DORËSHKRIMI/ “Burgu i Kaninës, këtu vdekja është mjaltë”- Të pathënat e Bedri Spahiut: Unë prokurori që dënova me pushkatim Koci Xoxes dhe që përfundova qelinë tij

Apr 26, 2022 | 22:26
SHPËRNDAJE

Bedri Spahiu-ditari-rrefimi-Panorama-burgu-Kanines-majltiAFRIM IMAJ, Gazeta Panorama.al/ Ishte fundi i viteve ‘50. Kur po fashitej historia e Koci Xoxes, filloi të bëjë bujë ajo e Bedri Spahiut, të kryqëzuarit rishtas me akuzën për të cilën ish-ministri i Brendshëm shkoi para pushkatimit. Për ironi të fatit, prokurori i Xoxes përfundoi në qelinë e tij, duke pritur nga momenti në moment të njëjtin fund…

E veçon këtë fakt Badri Spahiu në shënimet nga qelitë e burgut, me përpjekjen për të shkuar në zemrën e mekanizmit që prodhonte “armiq” e “tradhtarë”. Tanimë nuk ka dyshime, por është i bindur se Partia e tij ka shpallur fushatën shfarosëse ndaj kujtdo që mendon ndryshe nga Enveri. I vetëm në katër muret e qelisë, ndjehet i pafuqishëm për të ndryshuar rrjedhën e gjërave.

E vetmja mundësi që i ka mbetur për të shprehur çka mendon: Të hedhë në letër gjenocidin e parë nga nëndheu! Të denoncojë, atë që si bënte përshtypje kur ishte i lirë. Gjithsesi, për ish-Prokurorin e Përgjithshëm, që pret nga çasti në çast dënimin fatal, kryesore mbetet sfida përballë torturuesve, që siç shprehet, i shkurtojnë jetën dhe i pinë gjakun ditaditës. Pjesa në vazhdim e ditarit pasqyron përjetimet nga burgu i Tiranës dhe ai i Burrelit. Krahas kalvarit të vuajtjeve në qelitë e errëta, Bedri Spahiu gjen kohë e hedhë në letër me dhjetëra motive të tjera, siç është rasti i përshtypjeve për Gogo Nushin në ditën e vdekjes së tij, apo çastet e daljes nga burgu e Ëngjëll Çobës etj…

Bedri Spahiu-ditari-rrefimi-Panorama-burgu-Kanines-majlti11

4 janar 1970

Si sot më 1957-ën më shpërngulën nga burgu i Kaninës në atë të Tiranës. Më hodhën prangat gjermane dhe më futën në një gaz. Të çuditshme dhe shumë të forta këto prangat gjermane. Mjafton t’i krahasosh me zinxhirët e italianëve për t’u bindur për këtë. Italianët të lidhin duart me një zinxhir nga ato që lidhin qentë. Është diçka delikate dhe i burgosuri mund të lëvizë lirisht krahët dhe duart, kurse hekurat gjermane t’i mbajnë krahët dhe duart si të ngrira. Ishte ftohtë, shumë ftohtë. Në makinë, në krahë të djathtë qëndron një major me emrin Ferhat Matohiti. Ndoshta është i nipi i Mustafa Matohitit. Në krahë të majtë një toger që flet me theks verior. Mbërrita në burgun e vjetër të Tiranës. Aty kisha qenë edhe në fillim të vitit 1942, por këtë herë ishin bërë shumë ndryshime.

Më futën në një dhomë. Ishte një nga dhomat e hetuesisë. Këtu u shfaqën dy oficerë. Njëri ishte Nevzat Hazdenari me të cilin isha takuar në 15 qershor kur kishte ardhur në Kaninë me Kadri Hazbiun. Tjetri ishte nënkryetari i degës së Vlorës. Vetëm një fjali ndërrova me Nevzatin dhe u tërhoq. Pas disa minutash dy oficerë të tjerë më kapën për krahësh dhe më çuan në korridorin e birucave të Koçit (Koçi Xoxes). Aty më futën në qelinë numër 36. I vetmi shok në qeli ishte një djalë i ri me emrin Agush Destani apo Mestani, nuk më kujtohet me saktësi…
6 shkurt 1970
Sot mu kujtuan shokët që kanë vrarë veten në burgje. Mu kujtua Sali Dula. Sivjet do mbaronte dënimin, por nuk jeton më. Vrau veten në 1964-ën. Ishte njëri nga të pestët që më sollën në kaushin numër katër atë vit. Për të vrarë veten përfitoi nga koha kur ne të tjerët ishim në ajrosje.
5 prill 1970
Sot rastisi të shoh në oborr Ëngjëll Çobën me një valixhe në dorë. I mbushi 20 vite burg. Po shkon në shtëpi. U takua me të kuzhinieri, pasi i mori leje kapterit. Çoba nuk ka qenë i izoluar, prandaj mund t’i takonte duart me kuzhinierë dhe të tjerë.
10 prill 1970
Dje në orën tetë paska vdekur Gogo Nushi në moshën 51-vjeçare. Kurdoherë që mësoj nga shtypi lajmin e vdekjes të ndonjë shoku tim, pyes veten: si vdesin këta në mes të të mirave?! Dhe unë vazhdoj të jetoj në mes të privacioneve të hatashme. Gjithnjë e kam dashur Gogon, pse nuk ishte sadist, cinik dhe arrivist. Për të ishin të huaja intrigat, shpifjet, gënjeshtrat edhe pse si njeri ishte i çelët, i dashur dhe i njerëzishëm me sjelljet e tij. U nda nga kjo botë edhe një, të cilit mund t’i japësh pa hezitim emrin njeri!

Bedri Spahiu-ditari-rrefimi-Panorama-burgu-Kanines-majlti1
15 prill 1970
Sot u mbushën 20 ditë që nga dita kur prokurori më pyeti nëse doja të bashkohesha me Koço Tashkon. Natyrisht nuk më bashkuan dhe as që do më bashkojnë. Moti vazhdon me vranësira, me shira dhe të ftohtë.  Në birucë futet ujë. Muri e tavani kullon ujë. Gjithçka është mykur e është kalbur. Sa kohë mund të jetohet në këto kushte. Fjalën e ka organizmi. Sado rezistent që të jetë, më në fund do të jepet…
6 shkurt 1971
Drejtori i burgut, Nazar Demiri, më lajmëroi për të nxjerrë teshat jashtë për një udhëtim të largët. Bashkë me mua hipën në makinë Dhimo Kolefa, Pandi Varezi, Ahmet Thaci. Udhëtuam të lidhur me hekura gjermane. Nuk na lejonin të flisnim me njëritjetrin, ndonëse në vendin e mbajtjes do të bashkoheshim. Gjithnjë i burgosuri udhëton pa ditur se ku do shkojë. Mbërritëm në burgun e Bënçës. Aty mua më bashkuan me Vangjel Leskon dhe Pandeli Varezin. Koço Tashkon me Ahmet Thaçin dhe Dhimitër Koteferin. Moqo Çomon me Hamdi Haskën dhe Zija Dibrën. Halim Xhelon me Robert Vullka nin. Dilaver Radshin me Fehmi Frashërin…
5 maj 1971
Sot fillova të mendoj për ndarjen partitore. Në kohën e sotme, në shkallë botërore, ndarja është në monopartitë dhe polipartitë. Baza e monopartive është reokupacioni i marrjes dhe i ruajtjes së pushtetit. Baza e polipartive është reokupacioni për lirinë e individit në bashkëjetesë. Të parët ekskludojnë opozitën, të dytët e presupozojnë si një domosdoshmëri të vetë ekzistencës së tyre, njohin të drejtën e shumicës për pushtet dhe të drejtën e pakicës për opozicion sipas parimit ‘pushteti i shumicës, liria e pakicës’. Pushteti që merret me pushkë mbahet me forcë dhe ky nuk mund të jetë veçse absolut. Çlirimtarët që e përdorin rolin e tyre çlirues si privilegj, shndërrohen në një kastë sunduese. Kushdo mund të sundojë.

Sundimtari mund të jetë individual apo kolektiv. Sundimtari edhe qeveris. Qeverisësi është gjithmonë në komunitetin shtetëror kolektiv. Sundimtari është praktikisht i pakufizuar në kohë, kurse qeverisësi është i kufizuar.

Bedri Spahiu-ditari-rrefimi-Panorama-burgu-Kanines-majlti111

Në burgun e Kaninës të thonë: Do të heqim kokën, por prit!

“Burgu i Kaninës qenka më i tmerrshëm se burgjet e fashizmit. Këtu të thonë: Do të heqim kokën, por prit!” Ditari i Bedri Spahiut nga periudha shtatëmujore e izolimit në kalanë e Kaninës, sjell me dhjetëra raste të veprimeve barbare ndaj të burgosurve. Gardianët e pamëshirshëm nuk kursejnë madje as të sëmurët rëndë. Në ditarin e Spahiut përshkruhet në detaje shpërfillja çnjerëzore ndaj shokut të qelisë kur përpëlitej me krizat e zemrës. “Këtu vdekja është mjaltë”, shkruan ndër të tjera ish-Prokurori i Përgjithshëm, duke krahasuar kushtet me burgjet e para komunizmit, të cilat ka pasur rastin t’i provojë…

19 dhjetor 1957
Demiri(i burgosuri tjetër i Kaninës) i ankohet kapitenit se është sëmurë. ‘Kam nevojë për një aspirinë’, i thotë atij. Kapiteni pa e kthyer kokën, përgjigjet: ‘Nuk kam!’ ‘Jam sëmurë zoti kapiten, dua doktorin”, i thotë Demiri. ‘Doktori nuk vjen këtu’ ia kthen kapiten Jorgua. Demiri vazhdon me krizat e zemrës, por kapiteni nuk do t’ia dijë dhe nuk shqetësohet aspak. Në orën 16:00 hyn kapiteni në dhomën e Demirit dhe e pyet duke qeshur: “E, mo si u bëre, më mirë?”, dhe del duke kënduar “Aman moj mikja suljote”. Dhe kënga mbulon rënkimet e Demirit.
20 dhjetor 1957
Demiri as ha dhe as fle. Kapiteni komunikoi sot: Dega nuk ka makinë ta dërgojë për ta marrë. Të mos niset me ushtarë.
22 dhjetor 1957
Dje erdhi makina që mori Demirin për në spital. Kam mbetur vetëm. Qëkurse më shkroi Nadua se do vijë me fëmijët për Vit të Ri, nuk po më kalojnë ditët, aq më tepër kur ky burg nuk është si të tjerët. Të paktën kur je në burg dhe të thonë u dënove, mbledh mendjen e vuan dënimin. Në burgun e Kaninës kam që nga një qershori. Këtu të thonë: ‘do të të heqim kokën, por do të presësh!’ Kështu po të jesh i dobët moralisht, vdes çdo minutë, çdo orë, çdo ditë, se nga njëri çast në tjetrin vijnë e të marrin.
22 dhjetor 1957
Demiri edhe sot nuk u duk. Asnjë lajm nuk kam mundësi të marr për të. Mjekët ndoshta kanë mundësinë ta mjekojnë mirë.
31 dhjetor 1957
Dega ka lajmëruar që familjes nuk i lejohet të vijë për të më takuar. Rëndësi ka fakti që Nadua dhe fëmijët janë qytetarë të lirë. Me çfarë të drejte Dega e Punëve të Brendshme e Elbasanit i ndalon qytetarët të kalojnë nga një qytet te tjetri. Sot po mbyllet viti ‘57. Pas 30 viteve jam përsëri në burg. Më 1937 u dënova nga Zogu në burgun e Tiranës. Luftë me vuajtjet, luftë me armikun, luftë me vdekjen dhe përsëri nuk jam i penduar. Kjo është jeta që jetova, jeta në zhvillim dhe zhvillimi ka dhe dhimbjet e veta.
4 janar 1958
Më bënë arrestimin në kalanë e Kaninës. E dija veten të arrestuar për aq sa isha në burg. Prej aty më çuan në burgun e Tiranës. Kjo është edhe data e arrestimit zyrtar. Më tej jeta ime ndoqi një kalvar të tërë vuajtesh dhe mundimesh që vazhduan për vite e vite me radhë. Falë Zotit mbeta gjallë.

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura