Dosja “Hajdari” në ngërç, gjyqtarët e Apelit tërhiqen. Izet Haxhia paralajmëroi se …

Sep 4, 2018 | 16:32
SHPËRNDAJE

ERALD DELIU/ Duket se rihapja e dosjes “Hajdari” nuk do të jetë e thjeshtë. Në një kohë që ish-truproja i Sali Berishës, Izet Haxhia, fitoi betejën e parë pas ekstradimit për rivendosjen në afat të ankimit të vendimit që e dënoi për vrasjen e deputetit Hajdari, ankimimi në Apel ka mbetur në vend numëro.

izet

Kjo për shkak se ende asnjë trupë gjykuese nuk po e merr në shqyrtim kërkesën për rigjykim. Fillimisht ishte trupa e parë që dha dorëheqjen, ndërsa tani, edhe e dyta kërkon të dorëhiqet nga çështja, duke paraqitur kërkesën që pritet të shqyrtohet jo më vonë se më 15 shtator. Kjo do të thotë se ende nuk do të kemi seancë dhe se çështja po zvarritet, ashtu sikurse paralajmëroi edhe vetë Haxhia dy muaj më parë.

“Panorama” mëson se në shortin e dytë, çështja u ka rënë për shqyrtim gjyqtarëve Valdete Hoxha, Genti Shala dhe Astrit Haxhialushit. Mirëpo, edhe këta të tre, ashtu sikurse treshja e parë nuk pranojnë që ta shqyrtojnë ankimimin e Haxhias. Ata kanë paraqitur dorëheqjen nga çështja dhe pritet tashmë të merret një vendim brenda mesit të këtij muaji.

Në rastin e parë, çështja ra në duart e të vesë së Hajdarit, Fatmira Hajdarit dhe gjyqtarëve Shkëlqim Mustafa dhe Andi Civici. Me të drejtë, gjyqtarja Hajdari kërkoi të dorëhiqej nga çështja. Të njëjtën gjë kërkuan edhe kolegët e saj. Në këtë prizëm, duket se do të jetë e vështirë që ndonjë gjyqtar i Apelit të pranojë të shqyrtojë një çështje ku bëhet fjalë për vrasjen e bashkëshortit të koleges së tyre.

ANKIMIMI

Në materialin prej 20 faqesh, Izet Haxhia kërkon marrjen në shqyrtim të kërkesës së tij dhe prishjen e vendimit të Shkallës së Parë. Ai madje ka edhe një kërkesë të posaçme, që është ballafaqimi me ish-Kryeministrin Sali Berisha. Sipas Haxhias, ka qenë ky i fundit që e ka akuzuar atë drejtpërdrejt për vrasjen e Azem Hajdarit.

Përveç Berishës, Haxhia kërkon edhe 39 dëshmitarë të tjerë, që të dëshmojnë përpara gjykatës në lidhje me rastin e tij. “Unë dua të ballafaqohem me Sali Berishën dhe nuk e personalizoj aspak këtë këmbëngulje, pasi unë akuzohem si vrasës i Azem Hajdarit e pasi unë duhet të merrja me mend ç’kishin në mend ata që e vranë, ndërsa shtetasi Sali Berisha që e nxjerr në pritë sikur të ishte bodigard deputetin dhe shikon nga dritarja pastaj ngjarjen dhe pas 20 minutash del e bën edhe pretencën si prokuror, s’ka asnjë përgjegjësi. Kam shumë pyetje në përballjen me shtetasin Sali Berisha, por dy janë më kryesoret: përse e donte të vdekur idealistin Azem Hajdari; përse më kërkonte të vdekur pas kësaj edhe mua me dy vëllezërit e mi, ndërsa në pamundësi të kryente këtë akt makabër, na dhuroi 50 vjet burgim, duke na akuzuar si vrasës pa qenë të tillë”, shkruan Izet Haxhia në kërkesën drejtuar Gjykatës së Apelit Tiranë. Më tej, në kërkesë, Izet Haxhia liston edhe 39 dëshmitarë të tjerë, të cilët janë deputetë dhe ish-deputetë, gazetarë etj. Ndër ta përmendim ish-Kkryeministrin Fatos Nano, ish-kreun e SHIK, Fatos Klosi, ish-deputeten Topalli, Jemin Gjana, Genc Pollo, Vili Minarolli, Spartak Poçi, Petro Koçi etj..

Gjithashtu, në listën e dëshmitarëve që kërkon Izet Haxhia janë edhe Nehat Kulla e Jaho Mulosmani. Më tej, në kërkesë, Izet Haxhia përmend edhe një sërë provash që duhet të merren parasysh nga Gjykata përpara se të shprehet. Përmendim këtu tabulatet telefonike të të gjitha numrave celularë që kanë mbajtur persona që paraqesin interes për çështjen sipas inventarit të dosjes së vrasjes së Azem Hajdarit, blloku i shënimeve sekrete të Perikli Tetës, i cili mendohet se ka mbajtur të tilla për periudhën para dhe pas vrasjes së Hajdarit. Blloku i shënimeve të ish-Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Albert Dervishi etj..

Paralajmerimi 

Në një postim në “Facebook” në muajin korrik, shkruhej se Izet Haxhia është në udhëkryq dhe se drejtësia nuk po prononcohet për të. “Izet Haxhia u vetëdorëzua për të kërkuar drejtësi dhe rihapje të çështjes ‘Hajdari’, duke marrë parasysh gjithë problemet kolosale në drejtësinë shqiptare, duke marrë parasysh edhe rrezikun e një moshapjeje të çështjes. Por tani, askush nuk e priste këtë dorëheqje dhe ikje me vrap të çdo gjyqtari nga dosja e tij. U kthyen në struca, askush nuk do që ta marrë përsipër. Këmbët e lehta dhe faqja e bardhë!”, vijonte postimi. “Izeti ndodhet në udhëkryq. Drejtësia nuk po prononcohet, as me data, as me shorte, as me emra të përveçëm. Posta Shqiptare bën si e paditur dhe refuzon të ketë kontakt me avokatin apo punonjësit e burgut për të tërhequr pakot për Izetin”.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura