“Dorëzohu, dorëzohu, duart lart!”, Si dështoi operacioni për kapjen e të kërkuarit, banorët të frikësuar, u qëllua tri herë

Nov 12, 2019 | 10:53
SHPËRNDAJE

LEZHE – Tentativa e Policisë së Lezhës për të arrestuar një person të shpallur në kërkim është shoqëruar me të shtëna me armë zjarri, por fatmirësisht nuk pati persona të lënduar. 

lezhe policia-aksion-770x436

Ngjarja ndodhi rreth orës 10:00 të paradites të së hënës pranë “Stacionit të Trenit” në qytetin e Lezhës. Sipas burimeve, agjentët e Policisë kanë pikasur personin në kërkim dhe i kanë kërkuar që të ndalojë, por ai nuk u është bindur.

Në ndjekje e sipër, njëri nga efektivët ka qëlluar me armë zjarri tri herë në ajër, me qëllim neotrilizimin e personit në kërkim, identiteti i të cilit nuk është bërë i ditur. Ai sërish nuk është ndaluar, duke arritur të largohet në zonën përreth.

Forca të shumta Policie janë vënë në ndjekje të tij dhe po krehin zonën ku mendohet se ai është fshehur me qëllim ndalimin e personit në fjalë. Ndërkohë, nga të shtënat është krijuar frikë dhe panik te qytetarët, pasi zona në fjalë është shumë e banuar dhe momentin e ngjarjes ka pasur shumë lëvizje.

Një prej dëshmitareve që ka parë skenën, është shprehur se Policia ka qëlluar me armë dhe ka thërritur: Dorëzohu, dorëzohu, duart lart!, por, sipas saj, ai u largua në drejtim të lagjes “Nënë Tereza”.

Sipas Policisë, personi në fjalë është në kërkim për plagosjen me sende të forta të një shtetasi.

Ngjarja ka ndodhur dy ditë më parë në një lokal në qytetin e Lezhës dhe sherri ka ndodhur pas një konflikti të çastit mes tyre. Ndërkohë, në lidhje me ngjarjen, Policia e Lezhës nuk ka dhënë asnjë njoftim zyrtar mbi atë çfarë ka ndodhur./e.h

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura