Dy arsye që furnizojnë lidhjen tonë me Amerikën

Nov 3, 2012 | 16:31
SHPËRNDAJE

SAMI NEZA

Vizita në Tiranë e sekretares së Shtetit të SHBA, Hilari Klinton, përbën një moment të rëndësishëm në marrëdhëniet mes dy vendeve Për shkak të dashurisë së thellë dhe respektit që ndiejnë shqiptarët për SHBA-të, kjo vizitë nuk lexohet vetëm si një rutinë diplomatike, por si një shkëmbim i rëndësishëm mesazhesh mes dy miqve.  Të gjithë e dinë tani në Amerikë, por jo vetëm atje, se shqiptarët ushqejnë për amerikanët një ndjenjë miqësore të thellë e për më shumë, edhe një besim ndaj tyre.  Bile, dozat e miqësisë dhe besimit tejkalojnë edhe ato që shqiptarët mund të ruajnë dhe kultivojnë për ndonjë mik special në Europë.
Mund të renditen të paktën dy arsye themelore që kanë kultivuar këtë lloj miqësie, edhe pse në shumë vite ka pasur një mungesë të plotë komunikimi mes dy vendeve.
E para, shqiptarët kanë një besim të madh tek ajo çfarë thonë amerikanët për shkak se në themel të këtij besimi qëndron një standard, i cili është i vendosur prej amerikanëve, standard që ata nuk e kanë vetëm me ne, por që ne e kemi pranuar pa kurrfarë komenti. Bëhet fjalë për demokracinë. Ne u kemi besuar amerikanëve në atë çfarë thonë, një besim që buron nga cilësia e standardeve të tyre, jo thjesht në nivelin e jetës, por në nivelin e të drejtave, zbatimit të ligjit, mirëfunksionimit të institucioneve etj.
Përmes këtij standardi kalohen lehtë barrierat që krijohen për shkak të diferencave të tjera. Përmes leximeve mbi këtë kod, Uashingtoni na njeh ne më lehtë dhe më mirë. Edhe ne, përmes këtij kodi, e vlerësojmë më mirë dhe e kuptojmë më qartë mikun tonë të madh dhe të vjetër tashmë. Po ashtu, përmes këtij standardi kultivohet besimi për shkak se është një lloj i tillë standardi që punon për qytetarët. Ai nuk lejon që interesa të tjera të mbivendosen mbi interesat e qytetarëve. Fundja, ai lloj besimi ka mbajtur gjallë komunikimin eterik që shumë shqiptarë të qartë në kulmin e errësirës së diktaturës zhvillonin me Amerikën e supozuar.
Arsyeja e dytë për këtë lloj miqësie është historia. Prej 100 vitesh, SHBA-të kanë lobuar për këtë vend, kanë lobuar për shqiptarët. Vendi ynë, për arsye gjeopolitike, nuk është mirëtrajtuar nga fuqitë e mëdha europiane as më 1878-n, as më 1913-n, as më 1919-n. Po të mos ishte vëmendja e amerikanëve, ndoshta vështirë do t’ia kishim dalë të mbanin gjallë pavarësinë e 1912-s. SHBA-të kanë 100 vjet që na gjinden pranë, edhe pse zyrtarisht mirënjohja jonë për ta nuk numëron kaq shumë vjet. Nomenklatura komuniste e kohës e kishte renditur Amerikën te të gjithë armiqtë, të cilët, mungesa e demokracisë në një vend siç ishte Shqipëria komuniste, i shton aq shumë. Për gati një gjysmë shekulli ne nuk dinim gjë për armikun që ishte me ne. Pavarësisht mungesës së kësaj mirënjohjeje zyrtare që zëvendësoi Uilsonin me Leninin, amerikanët nuk kishin gjë për të na fshehur. Kur ra perdja në vitin 1990, të gjithë ata që kishin sadopak sy të hapur apo mundën t’i hapin në atë çast, e panë mikun tonë ashtu siç ishte, siç e kishim menduar dhe me modelin e së cilës kishte mbajtur frymën e shqiptarëve gjallë.
Edhe në këtë vit, amerikanët i shoqëruan shqiptarët në rrugën e tyre drejt demokracisë. Ata u bënë mësuesit tanë të parë në këtë sprovë që po kalonte e gjithë Europa Lindore. Po ashtu, amerikanët nuk na mbajtën mëri për mosmirënjohjen e mëhershme.
Më 1999-n, po ashtu amerikanët drejtuan NATO-n në betejën e saj për çlirimin e Kosovës. Mbështetja e tyre ka qenë përcaktuese në shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe njohjen e saj prej vendeve të fuqishme të botës demokratike.
Edhe në fjalimin e zonjës Klinton në Parlamentin shqiptar u theksua historia e miqësisë dhe mbështetjes. Znj. Klinton siguroi se SHBA do të qëndrojnë me shqiptarë edhe për 100 vitet e ardhshme, dhe për 100 të tjera pas tyre, dhe ato 100 pas këtyre. Në qendër të fjalimit të znj. Klinton ishte nevoja e integrimit të shpejtë të Shqipërisë në BE. Ajo nuk e tha, por shqiptarët e dinë se SHBA kanë ndikuar fort që vendi të anëtarësohet në NATO. Rreshtimi i shqiptarëve në aleancën më të madhe politike dhe ushtarake të kohës është një investim i madh në të ardhmen e Shqipërisë, por edhe të të gjithë shqiptarëve në rajon. Prezenca e amerikanëve në momentet më të rëndësishme të historisë së shqiptarëve në këta 100 vjet e kthen atë në mikun më racional të kësaj feste.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura