Doshi kërkon lirinë në Gjykatën e Lartë, shtyhet gjyqi për revokimin e masës së sigurisë, avokatët: Prokuroria po zvarrit çështjen

Apr 21, 2015 | 9:35
SHPËRNDAJE

UPDATE/ Gjykata e Lartë ka shtyrë seancën për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj deputetit të Shkodrës Tom Doshi. Shkak i shtyrjes së kësaj seance u bë mungesa e dy anëtarëve të Kolegjit Penal Artan Zeneli dhe Guxim Zenelaj. Doshi nuk ishte i pranishëm në seancë. 

Avokatët e Tom Doshit kanë depozituar në Gjykatën e Lartë kërkesën për ndryshim të masës së sigurisë për deputetin e Shkodrës, i cili ndodhet në ‘arrest shtëpie’ nën akuzat e “kanosjes për deklarime e dëshmi, ekspertim, ose përkthim të rremë”, “kallëzimit të rremë” dhe “deklaratave të rreme përpara prokurorit”.

Tom Doshi ne Keshillin e Mandateve

Pas shtyrjes së seancës avokatët thanë në një prononcim për mediat se duhet të ndryshojë masa e sigurisë pasi deputeti po pengohet të ushtrojë funksionin e tij publik, atë të ligjvënësit të zgjedhur nga populli.

Avokatët e Doshit

“Janë të gjitha rrethanat që lejojnë ndryshimin ose revokimin e masës…Zvarritja është e pajustifikuar edhe pse prokuroria pretendon se po vepron me shpejtësinë e dritës. Deputetit ende s’i është formuluar një akuzë kontrete, ende si janë bërë me dije akuzat mbi të…Është shqetësuese për të gjithë qytetarët e Shqipërisë”, tha avokati i Doshit, Vladimir Meçi, sipas të tij ata do t’i drejtohen deri Gjykatës Kushtetuese e më pas asaj Europiane. 

Ka ndonjë akuzë të re?

Jo akoma s’është komunikuar asnjë akuzë nga prokuroria. Po presim dita ditës ta ushtrojë edhe këtë të drejtë e detyrë që po e vonon shumë, tha avokati tjetër i Doshit, Ferid Mucaj.

Avokati i Doshit

Kërkesa e rradhës për lirimin e Doshit vjen pas disa të tillash nga mbrojtja e tij. Mbrojtja kërkon që Doshi të lirohet nga izolimi në banesën e tij.

Seanca e rradhës u caktua të mbahet më 28 prill.

Sakaq pak ditë më parë u mësua se në laptop-in e deputetit Tom Doshi, i sekuestruar nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme për llogari të hetimit ndaj tij, nuk ekziston një video ku ai kërcënon me armë Durim Bamin.

Mungesa e kësaj videoje në radhën e provave të zotëruara nga Prokuroria u përmend më herët edhe në vendimin e Gjykatës së Lartë të datës 28 mars, që caktoi masën e sigurisë “arrest shtëpie” për deputetin.

“Sipas deklarimeve të të pandehurit Durim Bami, ekziston dhe një videoregjistrim tjetër, i kryer në një banesë të deputetit Tom Doshi në qytetin e Durrësit, për të cilin ai deklaron se është detyruar nga deputeti Tom Doshi, nën kërcënimin e armës, që të deklarojë para kamerës në lidhje me fakte të pavërteta për organizimin e vrasjes së tij nga kryetari i Kuvendit, z.Ilir Meta dhe persona të tjerë, emrat e të cilëve i janë diktuar nga deputeti Tom Doshi. Ky filmim, sipas të pandehurit Durim Bami, disponohet nga shtetasi Tom Doshi, por nuk është vënë në dispozicion të hetimit. Nga analiza e veprimeve hetimore të deritanishme, rezulton se ngjarja nuk është e vërtetë”, thuhet në vendim.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura