Dones: S’jam besnike partie, do shkruaj jashtë

Jul 9, 2015 | 12:58
SHPËRNDAJE

Tashmë ajo do e ndjekë procesin si një spektatore, madje si telespektatore, sepse ka vendosur të kthehet andej nga erdhi. Të vazhdojë të përdorë armën e saj më të fortë, të shkruarit, edhe pse këtu janë të paktë ata që do e lexojnë. Por ama dikush do ta lexojë. Elvira Donesit, një prej kandidateve kryesore për drejtimin e RTSH-së, tashmë nuk i mbetet gjë tjetër, veçse t’i urojë fat institucionit, që ajo donte të ndryshonte. Fakti që nuk u zgjodh, nuk e bën të ndihet “e frustruar”, sepse ajo nuk e sheh veten “besnike” partie.

Elvira Dones

“E frustruar nuk kam qenë e nuk do të jem pjesë e një besnikërie partiake”, kështu u përgjigjet Elvira Dones, shkrimtarja që e ndan jetën dhe karrierën e saj mes dy kontinentesh, të gjitha hamendësimeve se ajo është irrituar nga fakti se nuk u zgjodh drejtore e Radio Televizionit Publik Shqiptar. E konsideruar si “e privilegjuara e kryeministrit”, Dones u komentua si favoritja kryesore për postin e drejtores së RTSHsë.

Kjo ende pa shpallur ajo vetë kandidaturën. Kur lista e kandidatëve u bë publike, zërat që e shpallnin shkrimtaren fituese, u shtuan edhe më. Por gjithë kjo zulmë u shua menjëherë pas votimit të parë të këshillit drejtues të RTSH-së, që nuk i dha asnjë votë Donesit. Nëse ajo do të ishte e “komanduar” nga lart, përfaqësuesit e së majtës do ta kishin përkrahur. Si para dhe pas kandidimit, Dones ka preferuar t’u qëndrojë larg pronon cimeve në media, por pas gjithfarë aludimesh, ajo ka vendosur të flasë përmes faqes së saj të “Facebook”-ut, në publik. Si një njeri i letrave, që e ka shumë mirë të qartë rrugën e vet, ajo thotë se nuk i përket asaj kategorie njerëzish, që janë “besnikë partie”.

“Për këtë qëndrim timin dikur tërhoqa zemërimin e njërës palë. Dhe e cila nuk kuptoi asfare se mendimi im ishte jo e drejtuar ndaj tyre ‘ad personam’, por ishte në dobi të vendit tim, të cilit i kam qëndruar pranë. Ndoshta tani do tërheq zemërimin e palës tjetër… Konstatoj sot se ajo që ende nuk mund të konceptohet, pranohet sot, në këtë vendin tonë, është pavar- ësia e mendimit, e çliruar nga prangat klanike të çdo pale sunduese”, shkruan ajo.

ARSYET E KANDIDIMIT
Kur emri i Elvira Donesit nisi të qarkullonte si një drejtoreshë e mundshme, të shumtë ishin ata që u bënë kuriozë se çfarë e shtynte një njeri me një karrierë të konsoliduar, të linte shumëçka e të kthehej në Shqipëri. “Me një motivim të fundit e ‘naiv’, se shërbimi radioteleviziv publik – më në fund – duhej t’i kthehej popullit të tij në mënyrë dinjitoze, u paraqita në radhë si kandidatët e tjerë. Por javë më parë shtypi më paraqiti si një të preferuar të Kryeministrit sot në fuqi.

Të cilit i kisha thënë, kohë më parë (në tashmë të largëtin vitin 2009), madje para se të bëhej kryeministër, se çdo vend që aspiron progresin, nuk mund ta bëjë këtë pa një shërbim radioteleviziv të pavarur, në shërbim të publikut shqiptar. Besoj, edhe sot e kësaj dite, se ky popull ka nevojë e është i etur për dije të pavarur, për kulturë, për informacion që nuk u shkel syrin interesave partiakë, qeveritarë, klanikë dhe e meriton ta ketë këtë. Dhe, nëse ka ende njerëz që mendojnë si isha ‘naive’ apo kisha ndonjë interes personal, më vjen keq, mendoni çfarë t’jua ketë ënda… Të më ndjeni zotërinj, nëse më masni me metrin tuaj. Do të mbetem një individ i lirë. Kjo është ajo që nuk ju hyn dot në mendësi”, shkruan Dones.

TËRHEQJA
Po a ndihet ajo e zhgënjyer?! Papajtueshmëria e saj me një koment të Kryeministrit Rama u lexua si “revoltë”, si “zhgënjim”. Por Dones e ka “strehën” e saj të sigurt, letërsinë. “Nuk kam asgjë vetjake me zotin Rama, ashtu si nuk kisha dikur me ish- kryeministrin Berisha. Por do të përdor penën time në të mirë të këtij vendi, ashtu siç kisha premtuar, anì se ndoshta askush nuk do të më lexojë më këtu. Atje jashtë, ashtu siç lexojnë kolegët e mi e mendjet e tjera të hapura e të pavarura shqiptare, do të më lexojnë. E kam dashur dhe do ta dua këtë vend, në atë masë që ky vend e lejon veten të duhet. Ajo që unë kam pasur për zemër deri më sot, ishin vetëm interesat e një populli të vogël, të vuajtur, dhe pré e çdo çizmeje të huaj që ka kaluar këndejpari dhe të klasave politike në këtë çerekshekull, të cilat kanë luajtur me fatet e tij. I uroj Radiotelevizionit Shqiptar çdo mbarësi. Dhe tani i kthehem punës sime”, shkruan Dones.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura