Drejt qartësisë

Mar 7, 2015 | 13:22
SHPËRNDAJE

Preç Zogaj

PREÇ ZOGAJ

  Videoja dhe shpjegimet e deputetit Tom Doshi në emisionin “Top Story” janë pritur me interesim të jashtëzakonshëm jo vetëm për shkak të kuriozitetit të shtuar që ngërthen një histori e tillë me vrasje politike dhe atentatorë të penduar por edhe për faktin se Kryeministri Rama, kryetari i Kuvendit, Meta dhe ministri i Brendshëm, Tahiri kanë dalë njëzëri me versionin se Toma e ka sajuar nga fillimi në fund këtë histori. Si paranojak. Si mitoman. Duke paguar një njeri për të luajtur si aktor killerin e penduar! Ka luajtur mendsh Toma, apo ka pasur realisht një plan kriminal për ta vrarë?

Kjo ka qenë dhe është akoma diada që ka ndarë opinionin publik në vend. Shumica e njerëzve në Shqipëri do të dëshironin që e vërteta të ishte siç po ngulmon treshja Rama- Meta-Tahiri. Midis kupolës qeveritare që planifikon apo shpërfill vrasje deputetësh dhe një deputeti të kapluar nga marria apo shija e lojës, si në tregimet satirike të Mark Tueinit, njerëzit do të preferonim të dytën. Të lajthisë një deputet nuk është ndonjë gjë më dëm. Të kemi në krye të qeverisjes individë që porosisin vrasje me pagesë, është e tmerrshme. Mirëpo, e vërteta nuk është një çështje dëshirash, por provash dhe faktesh.

Çfarë provash dhe faktesh ka deputeti Doshi në mbrojtje të akuzave që ka ngritur? Çfarë provash dhe faktesh ka qeveria në mbrojtje të versionit të saj se plani për vrasjen e deputetëve është një inskenim? Palët tani janë ballë për ballë, fjalën e fundit do ta thotë drejtësia, kjo dihet dhe nuk na kushton gjë ta përsërisin. Ndërkaq, qytetarët dhe opinioni publik mund të krijojnë një gjykim të tyrin, duke arsyetuar rreth fakteve që kanë dalë e po dalin në dritë. Siç e pata nënvizuar në shkrimin tim të mëparshëm në gazetën “Panorama”, shfaqja e videos shoqëruar me shpjegimet e deputetit Doshi kishin rëndësi të madhe për të kapur e kuptuar konturet e ngjarjes, përqindjen e së vërtetës dhe fantazisë.

Sepse një sajim për ngjarje me vrasje, sado me kujdes të jetë qepur, kërcet dhe nuk i fsheh dot deri në fund arnat, ngjitjet, ndërprerjet, boshllëqet… Ndërkohë që e vërteta qëndron mbi një lidhje të brendshme faktesh e episodesh dhe ndihet se është e vërtetë edhe kur i mungon ndonjë element mbushës. Duhet ta them se duke parë videon dhe duke dëgjuar përgjigjet e Doshit përballë gazetarit Sokol Balla, krijova një qartësi me të madhe për ngjarjen e jashtëzakonshme.

Vija e rrëfimit të të penduarit Durim Domi nuk kishte të çara logjike në lidhje me joshjen për të bërë vrasjen dhe tërheqjen prej saj. Ka patjetër hollësi dhe pikëpyetje që kanë nevojë për sqarime. Ka intrigë në morfologjinë e planit kriminal, që meriton të ftillohet. Por po flas për boshtin e rrëfimit, për faktin bazë të kësaj historie, që është ekzistenca e një plani konkret për të vrarë deputetin Doshi, që nuk ka mbetur në letër, por është çuar deri në prag të ekzekutimit. Ka një datë kur do të bëhej atentati, një motor dhe një mbushje eksplozive që do të shpërthente, pesë njerëz me emër dhe mbiemër, pjesë e grupit që do të realizonte vrasjen me eksploziv, është deputeti Doshi dhe shokët e tij që kanë zbritur së bashku nga restoranti, pra janë shumë elemente që të lidhur si “puzzle” me njëri-tjetrin dhe krijojnë unitetin e ngjarjes.

Doshi m’u duk koherent dhe bindës në shpjegimet e tij. Nuk tregoi as sforcim, as spërdredhje, as pasiguri përballë pyetjeve të Ballës. Fliste me qetësinë dhe keqardhjen e dikujt që tregon një të vërtetë të hidhur. Drejtësia le të më përgënjeshtrojë mua dhe gjithë lexuesit që mendojnë si unë. Do të jem i pari që do të kërkoj falje. Të vijmë tani te versioni i qeverisë. Kryeministri Rama ishte i prerë në emision “Opinion” parmbrëmë dhe akoma më i prerë në prononcimet e ditës së djeshme tek ka thënë se nuk ka pasur përpjekje për të vrarë deputetin, por farsë me aktor që luan rol.

Ky variant është pa dyshim basti më i madh që është vënë në këtë histori. Kryeministri ka treguar guxim të rrallë dhe ka hedhur më lojë shumë kredite duke dalë me verdiktin e tij përpara se të dalin rezultatet e hetimit. Po ku e mbështesin krerët e shumicës këtë version kaq të guximshëm, plot kontradikta dhe kundërthënie që s’ka vështirësi t’i kapë as një nxënës i nëntëvjeçares? Nëse e mbështesin në të ashtuquajturin hetim që thonë se i kanë bërë denoncimit të Doshit pesë muaj më parë, atëherë edhe “aktori”

Durim Bami, edhe skenaristi Tom Doshi duhej të ishin marrë si të pandehur dhe sot duhet të kishin dalë përpara gjykatës të akuzuar për mashtrim dhe shpifje. Nëse e mbështesin në kundërdeponimin që thuhet se ka dhënë Durim Domi para hetuesve këto ditë, nuk kanë bërë gjë tjetër, veçse kanë demaskuar një nxitim komplotistësh, duke qenë se thëniet e të pandehurit apo të dëshmitarit konfirmohen ose nuk konfirmohen si të vërteta në një proces hetimor dhe gjyqësor me rregulla strikte, ku fjalën e fundit e ka gjykata. As Kryeministrit, as kryetarit të Kuvendit dhe asnjë zyrtari tjetër të shtetit nuk u lejohet të shpallin sentenca përfundimtare për çështje në hetim apo në gjykim.

Kushdo është në të drejtën e tij të akuzojë, të mbrohet, të refuzojë akuzat, të japë shpjegime për publikun, të paraqitet para organeve të drejtësisë, e të tjera, por atributet e gjykatës nuk mund t’i marrë asnjë funksionar politik. A nuk e dinë këtë gjë elementare në shtetin e së drejtës Meta dhe Rama? Pa dyshim që e dinë. Pse e injorojnë atëherë? Pse flasin si gjykatës përpara se të flasë gjykata? Personalisht e kam të vështirë të mendoj se duan të ndikojnë në një formë kaq të trashë hetimin për ta çuar në hullinë që u përshtatet. Më duket e palogjikshme gjithashtu të pohoj se e besojnë vërtet variantin fantazmagorik të sajimit, sidomos Rama. Të lemë mënjanë për një çast hollësitë e shumta të ngjarjes që nuk mund të shpiken.

Le të sjellim në mend vetëm faktin se dy prej personazheve kryesorë të kësaj “pjese gangsterësh”, siç e quajti Kryeministri, u kanë shpëtuar atentateve për t’u vrarë pas dekonspirimit të planit për eliminimin e Tom Doshit. Në këtë rast duhet të shfrenojmë fantazinë duke besuar në lojëra me eksploziv të vërtetë dhe me vrasje të vërteta! Mendoj se treshja është kapur fort pas variantit të sajimit për të hedhur poshtë me metodën e njohur të kthimit nga të akuzuar në akuzues akuzën që i bëhet Ilir Metës si porositës i vrasjeve me pagesë dhe mandej edhe përgjegjësinë e Ramës dhe Tahirit për shpërfilljen dhe trajtimin joligjor që i kanë bërë denoncimit të deputetit herën e parë.

Kjo mund të bëhet sa kohë që kundër Ilir Metës nuk ka prova, por vetëm fjalë të thëna nga përcjellësi dhe marrësi i porosisë për të bërë vrasjen. Mirëpo, zotërinjtë e treshes, duke dashur të dalin të larë për vete, kanë harruar se janë edhe shtetarë, kanë harruar se është kërcënuar jeta e një deputeti, se ka qenë dhe është në veprim një plan tjetër kriminal për të asgjësuar njerëzit që janë përfshirë në operacionin e denoncuar nga Tom Doshi. Këto janë denoncime dhe ngjarje reale të mbështetura në fakte që nuk mund të sajohen. Në shpjegimet e Tom Doshit ka plot e plot detaje dhe hollësi ku mund të hedhë spirancën e vërteta e patundshme.

Le të përmendim dy-tre prej tyre: krijimin e grupit prej pesë vetash, bisedat telefonike që ata kanë bërë me njëritjetrin, përfshirjen e fëmijëve në operacionin kriminal. Është e lehtë për Prokurorinë të marrë tabulatet dhe të provojë se grupi është krijuar për të vrarë Tomën e Mhillin dhe s’mund të krijohej nga Toma për t’u dukur i kërcënuar.

Në shpjegimet e Tom Doshit tërheq vëmendjen një tjetër element me rëndësi për zbardhjen e aferës. Me vetëdijen e të jetuarit në një mjedis njerëzish të pabesë, që të vrasin natën dhe të qajnë ditën, Toma është mbrojtur vetë, ka hetuar vetë, e ka zbardhur vetë një pjesë ose gjithë ngjarjen, ka futur në dorë edhe pajisjen plasëse, ka gjetur e ka folur edhe më fëmijën që ishte ngarkuar të shtypte numrat e celularit të vdekjes.

Me siguri rezultatet e hetimit të tij ia ka vënë ose do t’ia vërë në dispozicion drejtësisë se pashmangshme. Në kohën tonë, e drejta në këto rrafshe nuk mund të mbytet. As e drejta e një njeriu të thjeshtë e jo më e një deputeti që i ka mundësitë për të sfiduar dorë për dorë palën kundërshtare. Sfida është e hapur. Zaret janë hedhur. Po shkohet drejt qartësisë. Dhe drejtësisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura