllave. Në Beograd filluan të frikësohen realisht se shpejt mund t’u vinte radha edhe atyre, pas pushtimit të mundshëm gjerman të Polonisë si dhe aspiratave të Musolinit për të “kontrolluar” Ballkanin, duke filluar nga Shqipëria.

Edhe nëse nuk mund të bëhej fjalë për pushtim të mëtejshëm e të menjëhershëm të territoreve të tjera ballkanike, vetëm fakti që pas okupimit të Shqipërisë Italia do të mund të kontrollonte tashmë plotësisht të dyja anët e Kanalit të Otrantos, ishte i mjaftueshëm për ti kufizuar apo edhe mohuar tërësisht Jugosllavisë aksesin detar me botën e jashtme. Prandaj, në vitet 1937-1938, Jugosllavia tregoi interes të shtuar për të aktivizuar më shumë bashkëpunimin mes shteteve palë në kuadër të Paktit Ballkanik të krijuar në vitin 1934, me anëtarë Jugosllavinë, Turqinë, Greqinë dhe Rumaninë. Synimi i këtij Pakti ishte ruajtja e statukuosë dhe e kufijve të këtij rajoni, të fiksuara me Traktatin e Versajës, pas Luftës së Parë Botërore. Pikërisht mbi këtë bazë, mendohej se Jugosllavia mund të reagonte në një mënyrë apo një tjetër ndaj pushtimi italian të vendit tonë… Megjithatë, siç do shohim me poshtë, për Romën dhe Berlinin, ky nuk ishte shqetësim shumë i madh. Ambasadori italian në Berlin, Bernardo Attolico, do t’i thoshte më 6 prill 1939 zëvendësministrit të Jashtëm të Gjermanisë, Erst von Weizsacker, se në Romë besohej që “…reagimet e mundshme të Jugosllavisë do të mund të përballoheshin përmes kontakteve intensive me Beogradin…”.

Nga ana tjetër, po më datë 6 prill 1939, Konti Ciano do t’i theksonte ndër të tjera ambasadorit gjerman në Romë Hans Georg von Mackensen se Hungaria, aleatja e tyre (Italisë e Gjermanisë), në mënyrën “më luajale”, ishte treguar shumë e gatshme që nëse do të kishte shenja të reagimit ushtarak, “… do të mobilizonte e vinte menjëherë përballë Jugosllavisë gjashtë divizione ushtarake…pavarësisht se shteti jugosllav paraqitej nga brenda si shumë i dobët…”. Megjithatë, nuk mungojnë për këtë qëllim edhe kontaktet e drejtpërdrejta diplomatike italo-jugosllave dhe gjermano-jugosllave. Bie në sy veçanërisht një telegram tepër sekret i dërguar në orët e vona të natës së datës 6 prill 1939 në Berlin nga ambasadori gjerman në Rome Mackensen, lidhur me takim e tij të po kësaj dite me ambasadorin jugosllav në Romë, Kristic.

Ky telegram, i përpunuar më pas nga zëvendësministri i Jashtëm i Gjermanisë, Ernst von Weizsacker, i dërgohet menjëherë drejtuesve kryesore të Rajhut, si dhe ambasadave gjermane në Athinë, Budapest, e Beograd. Ndër të tjera, Mackensen thotë në telegramin e sipërpërmendur se: “Sot më 6 prill më erdhi për vizitë ambasadori jugosllav në Romë, Kristiç, i cili sapo ishte kthyer nga Beogradi, ku kishte takuar ndër të tjera Princin Regent dhe ministrin e tij të Jashtëm Markoviç, të cilët konfirmojnë edhe njëherë se politika e jashtme e Jugosllavisë mbetet e pandryshuar në drejtim të bashkëpunimit miqësor me Fuqitë e Boshtit (Gjermani, Itali, Japoni). Dhjetë ditë më parë kur u nisa në Beograd, Ciano më siguroi se nuk ka asnjë zhvillim të ri në marrëdhëniet me Shqipërinë. Por, sapo u ktheva në Romë, që në stacionin e trenit, bashkëpunëtorët e mi më njoftuan lajmin e papritur të ultimatumit të Qeverisë italiane për Shqipërinë.

Ky lajm ka shkaktuar një shok të vërtetë në Beograd. Beogradi është i ndërgjegjshëm për interesat që ka Italia në Shqipëri, ashtu siç është theksuar qartësisht edhe në marrëveshjet italo-jugosllave të përfunduara dy vite më parë (1937). Ndër të tjera, në këto marrëveshje njihen veçanërisht interesat ekonomike dhe ato të mbrojtjes detare italiane në Shqipëri. Por, nga ana tjetër, Jugosllavia nuk mund të bëjë sehir (të jetë indiferente), nëse Italia, në një formë apo tjetër, vendoset ushtarakisht në territorin shqiptar, gjë që në fund të fundit, në këndvështrimin strategjik, është një kërcënim edhe për Jugosllavinë…. “Prandaj ambasadori jugosllav vuri në dukje se ai e ‘kishte përshëndetur e vlerësuar ftesën për takim që i kishte bërë një ditë më parë Ciano, ku i kishte vënë në dukje se vendimi për Shqipërinë do të merret po sot, me mbarimin e afatit të ultimatumit (6 prill 1939). Nëse këto zhvillime do të bëhen me ose pa Mbretin Zog, kjo varet tërësisht nga qëndrimi i tij. Ciano i kishte theksuar gjithashtu se nëse do ta pushtojmë Shqipërinë, kjo do të jetë e përkohshme.

Megjithatë, ai (Ciano) e kishte siguruar ambasadorin jugosllav se para se të vendosej përfundimisht lidhur me statusin e Shqipërisë, italianët do ta diskutonin më parë këtë çështje (përdorur shprehja franceze “se mettre d’açord”) me Jugosllavinë… Ambasadori jugosllav vuri në dukje gjithashtu se do të ishte edhe në interes të politikës së jashtme të Italisë e Gjermanisë, që Beogradi të kishte mundësinë dhe kohën e mjaftueshme për ta parapërgatitur opinionin publik të vendit për këtë çështje (pushtimin e Shqipërisë), në mënyrë që ky zhvillim të mos përdorej nga elementët armiq të Fuqive të Boshtit, të cilët presin dështimin e këtij aksioni, gjë që do të dëmtonte shumë edhe politikën jugosllave ndaj kësaj Aleance. …”.

Më pas në telegram theksohet gjithashtu se “Ambasadori jugosllav, që ishte mjaft i qetë dhe i drejtpërdrejtë, nuk bëri asnjë përpjekje për të vënë në dyshim domosdoshmërinë e sulmit ndaj Shqipërisë. Për më tepër, dukej se kjo politikë e vendosjes para faktit të kryer nga ana e Cianos, ishte miratuar prej tij. Për ambasadorin jugosllav dukej se kishte rëndësi siguria që statusi përfundimtar i Shqipërisë do të vendosej nga Italia vetëm pas konsultimit paraprak me Jugosllavinë. Për Kristiç kujdes i veçantë duhej treguar që Italia të mos gabonte në zbatimin e regjisë së nevojshme të përgatitur prej saj, sepse një gjë e tillë do të sillte pasoja të padëshirueshme për Qeverinë Jugosllave. Duke iu referuar karakterizimit të bërë nga vetë Ciano, ambasadori jugosllav shtoi së fundi se e rëndësishme për Jugosllavinë është ruajtja në parim e sovranitetit të Shqipërisë, pavarësisht se kjo mund të bëhet me ose pa Mbretin Zog…”

Për të kuptuar më mirë lojën diplomatike që bëhej në kurriz të Shqipërisë, mendoj se është me interes të përmendet edhe një pjesë e telegramit të përgatitur nga zëvendësministri i Jashtëm gjerman, von Weizsacker, më datë 7 prill 1939, lidhur me informacionin e marrë një ditë më parë nga ambasada gjermane në Romë mbi takimin e po asaj dite mes ambasadorit Mackensen me Kontin Ciano. Ndër të tjera, pasi e informon me hollësi ambasadorin gjerman për planin e pushtimit ushtarak të Shqipërisë ditën e nesërme më datë 7 prill, Ciano vë në dukje edhe një fakt në dukje tepër absurd, duke i theksuar ambasadorit gjerman (Mackensen) se në darkën e po asaj dite do t’i tregonte edhe një telegram tepër sekret të ardhur në Roëe nga ambasadori italian në Tiranë 12 ditë më parë, ku thuhet se “Mbreti shqiptar është i gatshëm që në bashkëpunim me trupat italiane të ndërmarrin një sulm kundër Jugosllavisë, aksion që duhet të shkojë deri në Nish… Ai (Mbreti) e argumenton këtë veprim me misionin e tij për t’u bërë “Hitleri i Ballkanit”, ndaj është i gatshëm të vendosë rendin në Ballkan, ashtu siç ka vepruar në Europën Qendrore edhe Fyhreri gjerman…” (bëhet fjalë pra për “bashkimin” e Gjermanisë me Austrinë në mars 1938, si dhe për pushtimin e krahinës së Sudeteve në tetor 1938 dhe protektoratin Gjerman mbi Boheminë e Moravinë (Çekosllovaki) në mars 1939 – Shënimi ynë). Në materialin tepër sekret të von Weizsackerit sqarohet më tej se sipas Cianos, “..këto ide nuk janë gjë tjetër veçse shpërthime të megalomanisë…” së Mbretit shqiptar. Është shumë interesante të vihet në dukje se me sa duket, vetë ambasadori gjerman në Romë sikur e vë në dyshim vërtetësinë e kësaj “gatishmërie” apo “zelli” të tepruar të Mbretit shqiptar, ose se paku e zmadhon atë, pasi në vijim të këtij telegrami thuhet se sipas Cianos “Çdo informacion i këtij lloji që duhet të jepet nga pala italiane me rastin e pushtimit, sigurisht që “do të bëjë përshtypje në Beograd, gjë që do të kontribuojë kështu në mirëkuptimin prej tyre të këtij aksioni ushtarak ndaj Shqipërisë…”.

Sidoqoftë, Qeveria jugosllave nuk protestoi aspak ndaj pushtimit Italian të Shqipërisë, ashtu siç bëri fuqishëm Turqia. Kjo do të tensiononte shumë marrëdhëniet turko jugosllave jo vetëm brenda Paktit Ballkanik, por edhe në planin dypalësh. Në periudhën në vijim, deri në mars të vitit 1941, politika jugosllave do të përplasej sa nga njëra aleancë, në tjetrën. Pas pushtimit të Shqipërisë dhe grumbullimit të forcave të shumta ushtarake italiane në territorin shqiptar, ajo u orientua në forcimin e aleancës dypalëshe me Greqinë, në mënyrë që të garantohej një bashkëpunim sa më efektiv mes tyre në rast të një sulmi fashist.

Nga ana tjetër, Princi Regent Pavel nuk harroi kontaktet me Gjermaninë, prej se cilës priste simpati dhe mbështetje ushtarake. Në këtë kuadër, po në qershor 1939 ai bëri një vizitë të pazakontë, nëntë ditore, në Berlin, gjatë së cilës u prit me nderime të mëdha nga vetë Hitleri. Mjafton të përmendet se për nder të tij, Fyhreri gjerman organizoi dy parada të mëdha ushtarake. Sigurisht që synim kryesor ishte impresionimi dhe presioni ndaj Princit Regent, në mënyrë që Jugosllavia t’i bashkohej Fuqive të Boshtit, gjë që formalisht nuk u arrit. Princi Regent, përmes emisarëve të tij, vazhdonte në të njëjtën kohë kontaktet e fshehta me Parisin dhe Londrën. Kulmi i këtyre zhvillimeve do të përjetohej gjatë gjithë marsit të vitit 1941.

Më 4 mars, Princi Pavel do të pritej sërish në Gjermani nga Hitleri, por këtë herë në rezidencën e tij private në Bertelsgaden të Bavarisë, në kufi me Austrinë. Kërkesa kryesore e Fyhrerit ishte lejimi i kalimit të trupave ushtarake përmes territorit jugosllav, në një sulm të mundshëm gjerman kundër Greqisë. Kjo kërkesë do të refuzohej me arsyetimin se vetë ai (Prici Pavel) nuk mund të lehtësonte apo lejonte sulmin ushtarak nga territori jugosllav, kundër vendit nga e kishte prejardhjen bashkëshortja e tij (Pricesha Ollga e Greqisë).

Megjithatë, më 25 mars 1941, Princi Pavel nënshkroi me Fuqitë e Boshtit një Pakt Bashkëpunimi. Ky zhvillim u bë shkak që dy ditë më vonë, më 27 mars 1941, drejtues të forcave ushtarake në Jugosllavi, me nxitjen apo mbështetjen e Britanisë, të detyronin Princin Regent Pavel të lëshonte Fronin, me arsyetimin se Princi Pjetri i Dytë, djali i ish-Mbretit jugosllav Aleksadër i vrarë në vitin 1934, kishte mbushur tashmë moshën 18 vjeç. Në të njëjtën ditë, pra më 27 mars, Hitleri do ta konsideronte këtë zhvillim si grusht shteti, ndaj vetëm pak ditë më vonë, më 6 prill 1941, do të sulmonte e pushtonte Jugosllavinë, mbështetur ushtarakisht ky aksion edhe nga Hungaria e Bullgaria.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura