Droga me avion, oficeri i Policisë së Vlorës u bë garant për trafikantët

Aug 28, 2015 | 7:45
SHPËRNDAJE

Shefi i Burimeve Njerëzore në Policinë e Vlorës, Vladimir Zanaj, ka mbrojtur prej muajsh grupin kriminal që akuzohet për trafik droge me avion nga Shqipëria drejt Italisë.

Zyrtari i Policisë së Vlorës, i arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, nuk figuronte në listën e personave të implikuar në trafik në momentin kur nisën hetimet, në korrik 2015. Ka qenë përgjimi i bisedave telefonike të shtetasve Sokol Lamaj, financues i trafikut, dhe Vilson Lamaj, pilot i avionit të përdorur për transportin e drogës, që ka nxjerrë në pah implikimin e zyrtarit të Policisë së Vlorës.

Vladimir Zanaj, shef i Burimeve Njerëzore në Policinë e Vlorës
Vladimir Zanaj, shef i Burimeve Njerëzore në Policinë e Vlorës

Burimet zyrtare nga hetimi konfirmojnë së paku dy raste të përgjimit të bisedave telefonike që Vladimir Zanaj, shef personeli në Policinë e Vlorës, ka bërë me dy drejtuesit e grupit kriminal që trafikonte drogë me avion. Biseda e parë ka ndodhur në ditët e fundit të muajit korrik, kur Policia e Vlorës dhe forca nga drejtoria e përgjithshme kanë kryer disa aksione antidrogë në fshatrat e Vlorës.

Sokol Lamaj flet i shqetësuar në telefon me oficerin Vladimir Zanaj, duke i bërë me dije se kishte mbjellë parcela me kanabis në zonën e Sevasterit në Vlorë, ku do të korrte lëndën për ta nisur për në Itali.

PËRGJIMET

Oficeri i premton drejtuesit të trafikut të drogës se nuk duhej të shqetësohej se ende nuk kishte rrezik. Rasti i dytë i përgjuar ka të bëjë me momentet e nisjes së avionit me drogë nga Italia për në Shqipëri. Më datë 24 gusht 2015, avioni “Aeropakt A22S” është nisur nga Aero Club në Ostuni (Puglia), në orën 05:40, dhe është ulur në afërsi të fshatit Xhelilaj, Vlorë, në orën 07:02.

Avioni është ngarkuar me 120 kg drogë për pak minuta dhe në orën 07:12 është ndaluar në Itali në vendin e nisjes, në Ostuni. Në këtë rast, para nisjes së avionit nga Italia, por edhe pas mbërritjes në Shqipëri, ka pasur fluks telefonatash mes shtetasve Sokol Lamaj dhe pilotit të avionit, Vilson Lamaj.

Të dy këta personazhe kanë pasur komunikime të vazhdueshme me efektivin e policisë së Vlorës, Vladimir Zanaj, që i ka garantuar se policia nuk do ta pengonte uljen e avionit në Vlorë, ngarkimin me drogë dhe ringritjen në fluturim.

PRISHJA E PLANEVE

Sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda, familjet Lamaj dhe Zanaj kishin vendosur të mbyllnin qarkun e drogës. Ata kishin mbjellë disa parcela në fshatrat e Vlorës me farë kanabisi të sjellë nga Italia prej Vilson Lamajt.

Pikërisht në këto parcela merrej droga që trafikohej në Itali prej dy familjeve. Në periudhën korrikgusht 2015, pavarësisht premtimeve të oficerit të policisë, Vladimir Zanaj, policia mësohet se ka korrur edhe parcelat e familjeve Lamaj dhe Zanaj në aksionet e zhvilluara në Vlorë.

Këtu kanë nisur problemet për grupin e trafikut që ka kërkuar të furnizohet me lëndë narkotike nga persona të tjerë “jashtë rrethit familjar”, pasi duhej të dërgonte lëndë narkotike në Itali. Aksioni për korrjen e parcelave me drogë në zonën e Sevasterit, në Vlorë, mësohet se ishte kryer për shkak të krehjes së gjithë krahinës nga ana e forcave të policisë.

TRAZHGIM SOKOLAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura